
Enrique: Të fitojmë Ligën e Kampionëve
Paris Saint-Germain është një hap larg shkrimit të historisë, pasi synon të fitojë për herë të parë Ligën e Kampionëve.
Gjithçka do të varet nga rezultati i finales kundër Inter, këtë të shtunë, më 31 maj në Mynih. Në intervistën e dhënë për UEFA, trajneri i PSG, Luis Enrique, ka thënë: “Ajo që më motivon më shumë është të bëj historinë me PSG, gjë për të cilën kam ardhur këtu: Të fitoj për herë të parë Ligën e Kampionëve”.
“E para është gjithmonë më e vështira, është si Botërori i parë për Spanjën. Dikush duhet të udhëheqë rrugën dhe të thotë, ‘Ne mund ta bëjmë këtë!’. Nëse e bëjmë ne, mund ta bëjnë edhe brezat e ardhshëm”, ka shtuar Enrique.
Ai u fokusua në dy vitet e kaluara në PSG: “Ndryshimi dhe evolucioni i ekipit janë evident. Objektivi ynë ishte të krijonim gradualisht diçka ndryshe, e cila mund të tërhiqte lojtarët në Paris. Ne duhej të bënim blerjet e duhura. Ne besuam në profilin e lojtarëve që kërkonim, si Willian Pacho, Joao Neves dhe Desire Doue. Të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin. Të gjithë më dhanë besim të plotë kur mbërrita dhe nuk u ndjeva kurrë nën presion. Vitin e kaluar ishim afër finales”.
“Fituam kampionatin, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës, që është e mrekullueshme, por Liga e Kampionëve ka qenë prioriteti i klubit për një kohë të gjatë. Unë nuk jam dikush që planifikon të fitojë tituj në tre ose katër vjet”, ka perfunduar Luis Enrique.