Elmi Reçica përkujton Adem Demaçin në 90-vjetorin e lindjes: “Një emër, një amanet – rruga e idealit vazhdon”
Ish i burgosuri politik dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Adem Demaçin, në 90-vjetorin e lindjes së tij.
Reçica ka bërë homazhe pranë varrit të Demaçit, duke theksuar peshën e kujtimit dhe përgjegjësinë për ta çuar përpara amanetin e tij.
“Pranë varrit të nderit të kombit, Adem Demaçi, së bashku me Petrit Ethemin, djalin e Fahredin Ethemit – Ladës, ndjemë edhe një herë peshën e kujtimit, përgjegjësinë e amanetit dhe vazhdimësinë e një rruge që nuk ndalet.
Petriti ka trashëguar emrin tim të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe mbart me vete trashëgiminë e një familjeje që i ka shërbyer atdheut me përkushtim të rrallë. Babai i tij, Lada, ishte fotograf i Bacës Adem në vitet më të vështira të vendit tonë. Ishte dëshmitar me aparat në dorë i sakrificës, qëndresës dhe shpresës sonë kolektive. Ai ishte mik i shtëpisë së Bacës, njeri me zemër të madhe, atdhetar i palëkundur dhe mbështetës i vendosur i rrugës së shtetndërtimit.
Së bashku me familjen e tij, u përkujdesën me nder e respekt për Bacën Adem, duke dëshmuar besnikëri dhe vlera të larta njerëzore e kombëtare. Sot, kur brezi i ri vazhdon të ecë me dinjitet, kujtojmë se idealet nuk janë vetëm histori, ato janë përgjegjësi.
Një emër. Një amanet. Një miqësi e shenjtë. Rruga vazhdon, për atdheun dhe për idealin që nuk shuhet”, ka shkruar Reçica në përkujtimin e tij.




