
Elezi i KQZ-së: Jemi në përgatitje të zgjedhjeve lokale, s’kemi diskutuar për zgjedhjet e reja nacionale
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se ky institucion është duke i ndërmarr të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 dhjetor.
Ai ka treguar se KQZ-ja nuk ka diskutuar për zgjedhjet e reja nacionale.
Në një prononcim për “RTV21”, ai ka deklaruar se KQZ-ja është duke e zbatuar agjendën e saj.
“Të them të drejtën KQZ nuk është se ka diskutuar për përflitjet nëpër media ose opinione të ndryshme që shfaqen më media për një proces të ri zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe natyrisht në këtë drejtim as nuk ka diskutuar për një proces të ri zgjedhor apo impaktin që mund të ketë. E gjithë puna e KQZ-së në këtë kohë është e orientuar në organizimin e zgjedhjeve lokale që kërkon shumë angazhim meqenëse janë dy lloje të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe kuvendeve komunale. Së shpejti do të hapet edhe periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim dhe për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet lokale numri i kandidatëve është shumëfish më i lartë dhe ka specifika dhe një ngarkesë në organizim dhe e gjithë puna e KQZ-së është e orientuar në këtë drejtim”, është shprehur Elezi.