
Egzon Belica rikthehet te Shkëndija
Shkëndija e Tetovës ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit me përvojë Egzon Belica. 34-vjeçari nga Struga rikthehet te kuqezinjtë pas gati një dekade, pasi më parë kishte veshur fanellën e Shkëndijës në sezonin 2014/15. Belica luan në qendër të mbrojtjes dhe pas vetes ka një karrierë të pasur ndërkombëtare.
Në futbollin shqiptar ka mbrojtur ngjyrat e Besës së Kavajës dhe Partizanit të Tiranës, ndërsa në Kosovë ishte pjesë e Prishtinës. Ai ka provuar gjithashtu kampionate të ndryshme evropiane: në Rumani me Concordia, në Finlandë me Inter Turku, në Letoni me Riga, kurse para se t’i bashkohej Shkëndijës ishte pjesë e Rabotniçkit në Shkup.
Me rikthimin e Belicës, kuqezinjtë përfitojnë një lojtar me eksperiencë të madhe dhe lidership në repartin e mbrojtjes, i cili pritet të jetë një shtyllë e rëndësishme për sfidat në kampionat dhe në Ligën e Konferencës.