Ëndrra jonë e lirisë kurrë nuk tretet

18 tetor 2025 | 19:51

Kudusi Lama – “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia“

Imer Xhemail Lladrovci

1.
Kudusi Lama është një gjeneral shqiptar me kontibute të posaçme në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Nuk e di saktesisht se sa libra ka shkruar për Luftën në Kosovë, por e di se ai duhet të ketë shumë kujtime, them edhe shumë shënime, nga pjesëmarrja në të, drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi, por në të dy rastet me gjithë shpirt, së pari, me Ushtrinë e Republikës së Shqipërisë dhe, së dyti, duke i këshilluar ushtarakisht komandantët e ndryshëm të UÇK-së. Ai luftoi vetë për Kosovën dhe i mësoi të tjerët si të luftojnë për të. Nuk i mësoi ta duan Kosovën dhe atdheun e tyre se ata e donin shumë atë, por i mësoi si ta duan atë, sepse nuk mjafton vetëm të duash diçka, por duhet të dish si ta bësh këtë. Dhe, këshillat e tij nuk shkuan huq, por e bën edhe më të zjarrtë dashurinë për atdheun.

Serbët kokëkrisurë e shkelën kufirin dhe e cënuan sovranitetin e shtetit shqiptar dhe kështu edhe formalisht i dhanë atij të drejtë që t’i godiste me artileri. Këtë pretekst ai e priste, për të mos thënë e kërkonte që t’u tregonte serbëve sesa iu vlente lëkura, ngase ata ishin mësuar të luftonin kundër formacioneve vullnetare dhe, kryesisht, civilëve, por s‘ishin ndeshur kurrë me një ushtri të mirëfilltë. Për Betejën e Koshares që filloi në prill 1999 dhe përfundoi me 12 qershor 1999 mediat serbe kanë shkruar se në anën e UÇK-së luftoi edhe Ushtria e Shqipërisë, dmth. Kudusi Lama si komandant i Divizionit të Kukësit. Këto media që e rrisin numrin e pjesëmarësve dhe e të vrarëve në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zvogëlojnë numrin e pjesëmarësve e të vrarëve në mesin e ushtarëve serbë, pjesëmarrjen e Ushtrisë së Shqipërisë dhe e aviacionit luftarak të NATO-së i quajnë faktorët vendimtarë që u thyen dhe u tërhoqën nga brezi i kufirit, por në zonën kufitare e në kazermat e tyre u shfaqën ushtarët me uniformën e UÇK-së. Sidoqoftë, vetë serbët e pranojnë se nuk munden ta ruajnë kufirin dhe kazermën e tyre aty pranë.

2.
Ky gjeneral shqiptar vjen tani, pas pothuajse një çerekshekulli nga përfundimi i luftës në Maqedoni me Marrëveshjen e Ohrit të 9 gusht 2001, me një libër për UÇK-në, por jo për atë të Kosovës, por për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Libri i tij që mban titullin „Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia“ përbën një kontribut të çmuar teorik e kritik për luftën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Çasja e tij ndaj problemit është çasje e një ushtaraku, profesionale dhe aspak propaganditistike. Si ushtarak, ai ka një përbuzje për oficerët që i nxisin ushtarët e tyre të masakrojnë civilët e paarmatosur dhe ushtarët e tjerë që priren kah mundësia e zëvendësimit të forcës ndaj kundërshtarit pa armë në dorë me dialogun. Lufta në Maqedoni, shkruan ai ndonjëherë, ishte më shumë politikë sesa luftë sipas parimeve ushtarake. Njeriu mendon hë për hë se ai e disaprovon këtë formë të luftës moderne, por disa faqe më vonë lexojmë sesi e lavdëron për këtë mjeshtri të rrallë kryekomandantin. Ai e vlerëson lartë edhe qëndrimin politik të Arben Xhaferit dhe Imer Imerit.

Me këtë libër ai jo vetëm e çmon shumë Luftën e vitit 2001 në Maqedoni, por edhe i inkurajon shqiptarët sot në Maqedoninë e Veriut që ta kujtojnë me pietet të madh këtë moment të rëndësishëm historik dhe, të mos ndalen këtu, por të vazhdojnë luftën politike për ruajten e identitetit të tyre kombëtar në momentin e tanishëm. Lama citon diku në libër shkrimtarin e madh francez Viktor Ygo ( Victor Hugo) që shkruan se jeta është luftë dhe, menjëherë pas tij, edhe Roza Luksemburgun (Rosa Luxemburg), e cila thotë se vetëm ai që lëviz mund të dëgjojë kërkëllimën e zingjirëve të robërisë. Shqiptarët sot në RMV janë ende të shtypur, ky është fakt i pamohueshëm, por duke qenë se lëvizin ata i ndjejnë zingjirët e rëndë në gjymtyrët e tyre. Kjo kënetë politike i favorizon bretkocat dhe kafshët e tjera parazite, shpifësit dhe detraktorët e çdo lloji që në fushatën parazgjedhore kanë fituar tashmë edhe emrat adekuat. Ndaj dhe thirrjet e tij të përsëritura për ta kujtuar të kaluarën e lavdishme janë një mënyrë për ta spikatur kontributin e gjithsecilit që ka luftuar me gjithë zemër për kombin e tij të nëpërkëmbur. Kujtesa bën që të mos përsëriten gabimet. Lufta e bën shoqërinë më të egër, por edhe më të drejtë. Në luftë zotëron logjika e bardhë e zisë, ndaj dhe askush nuk duhet ta dëshirojë atë gjendje, por kjo nuk do të thotë se mësimet e saj duhet të harrohen, sepse kush e harron luftën, ajo i rishfaqet atij me gjithë spektrin e saj shkatërrimtar. Qartësinë që ta jep lufta, nuk ta jep paqja kurrë. Megjithë, siç e thamë dhe më parë, ushtarët e UÇK-së nuk i rrënuan urat pas tyre. Është meritë e UÇK-së, shkruan Kudusi Lama, që vendi nuk rrëshqiti në luftën civile. Ky fakt nuk vlerësohet sot, por do të vijë një ditë kur do të flitet për të me miradi të madhe. Jo atij që tërheq gishtin e krimit, por atij që shtrin dorën e pajtimit do të thoshte Adem Demaçi. Nuk ka krim më të madh se ta fusësh një dhoqëri në luftë civile, sepse lufta civile s‘ka fitimtar. Maqedonia s’është i vetmi vend në Europë me dy kombe të mëdha që e përbëjnë atë. Edhe Belgjika dhe Zvicra janë shtete të ngjashme. Maqedonët dhe shqiptarët këtë fakt duhet ta interpretojnë si shans dhe jo si mangësi. Rajoni pret nga shqiptarët dhe bullgarët që të sillen me përgjegjësi. Bashkëpunimi i munguar mes tyre do të ishte fatal për fatin e gjithë Ballkanit. Është një gabim i madh i kryeministrit të tanishëm maqedonas që është orientuar kah Serbia, e cila me politikat e saj të përçarjes ka dështuar në rajon. Ajo i ka ndarë, s‘i ka bashkuar ballkanasit. Ne jetojmë në epokën që e ndëshkon izolimin dhe logjikën e tij. Pavarësisht asaj që ka ndodhur në të kaluarën, secili duhet t‘i shikojë gabimet e tij dhe të mos i përsëris, por të gjejë zgjidhje të tjera kreative për problemet e trashëguara. Autori zviceran Michael Hampe ka botuar sivjet një libër shumë domethënës me titullin „Kriza e iluminizmit“ (Krise der Aufklärung). Si shqiptarët, ashtu edhe maqedonasit do të duhej të mësonin nga përvoja zvicerane dhe nga ky profesor filozofie i Universitetit të Cyrihut (Zürich). Një libër tjetër që është botuar sivjet në Gjermani, por që në botimin origjinal në frëngjisht mbanë titullin „Politiques de l’ininmitié“ ( Politikat e armiqësisë) është ajo e filozofit kamerunss që punon në një universitet të Afrikës Jugore Achile Membe. Ky libër jo vetëm që na jep elemente për ta zbërthyer më mirë realitetin e sotëm në Maqedoninë e Veriut, por na jep edhe ide si të dalim nga ky vorbull armiqësish. Maqedonia që aktualisht ndjek modele të vjetëruara, duhet t’i braktisë ato një orë e më parë. Ata, maqedonasit, nga frika e shqiptarëve, që duhet të merret seriozisht, sepse siç shkruan profesori afrikanojugor Achile Membe, të gjithë popujt vuajnë nga kjo frikë, janë dhënë pas një nacionalizmi atavik që bllokon çdo shtegdalje të arsyeshme dhe e kthen shtetin në një demokraci fashiste. Sot për sot kjo mendësi reduksioniste kur në Europë sundojnë shumë parti të djathta si Orbani në Hungari, etj. duket një zgjidhje e duhur, por, nëse i shohim gjërat me një sy të vëmendshėm e studioz, kjo mendësi s’i sjellë asgjë të mirë Maqedonisë së Veriut. Maqedonasit dhe shqiptarët duhet të përdorin mendjen e tyre e të mendojnë esull për alternativat racionale dhe jo të jepen pas formulave ideologjike që sjellin vetëm fatkeqësi. Ndoshta dikur kjo mendësi ka funksionuar, por asnjë problem s‘e ka zgjidhur. Maqedonasit duhet të refuzojnë të sillen si zot të vendit, duke i trajtuar shqiptarët si shërbëtorë të tyre. Nëse kjo ndosh, dmth. që maqedonasit të silen si zotër që vrajnë e kthjellin, atëherë të mos çuditen aspak kur të shohin se skllevërit e tyre janë të pakënaqur e tinzarë. Në një vend ku shtypja e tjetrit merret si fakt i vetëkuptueshëm, atje ku kërkohen dhoma gazi për shqiptarët dhe publikisht kërkohet vrasja e tyre, gjë që edhe ndodh, jo në dhoma gazi, por në dhoma zjarri e tymi, vërtet duhet të flitet për krizë të thellë të iluminizmit politik. Parullat si „Vdekje shqiptarëve“, „Dhoma gazi për shqiptarët“ etj. janë të përditshme në Maqedoninë e Veriut dhe të pandëshkuara nga shteti. Dhe, për çudi të madhe, merren si fakte normaliteti dhe aspak skandaloze. Kemi të drejtë të mendojmë se pushtetarët maqedonasë nuk po e vlerësojnë si duhet shtetin, ngase, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, po e destabilizojnë atë. Pak maqedonasë reagojnë privatisht ndaj kësaj anomalie publike, sepse kundërshtimi është gjë që kushton shumë. Ky fashizëm ideologjik, praktikohet në nivelet më të larta të politikës. Para disa vitesh deputetët shqiptarë u rrahën në Parlamentin e Maqedonisë, Zijadin Selën desh e vranë. Me sa duket, ata që i nxitën banditët, donin ndryshime në kreun e politikës te faktori shqiptar. Shteti, për efekte të jashtme, u detyrua pastaj t’i burgos banditët, por gjykatat maqedonase i dënuan ata me dënime të lehta, për të mos thënë se në shoqëri pati një glorifikm publik të rrugaqëve. Ku na çonë kjo politikë e konfrontimit të hapur?! Mund të themi se kjo logjikë është e papranueshme, si politikë me të vërtetë dritëshkurtër dhe primitive. Nëse e shqyrtojmë me vëmendje këtë skandal të madh, shohim se ata, rrugaqët, nuk vepruan kokë më vete. Faji u hodh në Serbi, por gjykatat maqedonase i trajtuan si xhentëlmenë këta rrugaqë me misione politike. Si gjithmonë, për pushtetarët maqedonasë e keqja vjen nga jashtë, është import, jo simptomë. Pyesim: sa do të zgjasë ky keqpërdorim i pushtetit? Sikur të mos kishte zgjedhje të lira, zagarët shqiptarë do të të shqyenin për gjuetarët maqedonasë, por në kushtet e sotme politike të botës vështirë se kjo atmosferë e gjuajtjes së shtrigave do të mund të zgjasë shumë, sepse ndryshe do të prodhonte sëmundje të rënda vdekjeprurëse ngjitëse. Shkurt, ështė përshtypje e përgjithshme se shqiptarin në këtë shtet s‘e mbron asgjë. Ai kudo është i rrezikuar: në shtëpi, në parlament, në rrugë, etj., është i rrezikuar. I rrezikuar gjithsesi, por jo i dorëzuar, sepse ai ka një ëndërr politike që nuk tretet kurrë. Kudusi Lama e thotë në libër shumë herë se shqiptarët përbëjnë 40% të popullsisë së këtij shteti. Për këtë përqindje flet edhe dr. Ibrahim Rugova në një intervistë me magazinin gjerman „DER SPIEGEL“ në vitet 1990. Të paktën, Rugova nuk mund të akuzohet për nacionalizëm dhe propagandë. Kanë kaluar rreth 40 vjet që atëherë dhe përqindja e shqiptarëve në RMV ka ngecur në vend, zyrtarisht madje nuk e arrin as 30% e banorëve të Maqedonisë së Veriut. Shteti i Maqedonisë së Veriut është i vetmi shtet në Europë që nuk bën cenzus, edhe kur i nis ata, i lë në mes. Përse? Numri i maqedonasëve thuhet publikisht, që prej vitesh, nuk shtohet, përkundrazi, ai po zvogëlohet vazhdimisht, kurse numri i shqiptarëve rritet, por në librat e statistikës përqindja e tyre nuk ndryshon. Vitet e fundit ky numër është zvogëluar për shkak të emigrimit në Perëndim. Veçse tani po emigrojnë edhe maqedonasit. Shtimi natyror nuk duhet ta ngushëllojë askend, sepse ky shtim mund të tretet në një stinë emigrimesh! Emigrimi përbën një ventil shoqëror që e ulë tensionin në Maqedoninë e Veriut, por s’është një mjet që i zgjidh tensionet etnike në vend, aq më tepër kur tensionet kanë një histori të gjatë. Një historian serb në Beograd, nga Instituti i Ballkanistikës i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, tha disa muaj më parë se Maqedonia e Veriut ka pasur më shumë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore sesa Kosova. Sot ajo ka realisht shumë më pak. Përse? Pas tërmetit të Shkupit në vitin 1963 shumë shqiptarëve iu ndalua kthimi në qytet, kurse shqiptarët katolikë u përzunë me metoda perfide dhe kështu Shkupi u kthye në një qytet kryesisht maqedonas. Aty ku mbetën shqiptarët, në Çair, ku në përgjithësi u ndalua ndërtimi i shtëpive të reja dhe i objekteve shoqërore, koha u ndalë. Sot Çairin e quajnë Kandahari shqiptar edhe vetë ata që me politikën e tyre e mbajnë në këtë gjendje. Shkupi strehon në vetëvete dy epoka, atë mesjetare në pjesën shqiptare dhe atë moderne në pjesën maqedonase. Kur dimë se teatrin e qytetit e ndërtoi Kolë Bojaxhiu, atëherë themi se këtu ka diçka enigmatike që kërkon një hulumtim të thelluar. Këto probleme të trashëguara duhet t’i zgjidh vetë politika, sepse ajo i ka krijuar ato. Të paktën kjo u pa më së qarti në vitin e luftës, më 2001. Sot edhe vetë ish kryeministri Lupçe Georgievski (Lupče Georgievski) që dikur, mė 2001, ishte protagonist ipolitikës së dorës së fortë ka krijuar bindjen se shqiptarët nuk mund të kontrollohen me metoda të tilla. Në anën tjetër, kryeministri i tanishëm maqedonas, Hristijan Mickoski ndjek një kurs millosheviqian ndaj shqiptarëve. Por për një luftë të re i mungojnë njerëzit. Ai tha këto ditë se numri i banorëve në Maqedoni aktualisht nuk është më i madh se 1,5 milionë. Ish gazetari Nijazi Muhamedi pati thënë vitin e shkuar se numri i shqiptarëve është më i madh se ai i maqedonasve. Që atëherë atë e goditën fatëkeqësi të ndryshme familjare, njëra pas tjetrës. Nijazi Muhamedi thotë se 47% e banorëve të Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë, kurse numri i maqedonasve sllavishtfolës është më i ulėt. Sipas tij, shqiptarët kanë një epërsi të vogël mbi maqedonasit titullar të shtetit. Përfaqësimi i shqiptarëve në administratë ndoshta s’është më 1,5-2%, por megjithatë është ende shumė i ulët si përqindje. Në klinikën universitare në Shkup kanë mbetur vetëm edhe nja 2-3 mjekë nga 36 sa ishin dikur. Shqiptarët paguajnë taksat dhe gjithçka kërkon shteti prej tyre, mirëpo, si para vitit 2001, marrin mbrapa vetëm përbuzje dhe represion. Këtë trend duhet të rrezikshëm sa nuk është vonė duhet ndalur. Rasti i djegies së të sëmurëve në Spitalin Modular të Tetovës dhe i djegies së dy autobusëve me udhëtarë shqiptarë nuk u hetua, madje u bë i njohur për publikun e gjerë vetëm si ngjarje periferike. Ne ende sot nuk e dimë saktësisht se sa njerëz u dogjën, sa të tjerë u plagosën dhe sa prej tyre u shëruan nga plagët fizike. Këta tė sëmurë që u dogjën dhe gjymtuan ishin njerëz, jo kafshë. Vetëm pas djegies së njerëz e në një diskotekë në Koçani u fol njëfarë kohe për këto raste, por përsëri s’u bën hetime të mirëfillta. Madje edhe për Koçanin u hetuan fillimisht shqiptarët. Me një fjalë gjenerali shqiptar i këshillon shqiptarët në RMV që të mos kenë frikë nga lufta dhe lëvizja, ngase vetëm kështu do të fitojnë atë që iu takon. Në kushtet e sotme, përgjegjësia bie mbi atë ka mundësi ta ndryshojë gjendjen e tij. Nëse do të kenë frikë, shqiptarët do t’i humbin të gjitha dhe, për më tepër, nuk do të krijojnë kurrë vetëdijen politike e të qenit të shtypur. Tani, gjithnjë e më shumë për turbullimin e vetëdijes së tyre kombëtare po përdoret feja. Islami është pa dyshim një mundësi spirituale, por ai nuk guxon të kthehet në një indtrument politik kundër shqiptarëve. Në rradhë të parë janë vetë shqiptarët muslimanë përgjegjës, nëse e lejojnë interpretimin e tij sipas logjikës politike kundërshqiptare. Shqiptarët duhet të lexojnë librin e kujtimeve të ish kryetarit të Myftinisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, zotit Sulejman Rexhepi, libër ky që gjendet edhe në internet, për t‘i kuptuar metodat perfide të klasës politike maqedonase që e përdor islamin si mjet për manipulimin e shqiptarëve.

3.
Popujt që flenë zhduken, kurse për fëmijët, siç ka thënë Ismail Qemali, gjumi është i mirë dhe ndikon pozitivisht në rritjen e tyre. Gjumi këtu është një metaforë për harresën. Gjeneral Kudusi Lama i porosit shqiptarët që të mos kenë drojë dhe ta kujtojnë me guxim atë kohë kur kapën armët për të mbrojtur dinjitetin e tyre si popull shtetformues, sepse lufta e tyre s’ishte një opsion luksi, por mungesë e alternativave të tjera. Ushtarët e UÇK-së që kishin luftuar në Kosovë ndiqeshin e vriteshin, atëherë ata u organizuan në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Një burim në Kosovë thotë se pas përfundimit të Luftës në Kosovë janë vrarë 106 aktivistë të LDK-së dhe 116 ish ushtarë të UÇK-së. për të parët është folur shumë, kurse për të dytët jipet kjo shifër për herë të parë sivjet. Pothuajse asnjë shqiptar në Kosovë s’di gjë për vrasjen e tyre, sepse ata s’i mbron askush. Flitet për veteranët e rrejshëm, por kurrë s’flitet për ata që u vranë në rrethana të paqarta pas luftës.

Do të thosha se këtë libër, Kudusi Lama e kashkruar në funksion të kujtesës. Lufta s’ishte një sakrilegj, por një mundësi e vetme për t’i treguar botës se në këtë vend ka diçka që nuk shkon. Në këtë situatë pa shtegdalje, lufta ishte shpëtimi për shqiptarët. Për fat të mirë, Perëndimi reagoi me mirëkuptim. Maqedonasit në pushtet në vend që t’i falenderonin amerikanët dhe britanikët për dashamirësinë dhe sinqeritetin e tyre, i akuzuan si nxitësit kryesorë të terroristëve, siç i quanin ata shqiptarët e armatosurë. Në mesin e ushtarëve të UÇK-së pa asnjë dyshim kishte edhe kosovarë, por shumica ishin shqiptarë të RMV-së. Edhe në Kosovë pati shumë shqiptarë nga Maqedonia, por kryengritjen shqiptare të Kosovës askush nuk e quajti luftë të imponuar nga jashtë. Ishte vetëm Millosheviqi që akuzonte fuqitë e mëdha perëndimore për mbështetjen që jipnin kryengritësve dhe s‘e lejonin atë të bënte zgjidhjen e tij.

Ajo që ndodhte atëherë, para vitit 2001, dhe ajo që ndodh sot, sidomos kohëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut s‘është gjë tjetër veçse një formë e fashizmit: fashizëm demokratik. Dy studiuesë gjermanë Carolin Amlinger dhe Oliver Nachtwey i kanë kushtuar një libër të veçantë kësaj mendësie politike në librin e tyre me titull „Dëshira për shkatërrim: Elementë të demokracisë fashiste“ ( Zerstörungslust: Elemente der demokratischen Faschismus) e cila mbizotëron strukturat politike të Maqedonisë së Veriut. Serbia postmillosheviqiane është eksportuesja më e madhe në rajon e kësaj ideologjie politike dhe Maqedonia e Veriut nën Mickoski-n dhe zagarët e tij politikë importuesja më e madhe. Vetë ish kryeministri maqedonas Lupçe Georgievski thotë se kurrë në Maqedoninë e Veriut si shtet i pavarur s‘ka pasur kaq shumë ndikim Serbia sa sot. Millorad Dodiku (Milorad Dodik) dhe Gjuro Macut (Đuro Macut) janë vizitorë të mirëpritur të Shkupit politik.

Shqiptarët merren nëpër këmbë nga sllavët e Maqedonisë, siç i quan Kudusi Lama në vazhdimësi sllavishtfolësit e Maqedonisë së Veriut. Në një studim gjenetik gjerman thuhet se prezenca e gjeneve sllave në Greqi është 12%, kurse në Maqedoninë e Veriut vetëm 1% më e lartë, dmth. 13%. Ndoshta pa pjesën shqiptare të banorëve në numrin tërësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, kjo perqindje dyfishohet, por ende mbetet shumë larg 50,1% për t‘i bërë të quhen këta njerëz sllavë sipas një parimi të pranuar gjithandej statistikor për shumicën absolute, sepse duhet pranuar se përkatësia sllave dhe sllavishtfolëse nuk janë e njëjta gjë, por dy gjëra të ndryshme. Arkivi i gjakut në Ballkan është treguar si arkivi më i saktë, i pa falsifikueshëm. Njerëzit gjatë historisë kanë ndërruar gjuhë dhe fe, por vatrën e tyre e kanë ruajtur. Bllazhe Koneski (Blaže Koneski) si studiues shumë i ri, në vitin 1946 e kryesoi komisionin që e kodifikoi gjuhën maqedonase duke futur në fjalorin e saj nja 10% të fjalëve serbe, edhepse maqedonishtja e atëhershme në pikëpamje linguistike ishte shumë më e afërt me bullgarishten sesa me serbishten, por për Bllazhe Koneskin peshoi më shumë elementi politik, ngase serbët ishin në anën e fitimtarëve, kurse bullgarët në anën e humbësve. Sidoqoftë, që nga kjo kohë maqedonasit sllavë u orientuan më shumë kah Beogradi sesa nga Sofja. Këtu një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe vetë Titoja, Kominterni dhe fuqitë e mëdha europiane që e njihnin kombin maqedonas. Kështu u formua Republika Popullore e Maqedonisë si republikë e federuar në Jugosllavi. Titos i duhej një Maqedoni si republikë për ta kontrolluar nacionalizmin serb. Në fakt Republika e Maqedonisë, sado që thirrej në Maqedoninë e lashtë të Aleksandrit të Madh, ishte vazhdimësi e Maqedonisë Osmane me shumë territore shqiptare dhe me qytete e mëdha me shumicë absolute shqiptare. Ç’është e vërteta pjesa e Maqedonisë së lashtë aleksandrine në pikëpamje territoriale s‘ishte veçse një pjesë e vogël e Maqedonisë Veriore të sotme. Të gjitha qytetet e mëdha në Maqedoni ose ishin shqiptare, ose mbizotëroheshin, deri në 80% të popullsisë si në rastin e Shkupit, nga shqiptarët. Kudusi Lama shkruan duke iu referuar Sami Frashërit se 62% e Ballkanit i përket shqiptarëve. Edhe prona në masën 60% e Maqedonisë deri në vitin 1913 kishte qenë shqiptare. Pas Luftërave Ballkanike gjendja ndryshoi dramatikisht, me luftë, jo me evolucion. Shqiptarët mbetën pa plang e shtëpi dhe filluan te trajtoheshin si mysafirë në tokën e tyre. Kudusi Lama si autor nuk thirret asnjëherë në të drejtën historike, por vë përballë paturpsisë së pretendimeve akademike maqedonase faktin se nuk ishin shqiptarët ata që u dyndën në këtë hapsirë në shekullin e IX e të X pas Krishtit, kështuqë akademikët maqedonasë s‘kanë kurrëfarë të drejte morale t‘i quajnë mysafirë shqiptarët dhe paraardhësit e tyre ilirë, të cilët ishin në këto troje me mijëra vjet para ardhjes së sllavëve. Sidoqoftë, ai s‘i jep shumë rëndësi këtij fakti, vetëm se do t‘iu mbajë një ligjëratë autorëve të Enciklopedisë Maqedonase të vitit 2009 që të mos bien aq poshtë, sa ta keqinterpretojnë e instrumentalizojnë historinë e vendit për nevojat e politikës ditore. Historianët, sipas Kudusi Lamës, demisionojnë kur bëhen shërbëtorë të politikës. Mendoj se fakti që ai në vazhdimësi i quan maqedonasit si sllavë të Maqedonisë lidhet me faktin se të drejtën morale për kah lashtësia për ta konsideruar veten maqedonas e kanë më parë shqiptarët se ata që e konsiderojnë veten sllavë. Është e vërtetë që shqiptarët u islamizuan pas pushtimit turk të Mesjetës, por kjo nuk do të thotë se ara erdhën pas turqëve në këto troje. Përmes pranimit të islamit, shqiptarët i ruajtën vendbanimet e tyre. Vetë krishterimin ortodoks sllavët e morën nga vendasit ilirë dhe s’e sollën nga stepat e veriut. Ata, në vendbanimet parake, s’kishin pasur mundësi të binin në kontakt me asnjë formë të besimit të krishterë. Kishterimi i maqedonasëve është rrjedhojë e kontaktit me banorët ilirë që i gjetën në atdheun e tyre të ri. Në vitin 2001 Ushtria e Maqedonisë e udhëhequr nga gjenerali Pande Petrovski shkatërroi manastire ortodokse në përpjekjen e saj për t‘i dhënë karakter fetar luftës mes shqiptarëve mulimanë dhe maqedonasve pravosllavë.
Në postromanin e tij „Enciklopedi imagjinare“ shkrimtari nga Kosova Bajram Kosumi ka disa zëra edhe për Maqedoninë. Në njërin prej tyre ai shkruan se në territorin e sotëm të Maqedonisë Serbia, Bullgaria dhe Greqia bënin një luftë të madhe mes vete për përvetësimin e maqedonasve, të cilët përkatësinë e tyre kombëtare e konvertonin në para dhe deklaroheshin si serbë, grekë e bullgarë në varësi të parave që merrnin. Nëse do ta vlerësonim romanin e Bajram Kosumit me kriteret që etablon Kudusi Lama në librin e tij, atëherë shumë më objektiv ëshrë ky roman se të ashtuquajturat punime shkencore të akademikëve maqedonas.

5.
Në vitin 1945 Llazar Kolishevski (Lazar Koliševski) i kërkonte leje Josip Broz Titos (Josip Broz Tito) për t‘a shkatërruar një pjesë të arkivit të Kishës Ortodokse në Maqedoni me arsyetimin se në arkiv kishte shumë dokumente serbe nga koha kur ata e kontrollonin Kishën e Maqedonisë. Dyshimi im është se Llazar Kolishevski shkatërroi dokumenta të kishës që dëshmoninë praninë e shqiptarëve, ndryshe gjurmën imperialiste serbe në arkiv s‘kishte pse t‘i zhdukte, kur ato mjaftonte t‘i studionin historianët e rinj maqedonas dhe t‘i interpretonin sipas kritereve shkencore. Ekziston viti 1776 i shkatërrimit të dokumentave arkivore në Ohër, aksion që e ndërmorën grekët për të shlyer praninë e klerit shqiptar në këtë patrikanë. Jo larg nga brigjet e liqenit ështe manastiri i Shën Naumit që iu dha Serbisë në vitet 1920. Nuk e di a ka mbetur në të ndonjë gjurmë shqiptare se ai fillimisht shqiptar ishte. Maqedonia është i vetmi shtet sllav në rajon ku ende njeriu gjen shqiptarë ortodoks që mund të flasin shqip. Njëri. prej tyre dikur ishte dhe deputet i BDI-së nė Kuvendin e Maqedonisë. Albanologu gjerman Gustav Mayer ka shkruar shumë për kontrubitin ilir në përhapjen e krishterimit ortodoks, kështu që mund të thuhet se roli i tyre në përhapjen e ortodoksisë në Ballkan i ngjan rolit të murgjëve irlandezë.

Një Zot e di se çfarë dokumenta shkatërruan grekët në Ohër në vitin 1776. Ishte kohë kur diplomacia ruse po e përgatiste terrenin për zhvillimet e mëvonshme. Shkrimtari i madh Fjodor Dostojevski thoshte se politika ruse nuk duhet të përqëndrohet vetëm te sllavët, por duhet ta shtrijë aktivitetin e saj edhe te ortodokset e tjerë. Në shekullin XIX serbët i paguanin fëmijët vlleh në Bosnjë që të deklaroheshin si serbë. Petar petroviq Njegoshi ( Petar Petrović Njegoš), siç kanë treguar studimet gjenetike, s’kishte qenë sllav, edhepse sot vepra e tij „Kurora e maleve“ (Gorski vijenac) konsiderohet si njëra prej veprave klasike të letërsisë serbe. Atëbotë bullgarët rrinin mënjanë, por ajo që ndodhte i favorizonte edhe ata. Rusia, siç do të dëshmohet më vonë, e humbi dalëngadalë besimin te Bullgaria dhe u përcaktua për Serbinë si aleat. Luftërat Ballkanike dëshmojnë se politika ruse në Ballkan te bullgarët shihte vetëm aleatin rezerv. Maqedonasit atëherë nuk ishin askund. Edhe sot ata në politikėn ruse nuk janë në qendër, edhepse
programi politik i Mickoski-t mund të realizohet vetëm përmes Moskës. Fakti që gjuhën e serbizuan, pa ndonjë zor të madh, ky fakt flet kundër arsyetimit të Llazar Kolishevskit për zhdukjen e një pjese të arkivit të kishës ortodokse në Maqedoni. Duhet të kenë qenë motive rë tjera që e shtynë atë për të shkatërruar këto arkiva. Kolishevski donte t‘ua merrte perëndinë shqiptarëve, qiellin dhe tek pastaj tokën. Ende sot çdo artefakt arkeologjik që gjendet në nëntokën maqedonase dhe dëshmonë për praninë ilire në këto anë, siç ishte një rrasë varri vitin e kaluar, duhet të ruhet nga shkatërrimi nga zyrtarët e shtetit maqedonas, të cilët këto objekte arkeologjike s’i duan, sepse bien ndesh me propagandën e tyre për „njerëzit e malit“ që e populluan Maqedoninë e Veriut tek në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Manastiret ortodokse që u bombarduan nga maqedonasit, por që Perëndimit ia prezantuan si vepra të UÇK-së , synonin ta paraqisnin Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si organizatë terroriste islamike. Pikërisht në njërin nga këto manastire ortodokse thuhet se kishte një dokument që kishte të bënte me kryeheroin tonë, Gjergj Kastrioti- Skenderbeun.

6.
Maqedonasit në Shkup kanë vendosur shumë statuja të figurave historike që i njeh mbarë bota si atë të Aleksandrit të Madh e Justinianit, figura këto që i lidhnin maqedonasit e lashtë me shqiptarët. Justiniani, themelues i qytetit Iustiniana Prima nė Dardani, ishte dardan i lindur në një fshat jo larg Shkupit të sotëm. Maqedonasit e sotëm sllavishtfolës janë një amalgam i shumë popujve, ku mbizotërojnë sllavët, përderisa ata flasin në një dialekt sllav që i ofron ata më shumë me bullgarët sesa me serbët. Maqedonasit e sotëm, për paradoks, janë më tepër të orientuar kah Serbia sesa kah Bullgaria, edhepse oportuniteti politik na thotë që ata do të duhej të distancoheshin nga serbët dhe të orientoheshin kah bullgarët, të cilët tashmë kanë hyrë në BE. Mirëpo, derisa serbët e kanë pranuar autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe me njëfarë ngurrimi edhe kombin maqedonas, janë më të pëlqyer prej maqedonasve, në ndërkohë që bullgarët thonë se maqedonasit nuk janë gjë tjetër veçse bullgarë që për arsye gjeografike quhen maqedonasë. Në këto rrethana, një pjesë e madhe e maqedonasëve priren më shumë kah Serbia sesa kah Bullgaria. Sa do të zgjasë kjo serbofili në Maqedoninë e Veriut askush nuk mund ta thotë, ndoshta kjo është arsyeja që Kudusi Lama i quan sllavomaqedonasë, por një gjë është e sigurt se Bullgaria nuk do të heq dorë nga qëndrimi se maqedonasit janë bullgarë. Këto territore shqiptare që sot janë brenda Maqedonisë së Veriut janë rezultat i pushtimit serb dhe i mbështetjes së tij nga diplomacia ruse. Që kur Mickoski erdhi në krye të Qeverisë, ai i ka intensifikuar marrëdhëniet me faktorin serb në rajon. Para shkarkimit të tij nga detyra e presidentit të Republika Srpska-së në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik u prit në Shkup nga politikani maqedonas me origjinë serbe Ivan Stoilkoviq (Ivan Stoilković), kurse disa ditë më parë Shkupin e vizitoi edhe kryeministri serb Gjuro Macut. Mickoski e ka caktuar si mbikëqyrës të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit një serb, zëvendëskryeministrin Stoilkoviq që përfaqëson rreth 50.000 serbë nė Maqedoninë e Veriut. Një politikan që nuk i përfaqëson politikisht as 50.000 serbë vendos për fatin politik të 1.000.000 shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
7.
Kudusi Lama në librin e tij një kapitull ia cakton liderit. Ndoshta ky kapitull përbën faqet më interesante të librit. Kudusi Lama shkruan se fakti që erdhi deri te përfundimi i luftës dhe që s’u kthye ajo në një luftë brutale civile është meritë e drejtëpërdrejtë e këtij njeriu. Politika, edhe në kohë lufte, mbetet një art i së mundshmes, një art me të vërtetë i vështirë, por para kurdoherë politika mbetet çështje e besimit. Nuk ka politikë pa besim të zgjedhësit. Politika është kudo e vështirë, por në Maqedoninë e Veriut mund tė thuhet pa asnjë rezerve se është një art tepër i vështirë. Një kapitull tjetër i librit i kushtohet dëshmisë në Hagë të gjeneral Gëzim Ostrenit. Në librat e tij, gjeneral Ostreni sjellë gjëra shumë të rëndësishme, të cilat i vlerëson shumë gjeneral Kudusi Lama. Janë edhe dy gjeneralë të tjerë që zënë shumë hapësirë në librin e tij. Veç vlerësimit të lartë për gjeneral Gëzim Ostrenin, Kudusi Lama vlerësim shumë të lartë ka edhe për gjeneralin maqedonas Jovo Andrevski, të cilin lufta në fillim e saj e gjeti në postin e shefin të Shtabit të Përgjithshėm të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM). Andrevski dha dorëheqje që në fillim nga kjo pozitë, sepse nuk deshi që të kryejë ushtarakisht misionin e politikanëve maqedonas. Andrevski ishte një njeri me parime të forta dhe përgjegjësi të veçantë politike dhe njerëzore. Ai nuk deshi që t’i përgjak duart e tij me gjakun e pafajshëm të qytetarëve të tij. E dinte se një problem politik nuk zgjidhet me mjete ushtarake pa një çmim të lartë për jetën e ushtarëve dhe të qytetarëve, ndaj dhe iu tha politikanëve që ta zgjidhnin vetë problemin që kishin krijuar. Zgjidhjet ushtarake të problemeve bëhen vetëm duke derdhur gjakun e qytetarëve të pafajshëm. Kjo ishte arsyeja që gjeneral Andrevski e refuzoi këtë opsion. Gjenerali që erdhi pas tij ishte Pande Petrovski, i cili u zotua që këtyre problemeve politike t‘u japë një zgjidhje ushtarake. Kudusi Lame e akuzon atë si kriminel lufte. Petrovski vdiç në vitin 2006 dhe kurrë s’u ndoq si kriminel lufte, por në optikën e gjeneralit shqiptarë Lama ai ishte i tillë. Për fat të keq, Petrovski si karrierist, problemin me shqiptarët e definoi si problem që iu imponua nga jashtë Maqedonisë, kështu që e përcaktoi Kosovën si vend të agresionit. Madje, gjeneral Petrovski ishte i bindur se fshehtësitë operacionale ushtarake dilnin nga instancat më të larta politike. Disa vite pas luftës presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski vdiç në Bosnjë, në një fatkeqësi ajrore. Për Petrovskin Trajkovski ishte një tradhëtar, sado që ai nuk e përdori kurrë në publik fjalën „tradhëtar“. Kush nuk e ka lexuar librin e Kudusi Lamës, nuk mund ta kuptojë plotësisht enigmën e vdekjes së Trajkovskit. Ky president maqedonas mund të ketë bërë edhe gabime, por ishte një njeri që manifestoi humanizëm e përgjegjësi shtetërore të lartë. Petrovski u zotua se do ta zgjidhte me forcë ushtarake konfliktin në Maqedoni, por lufta përfundoi me nëshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, kështu që premtimet e tij mbetën vetëm premtime. Petrovski na ka lėnë një libër që mbanë titullin „Dëshmi 2001“ (Svedoštva 2001), libër ky që është përkthyer edhe në anglisht në vitin 2015, gjë që tregon se Marrëveshja e Ohrit u përkrah vetëm me fjalë nga një pjesë e spektrit politik dhe ushtarak të maqedonasëve sllavishtfolës. Një dorë politikanësh dhe gjenerali Petrovski dhe ushtarakë të tjerë si ai iu nënshtruan kërkesave amerikane vetëm për arsye taktike, por ata në thelb s’e pranuan kurrë logjikën paqësore të kësaj marrëveshjeje të zgjuar e shpëtimtare. Gjendja e sotme në Maqedoninë e Veriut ku kërkohet një marrëveshje e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve e dëshmon më së miri taktikën dyfytyrshe të atyre maqedonasve që e donin luftën si mjet për zgjidhjen e problemeve me shqiptarët. 24 vjet më vonë, nė Maqedoninë e Veriut janë shfaqur elemetë politikë që duan një marrëveshje të re me shqiptarët e VLEN-it. Ajo që po ndodh sot me Mickoski-n s‘është gjë tjetër veçse një formë e sabotimit të Marrëveshjes së Ohrit, si një zgjidhje e problemeve maqedonase-shqiptare dhe kështu caktimi i një kornizeje të re ndërkombëtare për mosmarrëveshjet mes këtyre dy popujve në kontest. Maqedonasit duan ta shfrytëzojnë klimën e re ndërkombëtare pas ardhjes së Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Vetë fakti që për zbatimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare është caktuar një politikan serb, Soilkoviqi, tregon se cili është synimi i vërtetë i Hristijan Mickoski-t. Maqedonia e Veriut po funksionon si një demokraci fashiste. Iluminizmi politik është në një krizë të madhe. Pushteti e ushqen filozofinë politike të armiqësisë mes maqedonasëve dhe shqiptare. Sipas Mickoski-t në truallin e Maqedonisë së Veriut mund të instalohet një demokraci fashiste. Vota e shqiptarëve mund t‘i lëviz gurët e lojës ashtu që ai ta heq maskën pas 19 terorit 2025. Me sa duket, një pjesë e maqedonasve e ka ndarë mendjen për ta përkrahur kursin konfrontativ të Hristijan Mickoski-t. Por synimet e tij mund të realizohen, vetëm nëse strategjia luftarake e Putin-it triumfon në Ukrainë. Donald Trump-i s’e besoj se do të binte në kurthin e Mickoski-t. Mickoski po e sfidon gjithë komunitetin perëndimor, duke u pozicionuar pro Putinit. Cila do të jetë e ardhmja e tij politike, është vështirë të thuhet, por shenjat janë se ai po e çon Maqedoninë e Veriut drejt një lufte të re. Atë që s‘e bëri gjeneral Pandevski, Mickoski do që ta realizojë në praktikë nga pozicioni i politikanit, dmth. ta fusë Maqedoninë e Veriut në një luftë civile. A do ta lejojë Perëndimi këtë gjë, nuk e di, por shqiptarët me siguri do të rezistojnë dhe do ta bëjnë të pamundshme një politikë të tillë fashiste. Brezi i ri tek i cili ka shumë besim gjeneral Kudusi Lama, do tė dijë t‘u jap zgjidhjen e duhur këtyre sfidave të reja. Politikanët tanë duhet të bëjnë gjithçka që të ruajnë mbështetjen e aleatëve tanë, sepse kjo luftë me maqedonasit fanatikë vetëm nuk mund të fitohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Tubimi i fundit e dëshmoi se populli…