
Energjia fantazmë: Si harxhohet rryma pa u vërejtur
Dritat janë të fikura, shtëpia është e qetë dhe duket se asgjë nuk është duke punuar. Por, elektriciteti qarkullon heshtazi përmes prizave në shtëpinë tuaj. Ky konsum i fshehtë njihet si energjia fantazmë.
E njohur edhe si “energjia vampir”, kjo rrymë humbet kur pajisjet, që nuk përdoren, lihen të vendosura në priza. Këtu mund të bëjnë pjesë pajisjet shtëpiake, mbushësit e telefonave, mikrovalë, televizorë e të tjera.
Kjo energji e humbur në Shtetet e Bashkuara përbën nga 5 deri në 10 për qind të energjisë që konsumohet nga amvisëritë dhe sasia varet nga faktorët sikurse është vjetërsia e pajisjeve që lihen në prizë, tha Alexis Abramson, dekan në Shkollën për Klimë, Colombia, në Nju Jork.
“Energjia fantazmë varet nga… se çfarë lloj sistemesh keni dhe se sa janë përmirësuar ato me kalimin e kohës”, tha Abramson.
Për shembull, televizorët e mençur që janë të lidhur me internet, dhe që kanë veçori për ndezje nga telefoni dhe që lidhen me pajisje të tjera, mund të konsumojnë deri në 40 vatë energji gjatë orëve të ditës kur normalisht një televizor do të ishte i ndalur, sipas Matt Malinowski, drejtor i programit të Këshillit amerikan për ekonomi me efiçiencë energjetike. Kjo i bie që konsumi është pothuajse 40 herë më i lartë sesa i një televizori të zakonshëm.
“Lajmi i mirë është se ka pasur përpjekje të reja për ta adresuar këtë çështje”, tha Malinowski.
Ai tha se avokuesit dhe prodhuesit kanë arritur një marrëveshje që synon reduktimin e sasisë së energjisë që televizorët e mençur përdorin kur janë në opsionin “standby”.
Energjia fantazmë kontribuon në ndryshimet klimatike sepse energjia e humbur nga pajisjet që nuk përdoren mund të rrisin kërkesën për rrymë nga burimet që lëshojnë emetime që e ngrohin planetin. Aidan Charron, drejtor në Ditën Globale të Tokës, tha se përderisa sasia e kësaj energjie të humbur mund të duket e vogël kur një person sheh vetëm faturën e tij të energjisë, kostoja mjedisore e energjisë fantazmë është e konsiderueshme kur llogaritet për të gjitha shtëpitë në mbarë ShBA-në.
“Vetëm hiqni nga priza gjërat që nuk i përdorni”, tha Charron. “Do t’iu kursejë para dhe do të ndikojë në emetimet në një plan afatgjatë”.
Çfarë mund të bëni?
Disa nga shkaktarët kryesorë të energjisë që humb janë pajisjet që vazhdimisht janë të lidhura me rrymë.
“A ju duhet me të vërtetë që mikrovala e juaj të ju tregojë orën, apo thjesht mund ta hiqni atë nga priza kur nuk jeni duke e përdorur?”, tha Charron.
Përderisa heqja nga priza e pajisjeve mund të duket e lodhshme, një gjë e tillë kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në uljen e emetimeve.
Charron rekomandoi që njerëzit të nisin me hapa të vegjël, sikurse është heqja nga priza e mbushësve të telefonave dhe pajisjeve të tjera, kur bateritë e tyre të jenë mbushur plotësisht. Hapi tjetër, sipas tij, është heqja nga priza e pajisjeve të tjera, sikurse ndonjë llambë që nuk përdoret.
Nëse heqja nga priza duket gjë e rëndë, ai rekomandon që të kontrollohen shpesh veçoritë e pajisjeve dhe të çaktivizohen funksionet shtesë, me qëllim që të ulet konsumi i energjisë. Për shembull, televizorët e mençur shpesh kanë veçori që mund të çaktivizohen, në mënyrë që ata të mos marrë sinjale nga pajisjet e tjera kur është në opsionin “standby”.
“Nëse nuk e përdorni, nuk merrni asnjë përfitim nga pajisja. Por, ju paguani për energjinë dhe e rrisni konsumin e energjisë”, tha Malinowski.
Si mund ta bëjnë dallimin veprimet individuale?
Njerëzit gjithashtu priren të ndërmarrin veprime më të qëndrueshme, sikurse heqja nga priza e pajisjeve, sapo mësojnë se çfarë mund të bëjnë për të reduktuar në mënyrë efikase emetimet e shtëpisë së tyre. Këto veprime mund të kontribuojnë në uljen e emetimeve të SHBA-së me rreth 20 për qind në vit, që përkthehet në rreth 450 tonë dyoksid karboni, sipas Jonathan Gilligan, profesor i shkencave mjedisit në Universitetin Vanderbilt.
Gilligan tha se zgjedhjet që njerëzit bëjnë në jetën e përditshme grumbullohen, kryesisht për shkak të ndikimit të madh që popullsia e SHBA-së ka në emetimet direkte të gazrave serrë.
“Ngrihet pyetja: çfarë mund të bëjmë për ta adresuar këtë?”, tha Gilligan. “Energjia fantazmë është një pjesë e kësaj”.
Sa më shumë që njerëzit të ulin ndikimin e tyre në mjedis, aq më e mundshme është që të tjerët të ndjekin shembullin, dhe me kohë, këto veprime mund të shndërrohen në norma shoqërore, tha Gilligan, sepse, sipas tij, njerëzit nuk duan të ndihen se janë të pakujdesshëm.
“Kjo është një fushë ku psikologët kanë konstatuar se ky efekt është real. Nëse njerëzit shohin që të tjerët po ndërmarrin veprime për të reduktuar emetimet e tyre të gazrave serrë, ata gjithashtu dëshirojnë ta bëjnë këtë”, tha Gilligan.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e përditshme, njerëzit mund të mendojnë se ajo që bëjnë nuk ka një ndikim të madh. Por, ajo që ata zakonisht nënvlerësojnë është se si ata ndikojnë te të tjerët duke zgjedhur të jetojnë në një mënyrë më të qëndrueshme.
Ndikimi mund të jetë shumë më i fuqishëm se sa shumë njerëz e mendojnë, tha Gilligan.