Enver Hasani: Nëse Kushtetuesja jep urdhër për zgjedhje të reja, do ta kompromentohej rendin kushtetues

26 korrik 2025 | 18:11

Shkuarja në zgjedhje të reja me urdhër të Gjykatës Kushtetuese si pasojë e ngërçit në Kuvend do ta komprometonte rëndë këtë institucion, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai, në një intervistë me shkrim për KosovaPress, thotë se pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ani pse tejkalohet afati tridhjetë ditorë i Gjykatës Kushtetuese, ku ka obliguar deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Në ditën e fundit të këtij afati, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sot të zgjedhin trupat e legjislativit edhe në përpjekjen e 53-të, derisa pritet të mblidhen edhe një herë të shtunën në orën 22:00.

Gjykata Kushtetuese më 24 korrik ka nxjerrë masë të përkohshme për seancën konstituive, ku ua ndalon deputetëve të marrin vendime nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Përkitazi me këtë, Hasani thotë se Kushtetuesja, në aktgjykimin final pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, do të konstatojë se deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo prej 1 majit, kur është propozuar votimi i fshehtë për kryeparlamentarin, ka nisur gjendja jo-kushtetuese, që tani duhet të adresohet nga Kushtetuesja.

“Shkuarja në zgjedhje me urdhër të Gjykatës Kushtetuese do ta komprometonte rëndë këtë institucion aq thelbësor për Kosovën dhe për rrugën e saj euroatlantike. Kjo për dy arsye të pakontestueshme. Së pari, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse një Kuvend që nuk është konstituaur thjesht nuk ekziston në rendin kushtetues. Kjo është çështje elementare e logjikës juridike dhe e teorisë së shtetit. Një veprim i tillë do të ishte një anomali e paimagjinueshme në ndonjë sistem serioz kushtetues: do të futeshim realisht në Librin e Ginisit për absurditete juridiko-kushtetuese. Më tej, një precedent i tillë do të hapte rrugën që pas çdo cikli zgjedhor, subjektet humbëse të instrumentalizonin kryesuesin e përkohshëm për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, duke e shndërruar rendin parlamentar në një krizë ciklike dhe duke instaluar anarki institucionale të qëndrueshme. Në zgjedhjet tjera, beteja do të ishte për gjetjen e një kandidati sa më të moshuar për deputet”, thekson ai.

Sipas tij, Gjykata duhet të sqarojë vetëm edhe një çështje – sa herë mund të propozohet i njëjti kandidat brenda afatit tridhjetëditor, duke llogaritur nga dita kur ka nisur jo-kushtetutshmëria për shkak të veprimit të Avni Deharit.

Hasani thotë se edhe nëse do të pranohej, për hir të diskutimit teorik, se Kuvendi është formalisht i konstituuar, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund dhe nuk do të duhej të jepte një urdhër për shpërndarje të Kuvendit apo për organizim zgjedhjesh.

Ai thekson se dekretimi për shkuarje në zgjedhje, në rast krize, mund të ndodhë vetëm si sanksion kushtetues, përmes procesit të decertifikimit të të zgjedhurve të parë të popullit.

Duke komentuar aktgjykimin e mundshëm të Kushtetueses, pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, Hasani thotë se Gjykata Kushtetuese ka për të konstatuar që deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo sipas tij pas asaj dite ka nisur një gjendje jo-kushtetuese, e cila tani duhet të adresohet nga vetë Gjykata.

“Nuk ka rrugë tjetër që Gjykata mund ta justifikojë këtë situatë. Nëse vepron ndryshe, komprometohet”, tha ai.

 KOSOVAPRESS: Çfarë mund të pritet nga Gjykata Kushtetetuse pas vendimit për masën e përkohshme?

HASANI: Besoj se Gjykata Kushtetuese ka për të konstatuar që deri në ndërrimin e rendit të ditës nga Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Pas asaj dite ka nisur një gjendje jokushtetuese, e cila tani duhet të adresohet nga vetë Gjykata.

Këtë e bazoj në faktin se në vendimin për masën e përkohshme, Gjykata ka treguar se ka kërkuar procesverbalet e seancave konstituive të Kuvendit që nga viti 2008 e tutje. Kjo do të thotë se ajo synon të thotë që deputetët duhet të ndjekin të njëjtën praktikë: votim të hapur dhe me vetëm një kandidat.

Në këtë rast, Gjykata duhet të sqarojë vetëm edhe një çështje: sa herë mund të propozohet i njëjti kandidat brenda afatit tridhjetëditor, duke llogaritur nga dita kur ka nisur jokushtetutshmëria për shkak të veprimit të Avni Deharit.

Nuk ka rrugë tjetër që Gjykata mund ta justifikojë këtë situatë. Nëse vepron ndryshe, komprometohet.

KOSOVAPRESS: Ne kete kontekst prof, nese tejkalohet afati 30-ditor pa konstituim a mund te jete pasoja juridike decertifikimi dhe zgjedhjet e reja?

HASANI: Më duhet ta përsëris me forcë: shkuarja në zgjedhje me urdhër të Gjykatës Kushtetuese do ta komprometonte rëndë këtë institucion aq thelbësor për Kosovën dhe për rrugën e saj euroatlantike. Kjo për dy arsye të pakontestueshme.

Së pari, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse një Kuvend që nuk është konstituar thjesht nuk ekziston në rendin kushtetues. Kjo është çështje elementare e logjikës juridike dhe e teorisë së shtetit. Një veprim i tillë do të ishte një anomali e paimagjinueshme në ndonjë sistem serioz kushtetues: do të futeshim realisht në Librin e Ginisit për absurditete juridiko-kushtetuese. Më tej, një precedent i tillë do të hapte rrugën që pas çdo cikli zgjedhor, subjektet humbëse të instrumentalizonin kryesuesin e përkohshëm për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, duke e shndërruar rendin parlamentar në një krizë ciklike dhe duke instaluar anarki institucionale të qëndrueshme. Në zgjedhjet tjera, beteja do të ishte për gjetjen e një kandidati sa më të moshuar për deputet!

Së dyti, edhe nëse do të pranohej, për hir të diskutimit teorik, se Kuvendi është formalisht i konstituar, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund dhe nuk do të duhej të jepte një urdhër për shpërndarje të Kuvendit apo për organizim zgjedhjesh. Një akt i tillë do të përbënte një ndërhyrje të papranueshme në fushën e vullnetit sovran të qytetarëve, si dhe një shkelje të parimit të vetëpërmbajtjes institucionale, që është një shtyllë themelore e doktrinës kushtetuese në të gjitha demokracitë evropiane. Gjykata Kushtetuese është garant i rendit kushtetues, jo aktor politik. Roli i saj është rregullator dhe i arbitërit, jo zëvendësues i vullnetit të përfaqësuesve të zgjedhur.

Ky qëndrim nuk ka të bëjë vetëm me parimet e demokracisë formale, por me ekuilibrin e ndërsjellë dhe respektin institucional mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese – dy pushtete që interpretojnë dhe mishërojnë vullnetin kushtetues të popullit, të shprehur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik dhe politik i shoqërisë sonë.

Dekretimi për shkuarje në zgjedhje, në rast krize, mund të ndodhë vetëm si sanksion kushtetues, përmes procesit të deçertifikimit të të zgjedhjurve të parë të popullit. Vetëm në këtë formë ruhet legjitimiteti i votës dhe i rendit demokratik. Edhe ky sanksion, sidoqoftë, nuk mund të jetë ndëshkim kolektiv, por duhet të jetë proporcional dhe individual, për dy arsye themelore:

E para, sepse shumica e deputetëve aktualisht po i përgjigjen detyrimit të tyre kushtetues. Mandati i deputetit në sistemin tonë kushtetues – ashtu si në shumicën e vendeve evropiane – nuk është mandat imperativ, pra nuk është i detyrueshëm në kuptimin e bindjes ndaj urdhrave të një autoriteti të jashtëm politik.

E dyta, një pjesë e deputetëve që nuk po marrin pjesë në votim nuk po shkelin detyrimin kushtetues, por po e refuzojnë një proces të deformuar dhe jokushtetues, të imponuar nga z. Avni Dehari. Kjo përbën shprehje të ndërgjegjes parlamentare dhe të autonomisë së mandatit të deputetit, e cila është e paprekshme dhe e mbrojtur me normë të drejtëpërdrejtë kushtetuese.

Në këtë rast, është vetë veprimi procedurial i zotit Dehari që po i privon ata deputetë nga ushtrimi i të drejtës së tyre për të votuar, në mënyrë të lirë dhe në përputhje me praktikën e deritanishme të konstituimit të Kuvendit – përmes një kandidati të vetëm dhe votimi të hapur, siç duket ka pranuar edhe vetë Gjykata, duke kërkuar procesverbalet përkatëse nga viti 2008 e këndej.

Këto janë çështje themelore dhe jo teknikalitete procedurale. Ato kanë të bëjnë me vetë legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit kushtetues. Prandaj, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të veprojë me maturi, në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe në përputhje me parimet e ndërtimit kushtetues modern evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj,…