Elezi i KQZ-së: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë

17 tetor 2021 | 08:37

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në konferencën për media të KQZ-së tha se të gjitha qendrat e vendvotimit në tërë Kosovën janë hapur me kohë.

Ai tha se deri më tani nuk është raportuar ndonjë parregullsi.

“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale”.

Zëdhënësi i KQZ ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar”, tha Elezi.

Me qëllim të informimit, KQZ do të mbajë disa konferenca, në ora 11:30, 15:30 dhe 19:30.

“Gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve preliminare, do t’iu njoftojmë me kohë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të shtatën herë që nga shpallja e pavarësisë, Maqedonia…