Eliminohen Partizani dhe Laçi

12 shkurt 2020 | 16:25

Kupa e Shqipërisë e ka mbyllur fazën e 1/16-ve teksa janë përcaktuar edhe tetë skuadrat që do të avancojnë më tej dhe do të përballen sipas shortit dhe rrugëtimit të vendosur në fazën çerekfinale të saj.

Befasia e madhe ka ardhur nga “Elbasan Arena”, aty ku Partizani ka mundur Besëlidhjen 3-1 me tripletën e Telushit, por që nuk ka mjaftuar, pasi lezhjanët shënuan të parët me Hajdarin dhe duke u nisur nga fitorja e tyre 3-0 në Lezhë, kampionët e Shqipërisë braktisin kështu kompeticionin. Ndeshje e dyluftuar dhe e bukur edhe në Laç, aty ku kurbinasit gjetën dy gola që rihapën gjithçka pas humbjes 2-0 në Ballsh.

Por, Bylis gjeti forcën për të reaguar dhe shënoi me Hidi dhe Guindo, ndërsa në fund kurbinasit realizuan edhe golin e 3-2, por që nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Fitore e lehtë për Tiranën, Kukësin, Skënderbeun, ndërsa Vllaznia pas 2-2 në shtëpi arriti sukses në Vlorë ndaj Flamurtarit, duke mundur kuqezinjtë 2-0 me golat e Silvio Rodrigues.

Eliminohet edhe Luftëtari pas barazimit 0-0 ndaj Apolonisë. Teuta përmbysi Erzenin 2-1, pasi miqtë shënuan të parët. Edhe durrsakët avancojnë. Sa i përket fazës së ardhshme çerekfinale, ja çifte e përcaktuara te Grupi A dhe B: Tirana-Besëlidhja, Teuta-Vllaznia, Skënderbeu-Bylis, Kukësi-Apolonia. /Telesport/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka…