Edi Rama: Tirana nuk është Dubai i ri

29 tetor 2025 | 16:58

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për revistën prestigjioze të arkitekturës “Dezeen”, ka folur për rëndësinë që i jep arkitekturës dhe për vizionin e tij për zhvillimin urban të vendit.

Rama ka thënë se për një vend si Shqipëria, arkitektura e mirë është “një prani frymëzuese dhe burim energjie për shoqërinë”.

Ai është shprehur se dëshiron që arkitektët ndërkombëtarë të krijojnë ndërtesa që lidhen me identitetin dhe territorin shqiptar.

“Nuk duam arkitekturë gjenerike apo globale. Duam ndërtesa që na përkasin neve dhe botës. Duam një histori dashurie mes arkitektëve dhe Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Në intervistë, kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për transformimin urban të Tiranës dhe ndikimin që arkitektura mund të ketë në jetën publike.

Ai ka kujtuar periudhën kur ishte kryetar bashkie, duke theksuar se “arkitektura e mirë mund të ndryshojë drejtimin e një qyteti dhe mënyrën se si mendojmë për të ardhmen”.

Rama ka përmendur  bashkëpunimet me studio të njohura ndërkombëtare si MVRDV, BIG, OMA dhe “Ricardo Bofill Taller de Arquitectura”, duke theksuar se projekti urban në Tiranë nuk synon të kopjojë modele të huaja.

“Tirana nuk është Dubai i ri. Tirana është Tirana”, është shprehur ai.

Rama gjithashtu ka kritikuar perceptimet ndërkombëtare që lidhin zhvillimin urban me dyshime për korrupsion apo pastrim parash, duke i cilësuar ato si “budallallëqe mediatike”.

Sipas Ramës, numri i madh i arkitektëve të huaj që punojnë në Shqipëri është një mundësi unike për brezin e ri të arkitektëve vendas.

 

“Kemi universitetin më të madh të arkitekturës në natyrë, sepse arkitektët e rinj shqiptarë mësojnë duke punuar me më të mirët”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët doganorë të Kosovës kanë ndaluar një sasi të produkteve…