Eliza Hoxha pritet nga Agim Ademi – FFK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt në Prishtinë
Përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka zhvilluar sot një vizitë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ku është pritur nga kryetari i saj, Agim Ademi.
Takimi u zhvillua në prag të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e unitetit shoqëror dhe për rolin që sporti, në veçanti futbolli, ka pasur dhe vazhdon të ketë në forcimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës.
Eliza Hoxha falënderoi kryetarin Ademi për pritjen dhe për gatishmërinë që komuniteti sportiv të jetë pjesë e mobilizimit qytetar për drejtësi dhe dinjitet.
“Sporti ka qenë gjithmonë një prej shtyllave më të forta të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Futbolli na ka bashkuar në momentet më të vështira dhe na ka dhënë krenari në kohë sfidash. Sot, kur kërkojmë drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët tanë, është e rëndësishme që i gjithë spektri shoqëror të qëndrojë i bashkuar,” u shpreh Hoxha.
Ajo theksoi se marshi i 17 shkurtit është një iniciativë qytetare, përtej çdo përkatësie politike.
“Kjo është një thirrje për unitet, për drejtësi dhe për respekt ndaj historisë sonë. Është një marsh i qetë dhe dinjitoz, që i përket popullit,” shtoi ajo.
Nga ana e tij, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, theksoi rëndësinë e bashkimit rreth vlerave kombëtare dhe rolit që sporti luan në forcimin e ndërgjegjes kolektive.
“Futbolli i Kosovës ka lindur në kohë të vështira dhe ka mbijetuar falë unitetit dhe sakrificës. Sporti është urë bashkimi dhe bartës i krenarisë sonë kombëtare. Çdo iniciativë që synon ruajtjen e dinjitetit dhe unitetit të qytetarëve meriton respekt dhe mbështetje. FFK do të jetë në mbështetje të këtij marshi” u shpreh Ademi.
Takimi u zhvillua në frymë mirëkuptimi dhe përkushtimi ndaj vlerave që bashkojnë qytetarët e Kosovës, në prag të 17 shkurtit, kur pritet që mijëra qytetarë të mblidhen në Prishtinë për marshin “Drejtësi, jo politikë”.
Platforma “Liria ka Emër” vazhdon takimet me përfaqësues të institucioneve dhe segmenteve të ndryshme të shoqërisë, në funksion të mobilizimit qytetar dhe forcimit të mesazhit për drejtësi dhe dinjitet kombëtar.



