Eksperti nga Kosova, Vehbi Spahiu merr pjesë në projektin evropian për zbatimin e Direktivës së zogjve në aeroportet e Evropës

05 qershor 2025 | 12:36

Vehbi Spahiu, inspektor i mbrojtjes së natyrës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në një projekt të rëndësishëm ndërkombëtar, i cili është organizuar nga rrjeti evropian për zbatimin e ligjeve mjedisore-IMPEL.

Projekti i titulluar: “Implementimi i Direktivës së Zogjve në Aeroportet e Evropës”, kishte për qëllim vlerësimin dhe shkëmbimin e përvojave në lidhje me menaxhimin e botës së egër, përkatësisht zogjve në mjediset aeroporteve dhe habitateve për rreth, një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ajrore dhe mbrojtjen e biodiversitetit.

Gjatë realizimit të projektit (viti 2022-24), inspektori Spahiu dhe ekspertë të tjerë evropianë kanë vizituar 21 aeroporte në vende të ndryshme, përfshirë: Greqinë, Italinë, Danimarkën, Belgjikën, Austrinë, Irlandën, Rumaninë, Portugalinë dhe Francën.

Aeroportet e vizituara përfshinin edhe aeroporte ushtarake, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar teknikave të kontrollit të shpendëve në kushte të veçanta operacionale.

Ekspertët kanë pasur mundësinë të shohin nga afër një sërë teknikash, si përdorimi i pajisjeve akustike dhe vizuale për trembjen e zogjve, monitorimi me radarë apo dronë, si dhe praktika për zvogëlimin e zonave tërheqëse për shpendët rreth pistave të fluturimit.

Në disa raste janë demonstruar edhe zgjidhje inovatore, si mbulimi i zonave ujore me toptha plastikë për të parandaluar grumbullimin e shpendëve.

Ky projekt është përmbyllur me mbajtjen e një konferencë në Aeroportin e Parisit “Paris Orly”, ku në këtë konferencë kanë marrë pjesë 45 pjesëmarrës të shteteve të ndryshme të Evropës.

Pjesëmarrja e ekspertit nga Kosova, Vehbi Spahiu në këtë projekt përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në drejtim të afrimit të politikave dhe praktikave mjedisore të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën kohë, kjo përvojë ofron mundësi të reja për përmirësimin e monitorimit të biodiversitetit dhe rritjen e sigurisë në zonat e aeroporteve të vendit tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet kineze kanë paralajmëruar se përmbytjet në pjesën veriore të…