Eksperti sllovak: Kosova më e mirë se që dëshmon renditja e FIFA-s
Kosova është më e mirë se që e ka aktualisht pozitën në renditjen e FIFA-s. Kështu ka thënë eksperti sllovak i futbollit, Ladislav Borbely.
Është mediumi sllovak “Pravda” që e ka intervistuar Borbelyn, të cilin e ka prezantuar si ekspert futbolli.
Kosova aktualisht është e 79-a në ranglistën e FIFA-s, derisa Sllovakia është e 44-a.
“Dy ekipet janë të balancuara në kuptimin e vlerës, dy apo tre milionë nuk bëjnë dallimin. Jemi më mirë në ranglistën e FIFA-s, por kjo nuk tregon shumë. Kosova është në rritje të madhe. Pozita e saj është larg prej përfaqësimit të forcës momentale. Është shumë më e madhe, e ngjashme me tonën”, ka thënë Borbely.
Ai ka thënë se e ka studiuar Kosovën. Dhe nxori përfundime interesante.
“Është ekip i talentuar nga Ballkani, me elemente të mentalitetit gjerman. Falë përzgjedhësit Franco Foda ia doli të bëjë përmirësime në elementet natyrale, që ia mundësojnë të konkurrojë në nivelin evropian”.
Ish-trajneri i shumë skuadrave ka theksuar se Kosova ka veprime racionale dhe zgjedh situatat me pragmatizëm. Lojën e Kosovës e ka cilësuar stabile.
Ai nuk pret që lojtarët e Kosovës të hyjnë në ndeshje me rrëmbim dhe më emocional se që duhet. Thotë se Foda do të kujdeset për këtë.
Borbely shpreson që shqiponja dykrenare mos të fluturojë mbi Bratislavë, por ka thënë se është vështirë të parashikohet favoriti.



