Edita Tahiri dorëzoi në OKB peticionin për drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

15 mars 2019 | 17:35

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në cilësinë e saj si kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore është takuar në selinë e OKB-së me përfaqësuesen speciale të sekretarit gjeneral të OKB-së për çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteteve, Pamila Pratten.

Në takim ka marrë pjesë dhe drejtoresha e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, Alia Al-Yassir.

Gjatë këtij takimi, Edita Tahiri ka folur për çështjen e grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftërave të fundit në Ballkan, në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, duke shprehur shqetësimin se drejtësia ndërkombëtare po vonohet ndaj këtyre grave që kanë pësuar tragjedi të llojit më barbarë gjatë luftërave gjatë luftërave agresore të Serbisë.

Ajo ka theksuar se një tragjedi është vet dhuna seksuale që kanë përjetuar viktimat dhe tragjedia e dytë dhe më e madhe është që kjo çështje është lënë në harresë madje me tendence të mbetet fare e fshehur për faktin se OKB dhe qendrat e studimeve globale nuk e përmendin fare ose pak e përmendin se ka ndodhur dhunimi masiv i grave gjatë luftërave në Ballkan, të mos flasim se kryerësit kriminel të këtyre veprimeve kanë mbetur sot e kësaj ditë të pandëshkuar.

Duke folur për çështjen e dhunimit të grave në Kosovës, Edita Tahiri, ka theksuar se janë mbi 20 000 gra shqiptare të dhunuara nga forcat okupatore serbe. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se është për të ardhur keq se përkundër konventave, rezolutave e instrumenteve tjera të OKB-së kjo tragjedi ka mbetur pa u trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Ajo ka kërkuar që drejtësia ndërkombëtare sa më shpejt të vendoset për këtë kategori grash që e kanë pësuar më se keqi gjatë luftës, dhe me këtë rast ka dorëzuar peticionin e qytetarëve të Kosovës drejtuar sekretarit gjeneral të OKB-së, Antonio Guterres, me të cilin Kosova kërkon drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Tahiri ka thënë se ky peticion është nënshkruar në vitin 2014 nga më shumë se 110 000 qytetarë të Kosovës në mesin e të cilëve më shumë burra se gra, gjë që ka bërë të bjerë poshtë tabuja e mospranimit të kësaj tragjedie që e goditi popullin shqiptar te Kosovës së bashku me gjenocidin që e ka përjetuar e tërë popullata shqiptare.

Ajo ka thënë sa më shpejt të ketë drejtësi për këto gra dhe sa më shpejt kriminelët serbë të luftës të marrin dënimin e merituar, viktimat do jenë më të qeta dhe do t’ju rikthehet dinjiteti, derisa sipas saj paqja do jetë më e qëndrueshme.

Po ashtu, Tahiri ka dorëzuar letrën drejtuar sekretarit gjeneral të OKB-së, Antoni Guterres, në mbështetje dhe shpjegim të peticionit, ku përmendet se përkundër disa letrave të dërguara të sekretari i mëparshëm nuk ka pasur fare gatishmëri për pranimin e peticionin.

Tahiri ka shprehur kënaqësinë që më në fund ky peticion është dorëzuar, duke falënderuar zonjën Pratenn për takimin dhe pranimin e peticionit (verzionin elektronik) dhe letrës për sekretarin Guterres, në emër të saj dhe të Bordit Drejtues të Grave për Peticionin.

Gjithashtu, Tahiri ka dorëzuar edhe letrën e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (RWLSEE) drejtuar sekretarit gjeneral Guterres ku kërkohet drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftërave në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Bordi Drejtues i Grave për Peticionin i drejtuar nga Edita Tahiri ka këto anëtare:, Chairperson, Luljeta Vuniqi, Suzana Novoberdali, Eliza Hoxha,Teuta Sahatçiu, Arjeta Rexhaj, Vlora Çitaku, Edona Hajrullahu, Veprore Shehu, Luljeta Selimi, Mimoza Kusari-Lila, Donika Kada-Bujupi.

Ky bord i mbështetur nga Qeveria e Kosovës në nivelin qendror dhe lokal ka arritur të realizojë peticionin që është nënshkruar anë e mbanë Kosovës me masovitet.

Me këtë rast, Tahiri ka falënderuar të donatorët që e kanë bërë të mundur realizimin e këtij misioni historik në mbështetje të grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka dalë në konferencën…