
Ekonomistët: Kosova ta heq taksën ndaj ShBA-së, dëmton ekonominë dhe marrëdhëniet diplomatike
Njohës të ekonomisë në Kosovë janë duke kërkuar me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke e quajtur këtë taksë “të pajustifikueshme dhe të dëmshme”, njohësit e zhvillimeve ekonomike kanë theksuar se urgjenca për heqjen e saj nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike dhe gjeostrategjike.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka kritikuar ashpër institucionet vendore për, siç ka thënë mungesë të vizionit dhe dështim për të avancuar proceset ekonomike dhe diplomatike.
Ai ka vlerësuar se heshtja e institucioneve të Kosovës dhe mosangazhimi serioz për heqjen e kësaj takse është duke e izoluar gjithnjë e më shumë vendin në aspektin ekonomik, politik dhe gjeostrategjik. “E para është një turp i kohës për Kosovën, që një shtet shpëtimtar, një aleat strategjik, siç është ShBA-ja, të jetë e penalizuar me një taksë 10 për qind për importet. E dyta, kjo dëshmon papjekurinë institucionale në Kosovë. E treta, kjo e dëshmon që në Kosovë është varrosur definitivisht diplomacia, qoftë politike, e në veçanti ajo ekonomike. Dhe nuk mund të pritet diplomaci efektive qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin ekonomik, në qoftë se kemi Ministri të Punëve të Jashtme e mbuluar, apo e ngarkuar me politikanë të padijshëm, të cilët vërtet shumë më tepër e dëmtojnë sesa që avancojnë këto procese. Ka qenë një tentativë vetëm më tepër gojore nga presidenca që kjo taksë duhet të hiqet. Mirëpo në realitet nuk ka ndodhë asgjë. Ajo që është më shqetësuese për ardhmërinë e Kosovës është heshtja politike, ekonomike edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe e vendeve evropiane, por edhe të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Gërxhaliu.
Në këtë kontekst, Gërxhaliu ka thënë se është shqetësuese rënia drastike e eksportit nga Kosova në ShBA. “Duhet të jemi falënderues, duhet të jemi mirënjohës, në veçanti ndaj Shtetet Bashkuara të Amerikës që kanë qenë me ne në kohërat më të vështira dhe sot e gëzojmë lirinë falë një intervenimi edhe ushtarak, edhe politik, edhe diplomatik. Dhe se sa është impakti në këtë drejtim e dëshmon fakti që para sa viteve Kosova ka arritur të ketë më tepër se 200 milionë euro eksporte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot apo në vitin 2024 është një shifër shqetësuese që janë afro 37 deri në 38 milionë, vlerë e prodhimit ‘Made in Kosova’ dhe tëra kjo na obligon që vërtet të jemi më aktivë, të jemi falënderues. Kjo taksë e turpit t’i takojë të kaluarës dhe sa më shpejt që është e mundur të hiqet”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërsa njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, ka vlerësuar se Kosova duhet sa më shpejtë ta heq taksën ndaj ShBA-së. “Kosova duhet një hap përpara ta largojë masën ndaj ShBA-së për faktin se si me qenë, si mos me qenë nuk ndikon fare në raportin ekonomik me ShBA-në për faktin edhe sikur mos të kemi fare taksa me ShBA-në i gjithë plasmani, i gjithë produkti të plasohet në ShBA nuk mundet as për disa minuta të mbajë gjallë konsumin dhe ekonominë e ShBA-së. Duke e ditur rrugëtimin tonë si Kosovë, vlerësoj se Qeveria e Kosovës një hap përpara duhet të largojë taksën dhe masat ndaj ShBA-së”, ka thënë Kadrijaj.
Për këtë çështje “Kosovapress” u ka dërguar pyetje Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Eksportet e Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar rënie gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në maj 2025, Kosova ka eksportuar drejt ShBA-së rreth 10.04 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo shifër ishte rreth 23.79 milionë euro.
Pra, një tkurrje prej mbi 57.8 për qind, në më shumë se 13.7 milionë euro më pak mallra të eksportuara drejt ShBA-së.
Importet e Kosovës nga ShBA-ja kanë shënuar një ulje në pesëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë së jashtme, nga janari deri në maj 2025, Kosova ka importuar nga ShBA-ja mallra me vlerë rreth 322 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo vlerë ishte rreth 356 milionë euro.
Ky ndryshim përfaqëson një tkurrje prej 9.55 për qind, pra në rreth 34 milionë euro më pak mallra të importuara nga ShBA-ja në tregun e Kosovës.