Emir Abrashi zgjidhet kryetar i AKR-së

19 prill 2026 | 13:11

Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të Aleanca Kosova e Re (AKR), është zgjedhur kryetari i ri i partisë, Emir Abrashi, i cili do ta udhëheqë subjektin për katër vitet e ardhshme.

Abrashi ka marrë besimin e shumicës së delegatëve, duke e cilësuar këtë si një nder të madh, por edhe përgjegjësi serioze ndaj anëtarësisë dhe qytetarëve të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ndërtuar një alternativë moderne dhe të besueshme politike.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Mbrëmë, Aleanca Kosova e Re (AKR) mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, në të cilin u zgjodhën organet e reja drejtuese të partisë.

Me shumicë votash, mora besimin për ta udhëhequr AKR-në në katër vitet e ardhshme. Ky është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi serioze ndaj secilit prej jush dhe ndaj qytetarëve të Kosovës. AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike.

Shpreh mirënjohjen time të veçantë për Presidentin Emeritus të AKR-së, z. Behgjet Pacolli, për mbështetjen dhe besimin e tij në këtë proces. Bashkëpunimi ynë, duke ndërthurur përvojën e tij të vyer me energjinë dhe vizionin tim, do të jetë kyç për rikthimin e AKR-së aty ku e ka vendin — në institucionet e vendit, si një zë konstruktiv, i përgjegjshëm dhe i orientuar drejt interesit publik.

I uroj përzemërsisht organet e sapozgjedhura: Sekretarin e Përgjithshëm Liridon Llapashtica, Nënkryetarët Gjergj Beka, Festina Kurteshi dhe Bejtush Gashi, Sekretarin Organizativ Petrit Makolli, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë Gëzim Mehmeti, si dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë së re — suksese në detyrat që na presin përpara.

Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por me përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetjen tuaj, jam i bindur se do t’ia dalim.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për kolegët dhe bashkëpunëtorët nga shoqëria civile për rrugëtimin e përbashkët deri më tani. Ky bashkëpunim do të vazhdojë, në forma të reja, gjithmonë në shërbim të së mirës publike.

Me përulësi,
Emiri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjenti i Robert Lewandowski pritet të zhvillojë bisedime kyçe me Juventus mbi…