Elezaj takoi Kurtin: Klina, shembull i mirë i menaxhimit të situatës së Covid-19

08 prill 2020 | 13:06

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, sot ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrat Hykmete Bajrami, Arben Vitia dhe Emilija Rexhepi.

Kryetari Elezaj e ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjatë kësaj kohe të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Elezaj e ka informuar kryeministrin për masat e ndërmarra nga komuna kundër përhapjes së virusit dhe përgatitjet që janë bërë nga shtabi i emergjencës dhe në veçanti për punën nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, policia dhe Qendra për Punë Sociale.

Kryetari Elezaj ka theksuar se Klina megjithëse është komuna e parë ku është konfirmuar pacienti zero, duke ju falënderuar masave të ndërmarra dhe kujdesit dhe vetëdisiplinës që po tregojnë qytetarët gjatë kësaj kohë, ka ndikuar shumë pozitivisht në mospërhapjen e virusit në Klinë.

Ndërsa kryeministri Kurti ka falënderuar kryetarin për pritjen dhe e ka përgëzuar për masat e ndërmarra, të cilat kanë qenë shumë pozitive.

Më tutje, Kurti ka bërë thirrje të respektohen këshillat e ekspertëve shëndetësore, që të mbahet distanca dhe higjiena, në mënyrë që lakorja e shpërndarjes së Covid-19 të shtyhet sa më shumë në kohë dhe ngritja e saj të bëhet sa më e paktë, në mënyrë që ta parandalohet kjo pandemi.

Në fund, kryetari Elezaj ka theksuar me sfidat me të cilat po përballet komuna dhe qytetarët, si problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe nevojën e përfshirjes të punëtorëve të KRM “Ambienti” në pakon emergjente.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që është dashur…