Ekipi i Kosovës suksesshëm vazhdon të prezantojë vendin në garën e robotikës “FIRS Global Challenge”

06 shtator 2020 | 12:31

Ekipi i përbërë nga Elta Bajrami, Albana Hajdini, Vlera Saraçi dhe Penda Smajlaj, nën mentorimin e Elita Hajrizit, për disa muaj me radhë, janë duke përfaqësuar Kosovën në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e Robotikës, FIRS Global Challenge, që për shkak të situatës aktuale me COVID-19, po mbahet online.

Në këtë garë po marrin pjesë të rinjtë nga 170 vende të ndryshme të botës,  të cilët këtë vit, ndryshe nga garat e organizuara më herët po përdorin njohuritë teknologjike dhe kreative për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në komunitetin ku jetojnë ata.

Ekipi i Kosovës, përfaqësuar nga UBT, suksesshëm ka arritur të shënoj fitore në shumë rundë të kësaj gare, e cila po mbahet virtualisht.

Sipas garuesve të ekipit nga Kosova, përfaqësuar nga UBT, pjesëmarrja në këtë garë kaq të rëndësishme është një eksperiencë e jashtëzakonshme, që po synojnë ta bartin te të gjithë të rinjtë e Kosovës.

“Jam e lumtur që jam edhe këtë vit pjesë e grupit të robotikës të Kosovës dhe që po mundohemi dinjitetshëm të përfaqësojmë Kosovën në këtë garë. Ne si vajza të reja, të gjitha eksperiencat që po i marrim nga First Global po mundohemi që t’i promovojmë edhe tek të rinjtë e Kosovës, që edhe ata t’i marrin eksperiencat dhe të gjitha ndjenjat që ne po i përjetojmë gjatë kësaj gare”, ka thënë garuesja Elta Bajrami, që po përfaqëson Kosovën në FIRST Global Challenge.

Pjesëtarja tjetër e ekipit të Kosovës Vlera Saraçi, është shprehur e lumtur për faktin se pjesëmarrja në këtë garë po e ndihmon atë që të zhvillojë më tutje aftësitë e saj falë mundësisë që përmes UBT-së ta përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare.

“Përshtypjet e mia mbi garën STEM janë të jashtëzakonshme për shkak se si nga ana teknike dhe ajo sociale kam pasur mundësi që t’i zhvillojë aftësitë e mia, si për shembull në fushën e teknikës kam pasur aftësi që t’i zhvillojë njohuritë në fushën e animacionit”, është shprehur me entuziazëm anëtarja e ekipit nga Kosova Vlera Saraçi.

Albana Hajdini, pjesëtare e skuadrës së Kosovës në garat e robotikës, që këtë vit po mbahen online, ka thënë se këtë vit garat kanë qenë më ndryshe dhe më sfiduese, si shkak i pandemisë COVID-19.

“Këtë vit një prej sfidave ka qenë që ne të sjellim një ndryshim në Kosovë dhe për të rinjtë e Kosovës, duke sjellë një lëndë zgjedhore që inkuadron lëndët ose fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Mënyra se si ne kemi vendosur ta bëjmë këtë është duke shtuar realizimin e projekteve në bazë të STEM, të cilat do të bëjnë zgjidhjen e problemeve reale të komunitetit tonë, në arsimimin e nxënësve, në kuadër të lëndës zgjedhore. Kjo do të mundësoj që nxënësit e Kosovës të mësojnë më shumë se thjesht teori, madje që të jenë më se të aftë të ulen nëpër tryezat ndërkombëtare dhe të bëjnë ndryshime.”, ka thënë Albana Hajdini, pjesëmarrëse e garës së robotikës, me ekipin nga Kosova.

UBT e përfaqëson Kosovën  në këtë garë tash e disa vite, ku përmes ekipit të përbërë nga studentë të UBT-së, përgatiten profesionalisht në laboratorët inovativë të mekatronikës.

UBT është vlerësuar nga organizatorët dhe ka marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që po jep për FIRST Global.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet e shpëtimit, të cilët kanë gjurmuar nën gërmadhat në…