Ejupi: Çdo investim fillon me një “boarding pass”

23 qershor 2025 | 21:01

Nga Remzi Ejupi

Në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë–NRW, i mbajtur më 13 dhe 14 qershor 2025 në ambientet e Wirtschaftsclub Düsseldorf, pata mundësinë të sjell mbi 30 vjet përvojë në aviacion dhe të kontribuoj në forcimin e lidhjeve mes diasporës shqiptare, Kosovës dhe rajonit. Kjo pjesëmarrje tregon përkushtimin tim të vazhdueshëm për zhvillimin e lidhjeve ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në lehtësimin e qarkullimit të lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve të diasporës.

Nuk mjafton të bëjmë thirrje për investime nga diaspora nëse nuk krijojmë kushtet reale për to. Një ndër to është zhvillimi i sektorit të aviacionit civil. Lëvizja e lirë, e përballueshme dhe e qëndrueshme është themel i rritjes ekonomike dhe i lidhjes me tregjet ndërkombëtare. Bizneset operojnë në një mjedis konkurrues, ku efikasiteti, qasja e shpejtë dhe infrastruktura moderne janë jetike. Prandaj, institucionet publike duhet të jenë më proaktive në përkrahjen e sektorit të aviacionit dhe nevojave të tij, si një faktor kyç për të nxitur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

Në Shqipëri, ndërtimi i aeroportit të ri në Vlorë është një dëshmi e qartë e vizionit strategjik, pasi zhvillimi i aviacionit është parakusht thelbësor për turizëm, investime dhe rritje ekonomike. Por edhe Kosova duhet të qëndrojë konkurrente në zhvillimin e aviacionit, në mënyrë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve shqiptare të sjellë rezultate konkrete. Shqipëria ofron bregdetin, Kosova turizmin malor, dhe së bashku mund të krijojnë një ofertë të integruar për tregun evropian.

Kosova vazhdon të ketë ndër kostot më të larta të taksave aeroportuale, karburantit dhe shërbimeve ajrore në rajon. Kjo e vështirëson dhe e shtrenjon operimin për çdo kompani ajrore. Për më tepër, asnjë mbështetje financiare nuk u ofrua për këtë sektor as edhe gjatë pandemisë COVID-19, në një kohë kur shtetet evropiane dhanë subvencione të konsiderueshme për të mbajtur industrinë në jetë. Rregulloret e Bashkimit Evropian u japin mundësi shteteve të perkrahin linjat ajrore në interes të komunitetit. Kjo praktikë është e zakonshme në BE për të përmirësuar lidhjet ajrore dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik. Edhe Kosova duhet të harmonizohet me këtë qasje, duke krijuar mekanizma që ndihmojnë hapjen e linjave të reja ajrore drejt Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe vendeve të tjera ku jeton diaspora shqiptare.

Në këtë drejtim, është thelbësore që Kosova të zhvillojë një strategji ajrore me këto prioritete:

Dialog i hapur mes qeverisë dhe sektorit privat për ndërtimin e një politike të qëndrueshme të aviacionit;
Ulje e tarifave Aeroportuale dhe çmimeve të karburantit që rëndojnë mbi udhëtarët dhe operatorët;
Mbështetje financiare për linjat ajrore që hapin fluturime të reja drejt destinacioneve me kërkesë të lartë.

Si pjesë e diasporës dhe si ndërmarrës me mbi tri dekada përvojë për të mbajtur Kosovën të lidhur me Evropën, besoj fuqishëm se ka ardhur koha për një qasje të re. Së bashku me Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës për të ndarë ide konkrete, njohuri teknike dhe përvojë ndërkombëtare që do të përmirësojnë lidhjet ajrore dhe do të nxisin investime të reja.

Por asgjë nuk arrihet pa stabilitet politik dhe institucione të forta. Duhet të konsolidojmë institucionet, dhe të forcojmë ligjin. Pa këto, strategjitë mbeten vetëm fjalë dhe investimet nuk ndodhin. Stabiliteti politik është baza kryesore për rritje dhe zhvillim ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një ngjarje të organizuar…