Ekrem Kryeziu, autor i dramave të utopisë reaktive

08 gusht 2022 | 19:38

Nga Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Duke i njohur dramat e Ekrem Kryeziut, të thuash, gjatë gjithë procesit të krijimit të tyre, që nga idetë e para e deri tek përfundimi i plotë i këtyre veprave, për aq sa një dramë mund të quhet e përmbyllur apo edhe përfunduar, mendoj se ia kam dalë që ta zbërthejë edhe vizionin, edhe konceptet sociale, edhe ato historike, ato filozofike apo, edhe thjeshtë, ato jetësore të këtij autori interesant.

Drama e autorit – herë protagonist e herë antagonist në shoqëri

Nuk e di se a është shumë e saktë që për një autor të shkruajmë konstatime se është i vyer, produktiv apo edhe t’i vëmë ndonjë mbiemër tjetër, paçka se, miku im shumë i çmuar, Ekrem Kryeziu i mbanë pranë emrit të vetë, të gjitha këto që i thash dhe jo vetëm. Në fakt, duke i lexuar dramat e tija, besoj se mund ta grafikojmë qartë edhe të menduarit të këtij autori për dramën dhe teatrin, në përgjithësi, dhe konceptet e tija mbi atë se, ka kohë që, edhe ndër krijuesit tanë, të paktën të një numri syresh, ka arritur koha që të jenë më të drejtpërdrejtë, më të qartë dhe më kumbues, duke iniciuar kështu, një qasje më ndryshe në dramaturgjinë tonë e cila e ka për synim që, para së gjithash, ta radikalizojë përvojën teatrore te ne të instaluar mbi skenat kyçe dramatike të mbamendjës kolektive, e që do të na shpie drejt ndryshimeve kulturologjike shqiptare në përgjithësi. S’do mend se këtu, bënë përjashtim, një krijim i hershëm, por jo më pak i rëndësishëm i Ekrem Kryeziut, pra, drama e tij shumë e njohur, Epoka para gjyqit, që është disi, me apo pa të drejtë, një si shenjë identifikuese e këtij autori.

Për dramat e Ekrem Kryeziut, besoj se duhet të mendojmë dhe të shkruajmë nga aspektet estetike, antropologjie, por edhe kulturologjike, në radhë të parë. Kjo që po e them, nuk e nënkupton atë se veprat e Ekrem Kryeziut nuk meritojnë edhe shqyrtimet të tjera si ato teatrologjike – pra që, dikush prej nesh të angazhohet dhe ta bëjë ndonjë analizë të dramave të tija, të formës apo formave dramatike që përdor ky autor, etj, por, në çastin kur para nesh u shfaqen dy vëllime dramash – pra dy libra me një numër veprash të vëna në skenë apo edhe të pa inskenuar, të para apo edhe të periudhës së pas luftës, mendoj se, në një mënyrë apo tjetrën, na ka ardhur koha për ta vënë në pah edhe veprimtarinë e përgjithshme teatrore dhe dramaturgjike të dramaturgut në fjalë dhe që, këtë krijimtari, e cila do ta nderonte akëcilin autor, jo vetëm shqiptar, ta shoshitim dhe shqyrtojmë edhe në kontekstin e shpirtit të kohës, të kulturës dhe të politikës kulturore te ne.

Krijimtaria e Ekrem Kryeziut, të thuash, vetëm pjesërisht realizohet përmes teksteve dramatike, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një autor i cili në mënyrë të shumëfishtë ka prezencë në skenën tonë kulturore – edhe përmes aktivizmit të tij politik e kulturor, edhe përmes artit të të shkruarit, të filmit të luajtur dhe atij dokumentar, të letërsisë si dhe të publicistikës dhe pikturës. Për këtë arsye, siç do ta thoshte edhe sociologu i njohur frëng, Pjer Burdie, ky, pra Ekrem Kryeziu, merr pjesë aktive në atë që ky dijetar do ta quante: krijim të fushës së kulturës ndër ne qoftë me të shkruarit të dramave, apo përmes filmit artistik të cilin e ka pasion dhe dashuri, si dhe përmes eseve politik me ç’rast e zbërthen në shumë llojllojshmëri vetë realitetin tonë, të këtillë çfarë në esencat e tija është, duke e projektuar mjaft qartë një realitet të kontrastuar fuqishëm shoqëror, përmes një rezonimi të thellë si dhe shpupuritjeve të universit në të cilin në jetojmë dhe mbijetojmë, e duke vepruar në skenën e kësaj përditshmërie, vetë ai – herë si protagonist, e herë si antagonist, pra ashtu sikurse edhe ndodh në jetën tonë.

Ekrem Kryeziu, ndonjëherë, i detyruar që të veprojë edhe në vetë margjinat e shoqërisë, përmes një perimetri të gjerë të skenës kulturore, në një mënyrë të theksueshme të aktivizmit intelektual dhe politik, mënyrë e cila e kishte dhe e ka qëllim që ta ndryshojë fushim dramaturgjike, teatrologjike dhe socio-kulturore te ne, përpiqet që, me artin e vetë, ta përthyej rrjedhë e njëtrajtshmërisë, hove – hove brutale të realitetit që i përket dhe ai vetë, e viktimë e të cilit edhe ishte, së bashku me mënyrën e të menduarit për këtë realitet sa real aq edhe virtual, vetëm e vetëm që të lë gjurmët e tija duke arritur tek ajo që ky e konsideron të vlershme për shoqërinë të cilët i përket por edhe më gjerë se sa kaq.

Duke lexuar dramat e Ekrem Kryeziut, e kuptojmë se veprimet artistike të tija kërkojnë edhe ndërlidhshmërinë e katër pjesëve, apo, më qartë, ndërthurjen e katër momenteve më kruciale në jetën e një krijuesi të vyer:atë trupor, atë emocional, atë konjuktiv si dhe në atë shpirtëror. Ndërsa, duke u mbështetur në poetikën e këtij autori dramash, si dhe në hulumtimet tona të mëhershme mbi krijimtarinë e tij, mund ta themi se, opusin dramaturgjik të Ekrem Kryeziut e karakterizon një lloj ambivalente në krijimin e ndër-marrëdhënieve njerëzore, paçka se, mu kjo ambivalentë, në dramat si “Përqafimi”, ta themi, apo edhe Përplasjet e në veçanti “Lulëkuqet”, dalin mbi sipërfaqe edhe mendimet kritike të vetë autori si dhe bëhen një mori interpretimesh të dukurive të caktuara në shoqërinë tonë, me ç’rast, e kuptojmë se, pozita e intelektualit është një lloj shënjestre për akëcili sistemin politik, të të gjitha periudhave në të cilat ka jetuar dhe krijuar vet Ekrem Kryeziu.

Kjo na shpie tek analiza interesante e Riçard Sheknerit, gjegjësisht tek ajo që ai e quan antropologji e dramës dhe e teatrit e që është një studimi i sjelljes biologjike dhe kulturore të një personi në një situatë teatrale, domethënë një person që përfaqëson dhe përdor praninë e tij fizike dhe mendore sipas ligjeve që ndryshojnë nga ato të jetës së përditshme, siç është rasti edhe me Kryeziun qoftë si një ish i burgosur i ndërgjegjes, krijues i dramës dhe filmit apo edhe, thjeshtë një njeri nga Kosova që jeton dhe krijon në dy shekuj të ndryshëm.

Kjo, mbase është gjëja më kyçe që na ndihmon në të kuptuarit e domosdoshmërive që burojnë nga dramat e këtij autori qofshin ato tragjedi, apo edhe drama të utopisë intelektuale, siç, jo rrallë i përjetojmë dramat e Ekrem Kryeziut. Fundja, kjo ka të bëjë edhe me atë se si e kundrojmë dhe se si e perceptojmë vet ne botëkuptimin tonë mbi mitiken, mbi fisin apo edhe mbi ndonjë përkatësi tonën tjetër, që mund të jetë status individual, ideologji, grupim politik, etj, e të cilat, të thuash prore, edhe në shpirtin fragjil të intelektualëve siç është Kryeziu, ndërlidhet me një lloj të të menduarit utopik – qoftë atëherë kur flasim për pësimin mijëra vjeçar të shqiptarëve (që nga Komploti ilir e deri tek Viktimat e Tivarit), qoftë edhe tek mitet e kohës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë, e që nuk janë vetëm legjenda të zakonshme urbane të kohërave siç është kjo jona por drama të vërteta njerëzore me përplot indikatorë të realitetit të vrazhdët që vazhdojmë ta jetojmë.

Drama si ndikues i mbamendjës kolektive

Duke shkruar mbi këto utopi, dramat e Ekrem Kryeziut sikur na e krijojnë një bindje se, ky autor, jo që nuk krijon formula të zgjidhshme për problemet tona, por, është e qartë se, edhe vetë zhytet thellë e më thellë në vetë realitetin të cilin përpiqet ta shestojë dramaturgjikisht, pra, në përditshmërinë tonë, e ndonjëherë, madje, duke e zhvilluar poetikën e tij edhe përmes elementëve të cilët sot, në këndvështrimet e teorisë së postmodernës do të mund t’i cilësojmë edhe si rrethana të hiperealitetit tonë. Në këtë kuadër mendojmë se del mbi sipërfaqe edhe i ashtuquajturi nocion i utopisë retroaktive, për të cilin ka shkruar i pari, mbase, Romen Rolani duke sqaruar një fakt me peshë të posaçme se: kujtesa e vetë dramës dhe teatrit e mban utopinë e shumtë të botës. Rolani, sikundër edhe Zhorzh Banie, këtu flet për atë që ne, në dramat e Kryeziut mund ta identifikojmë edhe si utopi retroaktive, e që, mbase, do të mund të ishte një term frutdhënës në rrafshin e të kuptuarit të marrëdhënieve që i krijon në veprën e tij ky autor edhe me përmes një optike gati diskursive përmes së cilës, në dramat e tija, pasqyrohet realiteti objektiv, por ama edhe në ndërtimin e një koncepti të fuqishëm social dhe filozofik, që mëton të ketë ndikim edhe mbamendjen kolektive të popullit të cilit i përket vetë autori, e që, ndonjëherë del të jetë mbase një memorie, apo mbamendje jo rrallë e manipuluar përmes miteve të të tjerëve dhe pamjeve të mediatizuara që na janë imponuar nga të gjitha anët për vite dhe dekada në robëri.

Megjithatë, ajo që duket më e rëndësishmja në dramat e Ekrem Kryeziut për mua, ka të bëjë me faktin se ato ingranohen në një lloj trendi të cilin, në një mënyrë apo tjetrën, mbase edhe mund ta quajmë – një lloj i veçantë kujtesës sonë politike, e cila e kishte, dhe vazhdon ta ketë një qëllim parësor: t’i kundërvihet atij lloji të harresës që, ndonjëherë na vjen si percepcion i habitshëm, kur besojmë se edhe vetë politikat zyrtare të vendit tonë përpiqen që të na “edukojnë” politikisht, “kulturalisht” dhe “historikisht”, duke na bindur se tashmë ka kaluar koha që të flasim për robërinë, për vrasjet e ndodhura këtu, për dhunimet, për gjenocidin, për radikalizmin fetar, ngase ne duhet të ecim përpara pa ngarkesa dhe, mundësisht t’i harrojmë ato që u ka ndodhur. Në këtë politika jonë shtetërore ndihmohet bollshëm nga misionarët analfabet të UNMIK-ut, hileqarë të OSBE- së, prepotent të EU-së, ata të korruptuar të Eulex-it, serbofil të Këshillit të Evropës, të Komisioni Evropian, prokurorët tallava të Hagës apo edhe kjo Gjykata Speciale me dhoma të veçanta e që është një sajesë kundër shqiptarëve për ta gjykuar të drejtën dhe lirinë e një populli të tërë. Ç’teatër morbid, politik.

Kjo është ajo politikë të cilës i kundërvihet dramaturgjia e Ekrem Kryeziut, i cili, në opusin e tij dramaturgjik insiston të zgjedh dhe përzgjedh nga historia ato pjesë e cila më së lehti mund të risemantizohet edhe rrafshin mitik. E këtë e bënë që të na bëjë mos t’i harrojmë ato që janë aq të rëndësishme edhe për të ardhmen tonë – pra, ngjarjet esencialisht të domethënshme dhe frymëzuese për njerëzit e bashkëkohësisë sonë, madje duke i shfrytëzuar aty-këtu edhe figurat dhe personalitetet që, ndonjëherë nuk mund të ingranohen në “fotografitë e heronjve” zyrtar por që janë të tillë të çiltër dhe vetëmohues si heronjtë tragjikë të antikitetit.

Kryeziu këto figura që në shikim të parë na vijnë si njerëz të rëndomtë dhe gatigati ordiner, dhe ngjarjet nëpër të cilat riciklohen ata i mishëron në një mënyrë krejtësisht tjetër duke i shndërruar edhe në heronj të kohës sonë, që përpëliten mes kundërshtive që u bëjnë padrejtësive, përmes zërave kritik dhe refuzues ndaj realitetit zhgënjyes i cili e përcëllon keqas autorin, por edhe neve.

Për këtë arsye mund të them se, për mua, vepra dramatike e Ekrem Kryeziut është një lloj i kulturës politike nga poshtë lartë, pra që vjen nga margjinat e shoqërisë së cilës i përket autori, me përcaktimin e tij që si intelektual të qëndroj aty, e që është një kundërvënie e politikave kulturore dhe identitare të cilat klasa politike sot po përpiqet të na i imponojë duke na blasfemuar me mediokritetin e vetë dhe duke u përpjekur që të na sjell sjellë edhe shenja të reja të përkatësive dhe të identitetetit tonë, përmes semantikave të paqëndrueshme dhe të një etno-politike morbide e cila, seriozisht, e shqetëson këtë autor. Ta themi, te drama “Lulëkuqet” e Kryeziu, në një mënyrë krejt të veçantë, ky autor e synon dekonstruimin e miteve të reja, të cilat, ndonjëherë, habitemi se si u krijuan, kush i krijoi, apo edhe cili është kontributi ynë individual në krijimin e tyre. Me këtë rast, Ekrem Kryeziun e shquan përpjekja që përmes përpjekjeve demitizuese dhe krijimi të miteve të reja dhe jo rrallë edhe të gënjeshtërta – e që ndoshta as që janë mite synon ta ofrojë si dhe ta shpërfaq para audiencës një realitet fare ndryshe nga ai të cilin përpiqet të na e servirë pushteti.

Shi për këtë, në rileximin që u kam bërë veprave të këtij autori, veçanërisht më kanë zgjuar interesim dramat “Lulëkuqet” dhe “Përplasjet” që, personalisht më godasin dhe më vijnë si dy drama utopike. Janë këto drama të shkruara pas luftës së Kosovës dhe që, mbi të gjitha, vijnë si refleksion për gjendjen e një vendi në transicionin e dhembshëm dhe të frikshëm ndonjëherë siç ndodhë edhe në Kosovë.

Paçka se këto drama i kam lexuar edhe në dorëshkrim, dhe se më kishin bërë përshtypje këtu e një dekadë më parë kur kisha komunikuar për të parën herë me to dhe me personazhet e tyre tejet dramatike, besoj se, praktikisht, temat që trajtojnë ato, pas të gjitha përvojave jetësore që nuk po mundemi akoma t’i fusim në një valixhe të të shkuarës, mund të thuhet se pikërisht sot, disi na vijnë më të qarta dhe më të kuptueshme.

Kur e keqja mbi heronjtë e vërtetë nuk shqitet dot

Fati i veteranit të nëpërkëmbur të luftës, lufta makiaveliste për pushtet e “elitave” politike, si dhe lufta e egër që bëhet kundër tij, pra veteranit, në planin real dhe imagjinarë të botëve të ngjeshura që e kanë brumosur atë personazh, mendoj se është një reflektim vizionar i autorit mbi atë se, e keqja ndaj heronjve të njëmendtë të luftës sonë nuk do të shqitet asnjëherë dhe se lufta e tyre e drejtë nuk do të marrë fund asnjëherë, as në paqe. Dhe ky është zhgënjim.

Drama “Lulëkuqet” është dramë edhe mbi profiterët e luftës, batakçinjtë të cilët u stolisën si është më së miri me pushtetin dhe me të mirat që solli ai për atë kategori pas ngjarjes së madhe të kombit tonë në fundshekullin e kaluar kohë kjo që krijoi kënetën e madhe të kujtesës e cila i zhyti në llumin e turbullirës heronjtë e njëmendtë, ndërsa nxori mbi sipërfaqe: gjarpinjtë, hardhucat, bollat, picërrakët, krokodilët, hipopotamet, ujqërit, hienat, kameleonët, e kë jo tjetër!?

Shikuar edhe në aspektin kulturologjik, vepra dramatike e Ekrem Kryeziut e botuar në këto dy vëllime librash është e një rëndësie të madhe. Bile, vetë botimi dhe publikimi i veprave dramatike për opinionin kulturor në Prishtinë apo edhe në Tiranë paraqet një akt të një rëndësie të jashtëzakonshme ngase kështu bëhet e mundshme që, këto vepra, ta vazhdojnë një lloj të veprimit dhe të ndikimit edhe jashtëteatror por edhe të ekzistimit. Këto drama, në këtë mënyrë dalin nga efemeriteti, pra nga shkurtjetësia, apo edhe e përkohshmja, të cilën, ndoshta mund ta prodhojë akti teatror. Shi për këtë, mendoj se vepra dramatike e Ekrem Kryeziut, mbase, tek me këtë publikim të rëndësishëm që i është bërë, do ta ketë rastin që ta fitojë një lexim të ri dhe kreativ, e shpresoj edhe të atillë që, për gjatë e gjatë kohë do t’i ofroj dramat e tija me skenën dhe inskenimin e tyre.

Do ta shtoja edhe një gjë, këtu, se këto përmbledhjet e dramave të Ekrem Kryeziu e nxjerrin para nesh si një autor kompleks, regjisor dhe pedagog i shquar me shumë merita, ndërsa vetë vëllimet e dramave të tija, bashkë me prirjet tjera të tija artistike, polisemike, janë kontrapunktetë mira për njëra-tjetrën, ngase një regjisor i besueshëm dhe i pranueshëm për publikun në përgjithësi, siç është fjala me vetë Ekremin, apo Bacën Ekrem siç kam dëshirë t’i them për tre dekada të plota mikut tim, duhet të jetë poliedrik dhe polisemik siç është autori që na ka sjellë këto botime të veçanta dhe shumë të rëndësishme për teatrin dhe kulturën tonë në përgjithësi. Fundja, këto dy vëllime me drama të shkruara prej tij, përveç se grafikojnë një talent me temperatura vullkanesh të autorit, disident, na bëjnë të ndihemi më të plotë, më të begatë dhe, gjithsesi edhe e nderojnë kulturën dhe dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare në përgjithësi.

Tejkalimi i kornizave klasike në dramaturgji

Konceptet filozofike dhe risitë dramaturgjike në formë, të cilat i sjell profesori Ekrem Kryeziu në veprën e tij dramatike, janë përpjekje të pamohueshme as të vocklat e as të padomethënshme në letërsinë tonë dramatike. Ky autor, në mënyra të ndryshme, me fuqinë e tij shprehës dhe një lloj vetëbesimi, në dramat e tija, duke përfshirë këtu edhe dramën “I biri i Rozafës” , thuaja se i tejkalon kornizat klasike në dramaturgji, para së gjithash duke përdorur forma mjaft të guximshme dhe disi më radikale e cila fuqishëm përcakton konceptin e tij mbi vetë hapësirën.

E, hapësirën në dramën “I biri i Rozafës” Kryeziu disi sikur vizualizoi filmikisht, meqë kjo, siç mund ta kuptojmë që në fillimin e saj, është e stërmbushur me të ashtuquajturat plane të mëdha (gro), pastaj edhe me prerje të shpejta e gati-gati të befasishme, si dhe me veprime paralele e që ka ndikim të jashtëzakonshëm në vetë ritmin e dramës. Këtu nuk mungojnë as kuadro subjektive, dhe kështu me radhë.

Bile, dhe në planin tematiko-domethënës të dramës së tij, ky autor sikur ecën një hap tutje, ngase, përkrah temave të ashpra, por të zakonshme historike për këtë autor, të ashtuquajturave tema të rileximeve të mitit (reinterpretimi të tij, gërshetimi i miteve dhe legjendave përmes një strukturimi dhe formësimi të personazheve siç janë, bie fjala At Kerubini, Rozafa, Gjergj Elez Alia, Pjetër Bogdani, Arqipeshkvi Luciani, Mis Edit, Gjon Marku, etj.,) na tërheq përgjatë historisë shqiptare përmes një harku parabolik duke iu përafruar kështu koncepteve të Adlerit dhe duke u futur thellë në psikanalizën tonë.

Duke shfrytëzuar edhe mënyra natyraliste në narracionin e tij dramatik dhe duke varguar kështu në veprën e tij edhe një numër të madh të motiveve poetike, metaforike, alegorike, e që jo rrallë dalin të jenë hove tronditëse Kryeziu krijon një dramë me motive të lashta, por që i flet qartë bashkëkohësisë sonë. Kjo efektshmërinë më të madhe e arrin përmes një dialogimi të personazheve që shndërrohet në debate të fuqishme të personazheve të vetë dramës dhe që “lundron” përmes një gjuhe vërtetë imagjinatave dhe të guximshme skenike të autorit.

Shfrytëzimi i përparësive të dramaturgjisë së filmit, të cilën Kryeziu e njeh mirë

Në dramën “I biri i Rozafës” Ekrem Kryeziu e konfirmon atë që, është një prej shenjave dhe karakteristikave kryesore të gjithë opusit të tij dramaturgjik: dialogun e shtruar dhe eliptik; me kthesa të shpejta dhe të papritura; me konstatime të shkurtra, të heshtura ndonjëherë që vijnë si psherëtima të Popullit (si personazh në këtë dramë); por, jo rrallë, edhe me pauza dhe heshtje të dhembshme.

Duke e shfrytëzuar përparësitë e dramaturgjisë së filmit, të cilën Kryeziu e njeh mirë dhe të cilën, kryekreje e dëshmoi madje që tek “Epoka para gjyqit”, ky autor del se është i aftë të na e dëshmojë se njerëz të ndryshëm nga kohë dhe vende të ndryshme (po deshëm edhe nga gojëdhëna, mite dhe legjenda të ndryshme) mund të kenë të njëjtat brenga, të njëjtat shqetësime dhe të njëjtën dhembje. Kjo, në fakt mund të quhet edhe momentumi rapsodik i dramës “I biri i Rozafës” së Ekrem Kryeziut, paçka se ky autor e synon gjetjen e të vërtetës së tij filozofike, poetike, letrare dhe historike, të fatkeqësive shqiptare ndër shekuj, të cilat qëndrojnë mbi kokën tonë, pra mbi astral, si mallkim mitik i shqiptarëve, e që shpalohet palë-palë para nesh si një kaleidoskop. Kjo i jep mundësi autorit të dramës që të dyzojë personazhet e veprës së tij me realitetin tonë të të trisht në të cilin realitet ndërtohet unitetet mu sipas mësimeve të Aristotelit, dhe duke integruar me sukses hapësirën, veprimin dhe kohën dhe duke i vënë në lëvizje personazhet mes botës reale dhe asaj ireale. Këtë e gjejmë madje që në krye të dramës, tek pjesa hyrëse e narratorit të cili kryeziu e quan Folësi, pra oratori i cili përmes altoparlantit thotë:

Ngjarjet që do t’i shikoni sonte ndodhin në kohë të kaluar që në të njëjtën është edhe kohe e tashme…

Në këtë shfaqje, si në jetën tonë, vështirë dihet ku përfundon e kaluara e ku nis e sotmja.

Ashtu të ndërlidhura na mjegullojnë të të menduarit sa që vështirë kuptojmë se cilën kohë po e jetojmë…

Cila kohë po lindet nga koha që po jetohet…

Cila kohë po jetohet…

E kaluara apo të tashmja?

Sa është e tashmja e tashme?

Sa është e kaluara e kaluar?

Sa vdes njëra, sikur ringjallet tjetra…

Të lidhura nyje njëra me tjetrën

Si nata me ditën…

Si dita me natën…

Rrënimi nis me vdekjen e Skënderbeut.

Rrënimin e kështjellave tona.

Historisë sonë

Në këtë kohë, të pa kohë, nisen shpërnguljet shqiptare…

Shpërnguljet e mëdha nga fushat në male.

Nga toka e Arbrit.

Përtej detit.

Ngjarjet si shtjella zhbirojnë kujtime…

(…)

Siç do ta vëmë re, thuaja se, përgjatë gjithë dramës, marrëdhënien e tij kritike karshi realitetit që na e ofron Ekrem Kryeziu në shumicën e dramave të tija, veçanërisht, në mënyrë shumë të mprehtë, tek drama “I biri i Rozafës” , vepra, në fakt, mbi të gjitha, mund të konsiderohet si një refleksion intelektual i këtij autori, dhe jo vetëm. I autorit i cili shpërfaqë idetë dhe vizionet e tija letrare artistike dhe politike karshi asaj që u ka ndodhur bashkëkombësve të tij përgjatë historisë, e në veçanti në tridhjetë e pesë vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe të këtij fillimshkeulli, kur vetë autorin e “gjejmë”: herë si protagonistë, e herë si antagonistë në një vend kur barbarët po bënin përpjekje të rrënonin dhe të shkatërronin çdo vlerë madje edhe mitet dhe legjendat e shqiptarëve që ishin ndërtuar në disa mijëra vjeçar të tërë duke i vjedhur dhe keqinterpretuar në dëm të shqiptarëve.

Shi për këtë, qëllimi i këtij autori ishte edhe ai, që të na tregojë se si u ndodhën shqiptarët në një situatë të tillë. Apo edhe ta ngre dilemën se: si u futën në atë vorbull të peshkves që djeg dhembshëm për kaq qindra e mijëra vjet dhe a është e rastësishme kjo!?

Drama e paramenduar që të zgjojë reaksioni të rojtarëve të traditës, qoftë si libër apo edhe shfaqje teatrore

Në këtë dramë të Kryeziut, përveç zbërthimit të diskursit të tij dramatik, përmes ideve të tija artistike zhvillon edhe një proces të mundimshëm artistik, dhe jo vetëm, por edhe të krijoj një mjet, kryekreje, të fuqishëm të komunikimit me publikun, përmes të cilit ka për qëllim t’i përçojë vizionet e tija estetike, etike, politike, filozofike e mbi të gjitha ato nacionale duke bërë përpjekje që të arrijë, disi, tek “zbulimet e tija interesante” të cilat, ndonjëherë i ndihmojnë që edhe përmes një distance ironike të flasë për nevojat e rilindjes së traditave popullore te ne, nëpërmjet ndërtimit dhe të mbindërtimit të miteve dhe të legjendave, të autokracisë, gënjeshtrës së madhe të cilat disi të shpijnë deri në izolim nacional dhe nihilizëm. Tek një izolim i cili po na ngulfatë si komb edhe sot e kësaj dite.

Ky proces i qasjes antropologjike të autorit, është i simbolizuar përmes skenave të At Kerubinit një keqbërësi agresiv dhe të pamëshirshëm; harbut, kriminel dhe të cilit qëllimi ia arsyeton akëcilin mjet (Makiaveli). Ky personazh, mendoj se tërë dramën e Kryeziut e shndërron në një akt-laboratori me dimensione alegorike, me një paraqitje metaforike të lindjes së diktaturës fashiste të fundit në Evropë (pra të asaj serbe) dhe të kriminelëve të sojit të Millosheviqit,të Sheshelit, të Vuçiqit, të Daciçit, të Karaxhiqit, të Mlladiqit, të Stanishiqit, të Simatoviqit apo Arkanit, (por edhe të spiunëve dhe keqbërësve vendor – shqipfolës – që, për fat të keq, nuk na kanë munguar asnjëherë në histori), e që ishin autorë të aq tragjedive njerëzore, specifikishtpërgjatë të tetëdhjetave dhe të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar e që i shkaktuan plagë dhe ankthe të madha edhe autorit Ekrem Kryeziu, të cilat ai u përpoq t’i nxjerr si ndonjë psiko-terapi, përmes dramës dhe teatrit të cilët e kanë edhe këtë funksion shoqëror dhe individual.

Mendoj se drama “I biri i Rozafës” nga E. Kryeziu është paramenduar ashtu që të zgjojë një lloj reaksioni të rojtarëve të traditës, qoftë si libër apo edhe shfaqje teatrore (nëse nuk do ia ndalojnë Kryeziut të punojë në teatër, siç po e bëjnë sot), paçka se, si gjithmonë në rastin e profesor Ekremit, asgjë nuk është ashtu sikur mund të na duket në shikimin e parë. Sepse, edhe kjo dramë, në bazë të analizës antropologjike të dramës, sikurse edhe drama tjetër e këtij autori, “Komploti ilir”, jo vetëm që i dekonstruojnë mitet e moçme shqiptare dhe ato ballkanike, por edhe e bëjnë shpalosjen e trashëgimisë tonë mitike si dhe të asaj historike që shndërrohen në  bazament të procesi të nisur e i cili sikur nuk përfundonderi në përmbylljen e tij. Kjo, domosdo, paraqet edhe një shqetësim shtesë edhe për lexuesin e veprës, për shikuesin e shfaqjes në një të ardhme, sikundër edhe për vetë autorin e dramës. Drama “I biri i Rozafës” i rishqyrton temat më të ndjeshme nacionale në një metaplan të vetëm, në fushën e metalinguistikës.

Për ta sqaruar këtë që e thamë besoj se mund të shërbehemi me parathënien e tij të dramës “Ballkoni” të Zhenesë, me ç’rast ai e tërheq vërejtjen se artisti apo poeti nuk e ka për detyrë që ta gjejë zgjidhjen faktike të problemit të të keqes, por vepra e tij duhet të jetë një eksplodim i fuqishëm, akt pas të cilit publiku do të reagojë ashtu siç mundet dhe siç dëshiron. Nëse çështja morale mbi marrëdhënien e të mirës dhe të keqes zgjidhet mbi dërrasta e skenës, atëherë ajo vërtetë mund të zgjidhet. “Ndërsa kur e keqja shpërthen në skenë, ajo na zhvesh tërësisht, na e humbë besimin dhe strehimin do ta gjejë vetëm në neve”, thotë Zhene.

Ndërsa, për t’u kthyer diku në fillim të kësaj analize, mund të thuhet edhe se, kjo vepër e Kryeziut mbetet në fushën e dukurisë, me një thellësi të konsiderueshme të metaforizmave, si përpjekje serioze që ta zbërthejë shtresimin e saj, fijet e tundimit ekzistencialist të cilin disi na e shkakton vepra kur ta lexojmë. Fakti se Ekrem Kryeziu shkruan pjesë “të gjalla”, polemike dhe me ide të fuqishme e të kapshme politike, gjegjësisht të disa tendencave ideologjike, në epiqendër të së cilës e vë bazamentin e lirisë së njeriut, ky, faktikisht e kuptojmë se ky ia del që ta përshkruaj një realitet të sotëm objektiv dhe subjektiv në të cilin ekzistenca e njerëzve arrin deri tek kufi një e të qenit, si dhe të absurdit në një rrethim të plotë dhe totalitar.

Premisa fillestare e këtij autori që nga jeta të marrë tema që hapën përmes diskursit antropologjik, do të thotë përmes rrëfimtarisë popullore – miteve dhe legjendave, e që janë thelbi i jetës aktuale, gati pahetueshëm na futë në një mënyrë domethënëse të të menduarit alegorik dhe të atij metaforik.

Niçeja do ta shkruaj diku, diçka, mbi të mirat dhe të këqijat e historisë; mbi atë se si krahasimet historike mund të jenë joshëse edhe mashtruese, nga vetë fakti se, teprimet në histori do ta dëmtojnë vetë njeriun. Nga ana tjetër historia i përket vetë njeriut aktiv dhe të fortë, mendon F. Niçe, pra atij që zhvillon luftë të mundimshme; atij që ka nevojë për idhuj, mësues, por edhe ngushëllues, e të cilët nuk mund t’i gjejë në mesin e miqve të tij dhe sot.

Dhe, pikërisht për këtë arsye se drama “I biri i Rozafës”e Ekrem Kryeziut gjejmë se ngërthen në vete këtë fuqi dhe ajo për këtë do të luajnë edhe një rol tjetër jashtë diskursit estetik dhe të atij poetik: që të na kujtojnë se sa janë hequr shqiptarët shekullin e shkuar dhe si i shpëtuan shfarosjes nga gjenocidi serb.

Kjo mbase është një prej arsyeve kryesor se përse më pëlqen drame e Ekrem Kryeziut. Ajo nuk na lë as shpirtin as mendjen e as mbamendje të flenë. Përpara ecin vetëm të zgjuarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Prof. Dr.Lluka HEQIMI Pirro ta duash Greqinë, por ne…