
Enver Hasani për Bukoshin: E keqpërdorën mirësinë e tij
Profesori Enver Hasani ka kujtuar Bujar Bukoshin, pas vdekjes së tij.
Hasani ka thënë se Bukoshi ishte i ditur dhe i besës.
“Në kujtim të dr. Bujar Bukoshit. Me dr. Bujarin kemi kaluar gjashtë vjet të gjata në ekzil – vite pune, sfidash e idealizmi. Ishte njeri i rrallë: i ditur e i butë, i fjalës e i besës, stoik në karakter e i drejtë si pak kush. I pajisur me një ndjenjë të thellë për çdo fushë të jetës publike, edhe pse vinte nga mjekësia, ai e ndiente shtetin si organizëm të gjallë, që duhej shëruar me maturi, moral dhe vetëflijim. Fatkeqësisht, ai besonte shumë, shpesh deri në naivitet, dhe zemrën e tij të bardhë ia lanë në duar njerëz që nuk e meritonin. E keqpërdorën mirësinë e tij, pa ia kuptuar as thellësinë, as pasionin. Por ai nuk u lig, sepse besonte më shumë te nderi sesa te rezultati. Lamtumirë, mik i mirë, i qoftë i lehtë dheu i Kosovës që e deshi dhe i shërbeu pa kursim”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.