
Ekipin e Kosovës që negocion për vaksina, nuk e udhëheqë kryeministri dhe as ministri i Shëndetësisë
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ekipin e Kosovës që negocion për vaksina, nuk e udhëheqë as kryeministri dhe as ministri i Shëndetësisë, por një sekretar ministrie.
Tahiri përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për krahasim, ekipin e Republikës së Shqipërisë që negocion për vaksina e udhëheqë kryeministri Edi Rama.
Postimi i plotë i Tahirit:
Debati i sotshëm në Kuvend, nxori në pah një fakt shumë interesant. Kuptuam që ekipin e Kosovës që negocion për vaksina, nuk e udhëheqë as kryeministri dhe as ministri i shëndetësisë, por një sekretar ministrie. Për krahasim, ekipin e Republikës së Shqipërisë që negocion për vaksina e udhëheqë kryeministri Edi Rama.
Rezultatin po e shohim. Shqipëria me 400 mijë vaksina dhe e para në rajon, ndërsa Kosova me 25 mijë vaksina, të gjitha donacion.
Sigurimi i vaksinave për të shpëtuar jetë, si çështja më urgjente aktuale, nuk qenka në portofolion e kryeministrit tonë dhe ministrit të shëndetësisë.
Përderisa kryeministri dhe ministri paskan dezertuar nga kjo përgjegjësi jashtëzakonisht e rëndësishme, le të vazhdojmë pra të presim përfundimin me sukses të këtyre negociatave nga sekretarët dhe zyrtarët e ministrive.
Na priftë e mbara