Ende nuk kanë nisur të zbatohen të gjitha masat e Pakos Emergjente Fiskale

17 maj 2020 | 10:55

Ende nuk kanë nisur të zbatohen të gjitha masat e Pakos Emergjente Fiskale, edhe pse nevojat e bizneseve dhe të qytetarëve janë të mëdha pas masave shtrënguese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Përveç masës së tretë për pagat e punëtorëve, bizneset të cilat kanë pasur vështirësi financiare në këtë kohë pandemie, ende nuk kanë përfituar nga kjo pako.

Përderisa Banka Botërore ka paraparë një rënie ekonomike për vendin rreth 5 për qind dhe një tkurrje të konsiderueshme ekonomike të shkaktuara nga COVID-19, Ministria e Financave dhe Transfereve ende nuk ka dizajnuar të paktën një draft-pako për rimëkëmbje ekonomike.

Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, ka folur, në një intervistë për KosovaPress, për Pakon e Dytë që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike, e që kërkohet një bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit për ndryshim plotësim të ligjeve përkatëse, rishikim të buxhetit dhe për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Krasniqi ka folur edhe për rrjedhën e Pakos Emergjente që, sipas tij, deri tash mbi 100 mijë punëtorë kanë marrë pagën 170 euro, ndërsa përgatitjet janë duke u bërë për të gjitha masat e tjera që kanë të bëjnë kryesisht me punëtorë dhe ndërmarrësi.

Ai ka bërë me dije se masa 3b, për subvencionimin e qirasë deri në 50 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe masa e 15-të për pagesa për asistencë mujore në vlerë prej 130 eurosh për qytetarët me kushte të rënda sociale, pritet të nisin përgatitjet shpejt për zbatim.

“Rreth 100 mijë personave do t’u realizohen pagesat deri në këtë moment, por mbesin edhe një numër tjetër që janë duku u verifikuar listat dhe besoj se brenda javës masa 3a të përmbyllet. Krahas saj, janë duke u verifikuar edhe masat e tjera. Aplikimi që ka ndodhur për masën 3b për qira, për masën 7, për ata që kanë humbur vendet e punës, masa 14 dhe 15 nuk kanë filluar ende, por besoj se do të fillojë zbatimi i masave të tjera në mënyrë që një muaj komplet t’i përfshijmë të gjitha masat, duke i përjashtuar disa përgatitje që kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, për likuiditet për ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Krasniqi.

Për sa i përket Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, Krasniqi ka thënë se, edhe pse është formuar komisioni i prirë nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve dhe i përbërë nga ministrat e linjës, ende nuk ka asgjë konkrete për këtë çështje.

Ai ka treguar se është duke u diskutuar që 50 deri 80 për qind e Fondit do të jetë pjesë e garantimit të kredisë. “Diçka konkrete nga Komisioni nuk ka, janë vetëm idetë brenda Ministrisë dhe atyre nga shoqatat e bizneseve. Pakoja do të jetë më e fokusuar në tri-katër elemente kryesore. Elementi i parë është në pako një pjesë e vogël do të jetë grante, kryesisht për biznese të cilat kanë probleme fillestare për ta vazhduar aktivitetin e vet, por fokusi kryesor do të jetë te garantimi i kredive dhe subvencionimi i normave të interesit. Nëse flasim për numra që kemi dëgjuar prej 200-300 milionë që jepen nga përfaqësues të shoqatave deri në informatën që keni dëgjuar prej qeverisë, deri në 1 miliard do të jetë pakoja për rimëkëmbje ekonomike. Por, të sqarojmë, ky do të jetë infuzioni financiar për sektorin privat dhe publik. Është duke u diskutuar që 50 deri 80 për qind e Fondit me qenë pjesë e garantimit të kredisë. Si mund të bëhet kjo? Nëpërmjet përmes fondit për garantim të kredive, duke rritur kapitalin që është brenda Fondit ose edhe duke marrë qeveria një pjesë të garantimit të kredive krahas fondit”, thotë ai.

Krasniqi ka thënë se sa më shpejt që arrihet të përmbyllet kjo pako për rimëkëmbje ekonomike, humbjet janë më të vogla në ekonomi, mirëpo për këtë duhet pasur unitet politik dhe bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit.

“Edhe për pakon emergjente, por gjithsesi për pakon për rimëkëmbjen ekonomike nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për arsye se duhet të bëhet ndryshim plotësimi i ligjeve, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndryshe kjo mund të vonohet dhe çdo vonesë është fond më i vogël, multiplikatori ekonomik zvogëlohet e dëmet rriten. Sa më shpejt që arrijmë ta përmbyllim këtë pako emergjente, por edhe këtë pakon për rimëkëmbje ekonomike, humbjet do të jenë më të vogla dhe mundësitë për ta zvogëluar recesionin ekonomik më të mëdha”, ka deklaruar Krasniqi.

Afati për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale që ka 15 masa është mbyllur më 15 maj.

Ndërkohe, ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara nga pandemia në ekonominë e Kosovës, por mësohet se deri tash pasojat në këtë sektor arrijnë mbi gjysmë miliard euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Temi Abraham, sulmuesi i Chelseat, i bashkohet grupit të futbollistëve…