
Enrique flet për vajzën e tij të ndjerë pas finales, por nuk harron ta përmend edhe Kylian Mbappen
Luis Enrique është një nga fituesit më të mëdhenj të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, pas triumfit historik të PSG-së.
Ky është titulli i parë evropian për klubin francez, i arritur me një dominim absolut në finale duke mposhtur Interin 5-0.
Në konferencën pas finales, trajneri spanjoll nuk e fshehu emocionin. Ai ndau gëzimin me gazetarët dhe gjeti një moment për të kujtuar vajzën e tij, Xana, e cila ndërroi jetë në vitin 2019.
“Xana është gjithmonë me mua, në fitore dhe madje edhe më shumë në humbje”, tha Enrique.
“Ajo është pjesë e familjes sime, që gjithmonë më mbështet. Nuk është koha për trishtim, ajo do të jetë gjithmonë me ne.”
Ai komentoi edhe banerin që i ishte dedikuar nga tifozët e PSG-së, duke e cilësuar si një gjest “të pabesueshëm” dhe shumë prekës për të dhe familjen e tij.
Në lidhje me Kylian Mbappe, tashmë lojtar i Real Madridit, Enrique tregoi klas duke folur për të.
“Do të na kishte pëlqyer ta kishim Mbappen, por ai zgjodhi ndryshe. Ne kemi treguar se te PSG-ja, yjet janë në shërbim të ekipit, jo e kundërta”, tha Enrique.
Pas ndeshjes, Enrique hoqi fanellën e PSG-së dhe veshi një bluzë të veçantë nga ‘Fondacioni Xana’. Në të ishte vizatuar një moment i paharrueshëm nga Berlini, që përfaqësonte emocionin dhe lidhjen familjare.
Ndërkohë, tifozët e PSG-së kishin përgatitur një surprizë në tribuna: një banderolë gjigante kushtuar Xanas dhe familjes Enrique, që përforcoi edhe më shumë ndjesinë njerëzore të këtij suksesi të madh. /Telegrafi/