Edita Tahiri: Një pajtim mes pozitës dhe opozitës për presidentin, kyç për stabilitetin politik

23 shkurt 2026 | 11:08

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se një pajtim mes pozitës dhe opozitës për kandidatin për president do të krijonte një bashkëpunim funksional politik dhe demokratik në vend.

“Një pajtim mes pozitës dhe opozitës për kandidatin për president krijon një bashkëpunim funksional politik e demokratik, që i mungoi vjet Kosovës”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të takohet sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për pozitën e presidentit të vendit.

Ora e takimit nuk është bërë ende e ditur.

Abdixhiku e ka thënë disa herë nëpër studiot televizive në Kosovë se duhet arritur marrëveshje në mënyrë që partia të cilën ai e udhëheq, LDK-ja, të jetë në sallë kur të votohet për këtë çështje.

Kjo parti ia pati bërë kuorumin presidentes aktuale, Vjosa Osmani kur e ka fituar mandatin e parë, në prill të vitit 2021.

Osmanit i skadon mandati 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi.

Çështjen e presidentit, Kurti e ka diskutuar të dielën edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kryeministria bëri të ditur pas takimit se palët janë pajtuar që “bashkëpunimi është i nevojshëm “duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brotherhood”, për goditjen e veprimtarisë…