Emilija Rexhepi kundër propozimit të LDK-së: “Kosova nuk është shtet i një etnie”

06 maj 2025 | 19:50

Zëvendëskryeministrja në detyrë nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, i ka reaguar ashpër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, lidhur me propozimin e tij për formimin e një qeverie të tranzicionit.

Rexhepi ka thënë se është „e turpshme, e papranueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme“, deklarata e Abdixhikut, meqë sipas saj, komunitet jo-shumicë injorohen dhe eliminohen nga dialogu politik, pavarësisht se në letrën e Abdixhikut përmendet që pjesë e kësaj qeverie do të ishin edhe komunitetet jo-shumicë, shkruan Reporteri.net

„Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend“, ka shkruar Rexhepi.

Ajo ka vazhduar kritikat ndaj Abdixhikut në postimin e saj, duke thënë se një qasje e tillë është zhgënjyese.

„Retorika që bën thirrje për formimin e qeverisë vetëm përmes partive shqiptare, duke përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mesazh urrejtjeje dhe mohimi i të drejtave themelore të njeriut, si dhe një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një gabim politik – kjo është një rënie morale.

Është tronditëse dhe zhgënjyese që fjalë të tilla vijnë nga një lider i ri i LDK-së, nga i cili pritej një vizion përparimtar, bashkues e jo përçarës. Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane. Nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Do të jemi zëri i fuqishëm sa herë që tentohet të heshtet barazia, sepse Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku“, ka shkruar tutje ajo.

Në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit, tek propozimi për qeveri të tranzicionit, përmendet edhe komunitetet jo shumicë.

„Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje m dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues“, thuhet në letër./Reporteri.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, derisa ka komentuar propozimin…