EDUKIM APO INDOKTRINIM?

22 janar 2026 | 20:22

Shkruan: Hisen Berisha

(Një veprimtari e rrezikshme, e pa autorizim institucional, pa transparencë dhe me rrezik për rendin ligjor, arsimin publik, kundër së vërtetës historike dhe luftës çlirimtare të UÇK-së)

Opinionit publik duhet t’i bëhet e ditur se në ambientet shkollore të Gjimazit të Specializuar Matematikor, pjesën e objektit ku është vendosur dhe ku aktualisht funksionon Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë janë zhvilluar ligjërata për nxënës, të organizuara nga organizata joqeveritare të lidhura me narrativën e Dhomave të Specializuara në Hagë, me aprovimin e menaxhmentit të shkollës, por siç kanë deklaruar vetë Drejtori, pa autorizim zinxhiror institucional nga Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet dhe pa miratim nga Ministria e Arsimit.

Ky zhvillim nuk është çështje periferike apo thjesht procedurale. Ai përbën problem serioz juridik, arsimor, politik dhe të sigurisë publike, veçanërisht për faktin se u drejtohet nxënësve të mitur, në ambiente të arsimit publik.

Kjo situatë ngre pyetje thelbësore që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen, që kanë të bëjnë me atë se:
Kush i ka autorizuar këto ligjërata?
Cila është përmbajtja reale e tyre?
Kush i ka aprovuar në MASH dhe në DKA?
A janë pjesë e ndonjë programi të akredituar apo kurrikule të miratuar?

Pas marrjes së informatave në rrugë informale, në vlerësimin tim, rezulton të jetë shkelje e qartë e kornizës ligjore të arsimit.
Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, institucionet arsimore:
– nuk kanë kompetencë të lejojnë aktivitete edukative nga subjekte të treta pa miratim të autoriteteve komunale dhe ministrore;
– janë të obliguara të garantojnë neutralitetin politik, ideologjik dhe institucional të përmbajtjeve;
– kanë detyrim të veçantë për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës.

Vetë reagimi publik i Drejtorit të DKA Prishtinë e konfirmon se DKA nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes dhe nuk ka dhënë miratim.
Por, e vërteta është se, çdo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te Këshilli Drejtues i Shkollës nuk qëndron juridikisht, pasi ky organ nuk ka kompetencë autonome për autorizime të tilla.

Në vlerësimin tim ka dyshime serioze dhe të bazuara për përmbajtje problematike.
Në mungesë të transparencës institucionale, lindin dyshime legjitime politike dhe juridike se:
– A po trajtohet lufta çlirimtare e UÇK-së në frymën e aktakuzave të Dhomave të Specializuara, ku ajo paraqitet si e ashtuquajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?
– A po relativizohet karakteri çlirimtar i saj?
– A po sugjerohet, drejtpërdrejt apo tërthorazi, barazimi i agresorit me viktimën, apo madje pretendime për spastrim etnik?

Këto nuk janë pyetje retorike dhe as akuza apriori.
Ato janë dyshime të arsyetuara, të mbështetura në kontekstin e organizatorëve, misionin e tyre të shpallur dhe publikun e synuar.

Aktualisht rezulton që kjo të jetë OJQ, me rrjetëzim problematik dhe mungesë verifikimi institucional.
Organizimi i këtyre ligjëratave lidhet me OJQ të afërta me Dhomat e Specializuara në Hagë.
Veçanërisht problematik paraqitet rasti i OJQ-së “YIHR KS”, Youth Initiative for Human Rights, Kosovo, e themeluar në vitin 2004 në Prishtinë, e cila është pjesë e një rrjeti rajonal që vepron në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Ekzistojnë materiale publike që tregojnë se kjo OJQ ka pretenduar të jetë në proces akreditimi nga MASH për programe edukative, ndërkohë që, sipas informatave të disponueshme, akreditimi nuk është konfirmuar. Në mungesë të akreditimit dhe miratimit institucional, çdo veprimtari edukative në shkolla publike është joligjore dhe kërkon verifikim të plotë për përmbajtjen, misionin, rrjetëzimin dhe ndikimin real.

Pas analizimit të veprimtarisë dhe rrjetizimit të kësaj organizate, shtroj dilemën nëse është kjo “Përballje me të kaluarën” apo devijim i së vërtetës historike?
Pra, këto aktivitete justifikohen nën sloganin politik të “përballjes me të kaluarën”. Por pyetja thelbësore mbetet, a është kjo përballje e ndërtuar mbi të vërtetën historike të agresionit serb dhe luftës çlirimtare, apo mbi relativizimin dhe zhvendosjen e përgjegjësisë historike?

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rendi kushtetues buron nga lufta çlirimtare. Çdo përmbajtje edukative që e problematizon këtë fakt para brezave të rinj bie ndesh me frymën kushtetuese, me edukimin qytetar dhe me interesin publik.

Kur tema themelore shtetërore trajtohen nga subjekte të paautorizuara në shkolla publike, çështja nuk mbetet vetëm arsimore. Ajo merr dimension të sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes së rendit kushtetues.

Për këtë arsye, reagimi duhet të vijë nga:
– Këshilli i Sigurisë Kombëtare
– Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së në Kuvend,
– AKI,
– Hetuesia Policore dhe Prokuroria e Shtetit.

Jo për censurë, por për mbrojtje të rendit ligjor, të miturve dhe interesit publik.

Ajo që përbën qëlimin e këtij reagimi është thirrja për përgjegjësi institucionale dhe vigjilencë qytetare.

Po ashtu, OVL e UÇK-së duhet t’u bëjë thirrje prindërve që të tregojnë vigjilencë dhe të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në aktivitete të paautorizuara dhe të paqarta në mision.

Prindërit kanë të drejtë kushtetuese të dinë se çfarë u mësohet fëmijëve të tyre dhe kush ua ligjëron. Institucionet arsimore nuk janë hapësira eksperimentimi politik apo ideologjik.

UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës.
Edukimi nuk guxon të shndërrohet në instrument të devijimit të historisë.
Shkollat nuk janë poligon i narrativave të importuara.

Kjo çështje nuk është emocionale.
Është politike, ligjore dhe shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është arritur pajtim…