Edi Rama reagon pas protestës: Pse Kuvendi i Kosovës hesht për shkeljet ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij?

07 gusht 2025 | 22:04

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur sërish zërin kundër mënyrës se si po trajtohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë. Përmes një deklarate të drejtpërdrejtë, Rama ka shprehur habinë e tij për faktin që Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një rezolutë të përbashkët, pa ndasi politike, për të denoncuar shkeljet e rënda të procesit të rregullt ligjor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!” – u shpreh Rama.

Ai shtoi se në rast se Kosova do ta miratonte një rezolutë të tillë, Shqipëria do të reagonte menjëherë për ta përkrahur institucionalisht në nivel parlamentar.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, përfundoi Kryeministri shqiptar.

Deklarata e Ramës vjen në kohën kur kritikat ndaj procesit gjyqësor në Hagë po shtohen, veçanërisht për shkelje të të drejtave të të akuzuarve dhe zvarritje të pajustifikueshme procedurale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka…