Elezi: 88 për qind e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pothuajse ka arritur të dërgojë të gjitha pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ, përmes operatorit ekonomik.
Sipas tij, nga dita e martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri të mërkurën në mesnatë, janë shpërndarë 88 për qind e pakove me fletëvotime.
“Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës”, ka thënë Elezi për “Express”.
Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1,941 pakot tjera, por që kjo s’ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.



