Ekspozita e Gashit për Masakrat në Kosovë, Hetemi: Duhet kujdes maksimal, përndryshe mund të shkaktohen dëme të pariparueshme
Pas pasaktësive të evidentuara në ekspozitën për masakrat në Kosovë, e cila më pas u tërhoq, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, i ftuar në `RTK Prime` tha se dokumentimi i krimeve të luftës duhet të mbështetet në metodologji strikte, verifikim të shumëfishtë të burimeve dhe qasje njerëzore ndaj viktimave dhe të mbijetuarve.
Në këndvështrimin e tij për atë që ndodhi, Hetemi tha se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka prioritet çështjen e dokumentimit përmes një metodologjie që nuk fokusohet vetëm te statistikat dhe emrat, por edhe te ngjarjet në përgjithësi.
“Metodologjia për dokumentimin dhe verifikimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ka qenë njëri prej dokumenteve të para pas Ligjit të Institutit, i cili është dizajnuar, pastaj aprovuar dhe ka filluar që të aplikohet në Institutin e Krimeve të Kryera të Luftës në Kosovë. Është një dokument kredibil, se nuk është që e kemi punuar vetëm vetë, por është hartuar në bashkëpunim me akterë të ndryshëm, respektivisht në momentin kur është punuar drafti i parë i metodologjisë, i cili i parasheh në mënyrë të detajuar dhe hap pas hapi çështjen e identifikimit, mbledhjes, verifikimit, përpunimit, arkivimit të dokumenteve, pastaj dhe publikimit të tyre, janë ftuar në diskutime të hapura përfaqësues të institucioneve akademike, të shoqërisë civile, të mediave dhe të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë punuar më herët në procesin e dokumentimit”, deklaroi Hetemi.
Hetemi tha se procesi i dokumentimit dhe verifikimit duhet të trajtohet me kujdes maksimal, në mënyrë që të dhënat e publikuara të jenë sa më të sakta dhe të besueshme.
“Është më shumë se e domosdoshme që procesi i dokumentimit dhe i verifikimit të shihet, siç thotë populli, me llupë, në mënyrë që kur të dalin me të dhëna, ato të jenë sa më kredibile që është e mundur. Instituti nuk pretendon që të jetë i pagabueshëm, por është obligim i yni edhe ligjor, por edhe mandat dhe mision, që të dhënat që publikohen nga ana e institutit të jenë sa më të verifikuara, sa më të dokumentueshme dhe të jenë të verifikuara mirëfilltë”, tha Hetemi në ‘RTK Prime’.
Më tej, ai theksoi se Instituti është duke finalizuar databazën e viktimave të luftës dhe se për secilën viktimë përdoren burime të shumta verifikimi.
“Për momentin jemi duke punuar në finalizimin e databazës së viktimave të luftës në Kosovë. Vetëm për një viktimë, instituti ka përdorur minimumi 8 burime për ta verifikuar nëse viktima e cila gjendet në databazë është viktimë e luftës, por edhe rrethanat në të cilat e ka humbur jetën. Nuk mund të bazohemi në asnjë mënyrë në një burim të vetëm, pa marrë parasysh nëse ai është kredibil apo jo, por duhet që të ketë edhe burime të tjera, në mënyrë që procesi i dokumentimit të jetë sa më kredibil, sa më i besueshëm, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me statistika, por kemi të bëjmë me viktimat e luftës, me të mbijetuar dhe familjarë të tyre, të cilët pastaj mund të indinjohen se një gjë e tillë nuk është bërë mirëfilli”, theksoi Hetemi.
Ai tregoi edhe disa nga burimet kryesore që janë përdorur gjatë hartimit të databazës së viktimave të luftës në Kosovë.
“Disa prej burimeve kryesore që i kemi përdorur gjatë dizajnimit të databazës së viktimave në Kosovë janë edhe databazat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, pastaj databaza të tjera të publikuara, të dhëna nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, nga Agjencia e Regjistrit Civil, Agjencia e Statistikave të Kosovës e të tjera”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
Sipas Hetemit, metodologjia strikte duhet të ndiqet para se të nxirret një përfundim apo të publikohet një e dhënë.
“Duhet të ndiqet metodologjia strikte para se të arrijmë në një konkluzion apo para se diçka të publikohet. Metodologjia është bazamenti kyç në procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Nuk mundemi në asnjë mënyrë të arrijmë te një dokumentim i mirëfilltë nëse nuk e prioritizojmë aplikimin e metodologjisë së duhur gjatë këtij procesi”, tha tutje ai.
Hetemi theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës nuk është vetëm proces administrativ, akademik apo kulturor, por para së gjithash një proces human që kërkon qasje njerëzore dhe përgjegjësi.
“Është shumë e rëndësishme që, për dallim prej çfarëdo hulumtimi tjetër, kur kemi të bëjmë me hulumtime dhe dokumentime gjatë luftës së Kosovës, ta kuptojmë një gjë që është shumë elementare dhe bazike: procesi i dokumentimit nuk është një proces administrativ që mund ta bëjë një institucion, një OJQ, nuk është domosdoshmërisht as një proces akademik që mund të bëhet për këtë qëllim. Nuk është as një proces puro kulturor që të bëhet një ekspozitë ose një film, por shumë ma shumë është një proces human, i cili duhet të ketë qasje shumë njerëzore”, theksoi drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
Përveç elementeve profesionale, si metodologjia, Hetemi tha se në dokumentimin e krimeve të luftës duhet të merret parasysh edhe elementi human dhe njerëzor, pasi përndryshe mund të shkaktohen dëme të pariparueshme ose irritim tek të tjerët, duke theksuar se kjo mbetet përgjegjësi e të gjithëve që japin kontribut në këtë drejtim.



