Emil Lafe dhe “Fjalori enciklopedik shqiptar”

24 shtator 11:49

Prof. dr. Emin Kabashi
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Këshilltar shkencor

(Me rastin e 80-vjetorit të lindjes)

Përkufizimi

Një vepër e përmasës kombëtare, pra që mëton të japë në thellësi dhe në gjerësi, udhët e historisë së një kombi, doemos për të krijuar vlerë, kërkon angazhim të mirëfilltë të të gjithë të diturve të atij kombi, në kohën e dhënë dhe në hapësirën ku realizohet.

Mund të thuhet prandaj, “Fjalori enciklopedik shqiptar”, në tri vëllime, marrë në përgjithësi, ka përmbushur këtë kërkesë, qoftë me përmbajtjen, qoftë me shtrirjen, qoftë me cilësinë e shqyrtimit.

Bartëse e këtij projekti të madh kombëtar, ishte Qendra e Enciklopedisë shqiptare, siç quhej atëherë, e cila veprimtarinë e saj e zhvillonte në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Brenda kësaj bërthame shkencore, njeriu më meritor për përfundimin e një punë kaq të madhe dhe kaq të mundimshme, ishte dijetari dhe profesori i palodhshëm, Emil Lafe.

 Hyrje

“Fjalori enciklopedik shqiptar”, ashtu siç e kanë shpjeguar edhe hartuesit e tij, për herë të parë përfshinte gjithë trashëgiminë kombëtare, pa marrë parasysh kufijtë ekzistues politikë, që edhe sot ndajnë kombin shqiptar.

Do të thotë, ishin krijuar kushte dhe rrethana të reja, sidomos pas rënies së Murit të Berlinit, sidomos pas zhbërje së perandorisë ideologjike komuniste të Bashkimit Sovjetik, sidomos pas luftës me përmasë kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë rrjedhë ishin krijuar rrethana të reja, ishin krijuar përbërës të rinj, edhe në planin e historisë kombëtare të shqiptarëve, gjë që kërkonte edhe qëndrim të ri, metodologjik dhe metodik, pragmatik dhe gjithëpërfshirës, kuptohet aq sa mund të arrihej përfshirja e të gjitha institucioneve shkencore dhe kulturore në hapësirën shqiptare, si dhe aq sa mund të përfshiheshin kuadro të gatshme për angazhim në realizimin e një projekti të këtillë kombëtar.

Në këtë veprimtari të gjerë dhe të çmueshme kishte edhe kurthe e prita, kishte edhe vënie kushtesh dhe shantazhime, kishte edhe cinizëm e mjerim intelektual, që doemos pengonte ecurinë normale të rrjedhës së kësaj veprimtarie të madhe kombëtare.

Sido që të jetë, sido që kanë rrjedhur punët, “Fjalori enciklopedik shqiptar” ka dalë më i plotë se asnjëherë tjetër, fjalori ka përfshirë thuajse gjithë vlerat kombëtare të popullit shqiptar, ka prekur dhe ka shqyrtuar edhe lashtësinë historike, edhe kohët e errëta të kësaj historie, por edhe majat e gjëllimit kombëtar, falë figurave të mëdha të kombit tonë.

 Enciklopedia shqiptare dhe akademitë e shkencave

 E ka thënë edhe redaktori i “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, Prof. Emil Lafe, se fillimisht edhe Akademia e Shkencave në Tiranë, nuk e kishte fort të qartë metodologjinë e hartimit të “Fjalorit…”.

Kurse Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Prishtinë, jo vetëm që nuk ishte e gatshme për bashkëpunim, por vinte edhe kushte, edhe duke kërcënuar se do të zhbëhej Standardi i gjuhës shqipe, nëse redaksia e “Fjalorit…” nuk vepron sipas kushteve dhe kërkesave të tyre, thuajse Kosova i kishte pyetur ndonjëherë akademitë në shërbim të politikës së ditës, si dhe politikën, se cilin standard ta përdorte.

Këtu po citojmë vetëm një mendim të Prof. Emil Lafes, lidhur me bashkëpunimi e akademive të shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë, për të krijuar edhe një përfytyrim më real edhe për vështirësitë në rrugën e realizimit të këtij projekti të madh kombëtar. “Akademia e Kosovës pati dërguar dikur disa propozime, që mund të quhen largvajtëse, dhe në fund paralajmëronte se, po të mos pranoheshin ato, në Kosovë do të shtoheshin zërat për një përmbysje të plotë të normës letrare, d.m.th. Kosova do të krijonte standardin e vet. Më ka ardhur keq për këtë lloj shantazhi”. (Java, 7 korrik, 2012).

Më shumë se kaq, veprimet e disa akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkonin aq larg sa ardhjet e hartuesve të zërave nga Tirana në Prishtinë, mbajtja e kontakteve dhe punët përgatitore, mësimi se si të hartohen zërat dhe si të shqyrtohen të dhënat e shumta që mund të kishte një shkrues, i quanin ardhje ilegale, kurse qëndrimin e tyre, qëndrim i fshehtë, një zot e di për cilat arsye dhe për ç’lloj të veprimtarisë.

Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre pengesave, ndonjëherë edhe kërcënuese, Redaksia e “Fjalorit enciklopedik shqiptar” vazhdonte punën e saj, mbi të gjitha e, para së gjithash, falë angazhimit dhe punës madhore të Prof. Emil Lafes.

 Fjalori enciklopedik i shqiptarëve dhe gjuha e reklamës

 Puna me “Fjalorin enciklopedik shqiptar” ka filluar thuajse që në vitet e para pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, kishte periudha kohore, kur edhe udhëtimi, edhe komunikimi, edhe mungesa e kushteve elementare, kishte ndikuar në shtyrjen e kohës për përfundimin e punëve të caktuara.

Pas botimit të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, në tri vëllime, mund të thuhet se në Kosovën e lirë, nuk është shkruar asnjë paraqitje publike, në asnjë gazetë apo revistë të vendit, mund të thuhet se as në televizion dhe në radio nuk kishte paraqitje të duhur por të mos thënë, se ishte bërë një lëçitje, si me kanun, kundër atyre që kishin dhënë ndihmesën e tyre në hartimin, redaktimin dhe botimin e “Fjalorit…”.

Kjo është një dëshmi tjetër, thuajse e qëndrimit përbuzës ndaj vlerave të kulturës kombëtare, vetëm se nuk është punuar sipas kritereve që kishte përcaktuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Përkundër të gjithave, përkundër fjalamanisë dhe rrahagjokseve për atdhetarizëm, të të gjithëve në Prishtinë dhe në Tiranë, sepse thonë pas luftërave të gjithë bëhen atdhetarë, në Prishtinë duhej të shpikej një punë, e cila do ta dëshmonte këtë rrahagjoksi, andaj u krijuan grupe pune për hartimin edhe të historisë së Kosovës, edhe të Enciklopedisë së Kosovës, sado që nuk e di si do ta quajnë këtë të fundit, Enciklopedi shqiptare e Kosovës, apo pa atë ndajshtimin shqiptare, sepse së paku që nga themelimi e këndej, dihet qëndrimi i Akademisë në Prishtinë, se i mjafton vetvetja dhe kjo gjysmë që ia ka lënë pushtuesi i tokave shqiptare.

Prandaj, edhe përkundër të gjithave, “Fjalori enciklopedik shqiptar”, ka përmbushur kërkesat themelore të një enciklopedie me përmasë kombëtare, siç u tha në përkufizimin në fillim të këtij shkrimi, qoftë për nga thellësia historike e trajtimit të ngjarjeve dhe peronave me vlerë kombëtare, ose që janë bërë vlerë kombëtare me kalimin e kohës, qoftë për nga gjerësia e përfshirjes së hapësirës kombëtare, së paku atje ku jetojnë, veprojnë dhe krijojnë shqiptarët dhe gjuha e tyre.

Shtrirjen e këtyre vlera e ka përkufizuar qartë, redaktori i “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, me rastin e botimit, duke u shprehur se shqiptarëve u jepej një vepër e përmasë kombëtare. “Me këtë rast, shkruan Prof. Emil Lafe, shpreh bindjen time se hartuesit dhe përgatitësit e kësaj vepre i kanë dhënë popullit shqiptar, veçanërisht brezave të rinj, një dëshmi të qartë të pasurisë së vlerave tona historike e kulturore, një dëshmi të lashtësisë dhe të njësisë së fisit shqiptar, një dëshmi të mundësive për të ecur më shpejt përpara, një dëshmi dinjiteti njerëzor e kombëtar. Prandaj për vepra të tilla ia vlen të mendosh, të diskutosh, të punosh. Ato janë vepra që përfaqësojnë shkencën dhe kulturën kombëtare shqiptare, janë përgjegjësi e të gjithëve dhe nder i të gjithëve!”.

(Kumtesë me titull “ ‘Fjalori enciklopedik shqiptar’ (2008-2009) si fryt dhe pasqyrues i shkencës shqiptare”, mbajtur në Prishtinë, më 2 shtator 2011).

Përfundim

Një vlerë e veçantë e “Fjalorit enciklopedik shqiptar” botuar në tri vëllime, përveç të tjerash, edhe se përherë të parë, në një botim shkencor Lufta e Ushtrisë Çlirimtare trajtohet e barabartë me luftërat e tjera çlirimtare, trajtohet si vlerë me përmasë kombëtare, si dhe shqyrtohet dhe analizohet pa e kthyer kokën anash se a mos dikush nga diku na akuzonte për kombëtarizim të njëanshëm.

Në këtë plan, ka ndihmuar shumë, edhe kryetari i redaksisë së Historisë dhe të Ushtrisë, prof. Dr. Ruzhdi Ramadani. Por, pa mbështetjen, pa përkrahjen dhe pa këmbënguljen e redaktorit të “Fjalorit…”, Prof. Emil Lafe, zor se edhe kjo pjesë e punëve do të ishte kryer me sukses.

Në mbyllje të kësaj fjale, do të shtoja diçka me interes, qoftë për ata që punë të caktuara kryejnë nëpër arkiva, qoftë për ata që merren me fushën e kulturologjisë, lidhur me angazhimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndoshta si institucioni i vetëm shkencor në Kosovës, që ka mbështetur dhe ka punuar për përfundimin me sukses të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”.

Këtu as nuk po thurim lavde, as nuk po bëjmë elozhe, siç do të thoshin francezët e mençur, por vetëm prekem një të vërtetë që heshtet zakonisht në Prishtinë, e harrohet ndonjëherë në Tiranë.

Më tutje, për ata që kanë interes për të parë ecurinë, rrjedhën dhe përfundimin e punës në një projekt të madhe kombëtar, siç është “Fjalori enciklopedik shqiptar”, është shumë i rëndësishëm letërkëmbim që është mbajtur në mes Prishtinës dhe Tiranës, në mes hartuesve të zërave dhe redaksisë së “Fjalorit…”, në mes kryetarëve të redaksive të “Fjalorit…” dhe personave që ishin ngarkuar me hartimin e zërave nga fusha të ndryshme që mbulonte veprimtaria për botimin e “Fjalorit…”.

Një letërkëmbim që ka zgjatur me vite, përmes të cilit shpalohen jo vetëm dilemat dhe mëdyshjet, jo vetëm paqartësitë dhe pakënaqësitë, jo vetëm pengesat dhe kurthet, jo vetëm mendjemadhësia shterpe dhe euforia e dijes pa argumente, por edhe këmbëngulja që gjerat të punohen mirë, që zërat të hartohen sipas standardeve enciklopedike, si dhe të ruhet me çdo kusht baza argumentues dhe qartësia gjuhësore e mendimit.

Të gjitha këto janë shpërfaqur edhe në letërkëmbimin me redaktorin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, prof. Emil Lafen, pa angazhimin dhe punën e palodhshme të tij, dyshoj se ky projekt i madh kombëtar do të ishte përfunduar në këtë nivel dhe me këtë cilësi.

Prishtinë, më 21. 9. 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hënën ka filluar aplikimi i valës së re të…