
Elshani: Policia kërkoi asistencë nga FSK-ja, erdhën me leje të KFOR-it
Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë operacionin e kërkim shpëtimit në Ujman, në kërkim të trupit të mërgimtarit 33 vjeçar, i cili u hodh në këtë liqen pasditen e së dielës.
Në lidhje me këtë është deklaruar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se ishte kërkesë e Policisë së Kosovës që FSK-ja të vie për asistencë.
“Procedura është e tillë që ne fillimisht vijmë në vend të ngjarjes, zakonisht ne qëllojmë të parët këtu pas qytetarëve dhe policët kanë qenë këtu në këtë parking kur ka ndodhë rasti. Ne i kemi kërku zhytësat që të vijnë, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, mandej nëpërmjet hierarkisë sonë komanduese, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë ne kërkojmë asistencë për zhytësa. Pastaj Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkon nga FSK-ja asistencën për zhytësa”, tha Elshani për mediumin Mitropol.
“Kështuqë ka qenë kërkesë e PK-së që me ardhë këta njerëz këtu. Këta siç po i shihni tash janë këtu”, tha mes tjerash ai.
Elshani mes tjerash tha se meqë FSK janë këtu bashkë me KFOR-in, nënkuptohet vetvetiu që kanë ardhur me lejen e tyre.
Numri dy i policisë në veri, po ashtu konfirmoi që Policia ka barkat e tyre që ndodhen aty me pajisjet adekuate dhe ndodhen bashkë me zhytësit dhe tash edhe me FSK-në.
“Ne kemi kërku gjatë gjithë kohës por s’ishim të suksesshëm për gjetjen e tij. Shpresojmë që të paktën tash bashkë me FSK-në të gjejmë trupin në mënyrë që familjarëve t’iu largohet të paktën gjysma e dhimbjes”.