Ejupi, pas dënimit nga FFK-ja: Dënim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë

14 janar 15:23

Remzi Ejupi është dënuar me një vit ndalesë të kryerjes së të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës. Kryetari i FC Prishtina ka thënë se me këtë dënim FFK-ja goditi mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë.

Kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi, ditë më parë e akuzoi Federatën e Futbollit të Kosovës dhe këto akuzua i kushtuan kryetarit Ejupi, pasi   Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e dënoi me një vit ndalesë të kryerjes së të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me FFK-në.

“Remzi Ejupi, kryetar i FC Prishtina nga Prishtina, për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj, dënohet me ndalesë të kryerjes së të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për 1 (një) vit”, thuhet në vendimin e FFK-së.

Të enjten Ejupi nëpërmjet një postimi të gjatë në profilin e vet në “Facebook” ka reaguar në lidhje me këtë vendim. “Këtë dënim FFK-ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e saj të mbrapshtë”, ka shkruar fillimisht Ejupi, i cili më pas ka deklaruar se drejtuesit e Federatës së Futbollit me këtë rast kanë dashur që ta godasin mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë. “Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK-së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga disa individë të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës”, ka thënë Ejupi.

Numri një i skuadrës kryeqytetase ka thënë se prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA janë të hyra mbi 40 milionë euro dhe se delegatët e FFK-së nuk kanë asnjë njohuri se ku kanë shkuar këto mjete, sikurse që nuk dihen as mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave të ndeshjeve të përfaqësueses.

“Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë si delegat i FFK-së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK-së, të cilat ndoshta përpilohen natën. Si delegat i FFK-së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të të gjithë atyre ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës!”, ka shtuar Ejupi.

“Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK-në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente të tjera Kosova jonë nuk është që i ka punët mirë. Është krejt e natyrshme që një delegat të kërkojë sqarime nga kryesia aktuale e FFK-së ta thotë të vërtetën e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës, me ç’rast, duke e humbur shansin ideal të kualifikimit në Kampionatin Evropian, Kosova e humbi mundësinë e përfitimit të 15 milionë eurove, me të cilat futbolli ynë do të kalonte automatikisht në një nivel tjetër”, ka deklaruar Ejupi.

Kryetari Ejupi më pas ka treguar se këto e shumë pyetje të tjera ka planifikuar t’i bënte në Kuvendin e FFK-së, por kjo e fundit me vendimin e marrë ia ka pamundësuar një gjë të tillë. Ai ka thënë se dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i atyre që e kanë ngufatur futbollin e Kosovës.

“Është krejt normale që delegatët – të cilët që nga pas lufta kanë investuar mbi 100 milionë euro në futbollin e Kosovës – të kërkojnë llogari dhe sqarime për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, nga punësimet pa konkurse në FFK, për mënyrën se si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë që mezi mbijetojnë dhe për mënyrën se si FFK i ndan ato në përpjekje për t’i stopuar te delegatët apo klubet e tjera pyetje të ngjashme si këto të miat. Këtij qëllimi bukur shumë ia ka arritur. Këto pyetje planifikoja t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, i cili është dashtë të mbahej qysh moti. Por që ata që e kanë kapur FFK-në vazhdojnë të marrin kohë dhe njëkohësisht të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto. Mua ma pamundësuan pjesëmarrjen në Kuvend dhe parashtrimin e këtyre pyetjeve duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i tyre për të më pamundësuar që këto pyetje t’i bëj aty ku është vendi – në Kuvend. Ky është realiteti. Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël i njerëzve!”, ka përfunduar Ejupi.

/Veton ZYMBERI/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar pas arritjes…