Emiratet rrëzojnë 4 raketa e 6 dronë të Iranit

15 mars 2026 | 15:23

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar të dielën se kanë rrëzuar katër raketa balistike dhe gjashtë dronë të lëshuar nga Irani.

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve ka bërë me dije se sistemet e mbrojtjes ajrore në këtë vend të Lindjes së Mesme, kanë interceptuar (ndalu ose bllokuar) që nga 28 shkurti gjithsej 298 raketa balistike, 15 raketa lundruese dhe 1 606 dronë të lëshuar nga Republika Islamike, raporton “AA”.

Sipas autoriteteve, nga këto sulme janë vrarë gjashtë persona, shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, Pakistanit, Nepalit dhe Bangladeshit, ndërsa 142 persona të tjerë janë plagosur, të nacionaliteteve të ndryshme.

Ministria ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe janë plotësisht të përgatitura për t’u përballur me çdo kërcënim, duke shtuar se vendi do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo veprimi që synon destabilizimin e sigurisë së shtetit dhe cenimin e sovranitetit dhe interesave kombëtare.

Që nga 28 shkurti, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme ushtarake ndaj Iranit, të cilat, sipas raportimeve, kanë shkaktuar më shumë se 1 200 viktima. Në ditën e parë të këtyre sulmeve është vrarë edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Në përgjigje, Teherani ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë drejt Izraelit, Irakut dhe vendeve të Gjirit ku ndodhen baza ushtarake amerikane. Disa prej këtyre sulmeve kanë shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile, përfshirë aeroporte, porte dhe ndërtesa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi ka marrë tre pikë të arta në luftën për…