
Enver Hasani: Tërheqja djallëzore nga presidentja është shkelje e Kushtetutës
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani ka deklaruar për KosovaPress, se tërheqja e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe përbën shkelje flagrante të saj.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kjo tërheqje është djallëzore fund e krye dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin që pritet të merret deri më 8 gusht 2025, kur skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Presidentja Osmani sot gjatë ditës në një konferencë për media, bëri të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese sa i përket pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, brenda afatit tridhjetëditor, duke thënë se tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.
Osmani u arsyetua se ka tërhequr kërkesën për arsye se gjyqtar raportues është caktuar Radomir Laban dhe meqë i njëjti, sipas institucioneve të sigurisë, cenon sigurinë kombëtare.
Lidhur me këtë, Hasani tha se kjo arsye është një pretekst dhe turp i madh, si dhe një njollë e pashlyeshme për institucionin e Presidentit të Kosovës.
Intervista e plotë me profesorin e të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani.
Kosova Press: Si po e shihni vendimin e presidentes Osmani për të tërhequr kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me sqarimin për pasojat juridike me rastin e tejkalimit të afatit 30-ditor për moskonstituimin e Kuvendit?
Hasani: Kjo tërheqje është djallëzore fund e krye dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin që pritet të merret deri më 8 gusht 2025, kur skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Si veprim, është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përbën shkelje flagrante të saj. Presidenti i Kosovës nuk guxon të bëjë prononcime të tilla në një kohë kur pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për çështje të tjera shumë më të rëndësishme.
Kërkesa e saj ka qenë fiktive dhe qartazi e pabazuar. Ajo është juriste dhe e di mirë këtë gjë. Por ka paraqitur kërkesën me qëllim të goditjes së Gjykatës Kushtetuese, duke ditur që ky institucion ka vetëm 7 gjyqtarë, sa është kuorumi, dhe se duke eliminuar njërin prej tyre, do të paralizonte e bllokonte Gjykatën për çdo vendimmarrje në proces e sipër lidhur me kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova Press: Arsyetimi i saj ishte se për këtë rast është caktuar gjyqtari Radomir Laban. Sa i shihni valide pretendimet e saj?
Hasani: Kjo është një pretekst dhe një turp i madh, një njollë e pashlyeshme për institucionin e Presidentit të Kosovës. Veprimi, si i tillë, është tërësisht fiktiv dhe synon goditjen ndaj Gjykatës, me qëllim paralizimin e punës së saj. Zoti Radomir Laban është aty që 7 vjet, nëse nuk gaboj, dhe ajo ka pasur këto informata për të që nga dita e parë e nisjes së mandatit të saj si Presidente e Kosovës. Ajo i ka ditur këto të dhëna edhe para një muaji, kur e paraqiti kërkesën – një kërkesë krejtësisht fiktive dhe me të vetmin qëllim: paralizimin dhe bllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më lejoni t’ju them se Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ka mekanizma dhe instrumente vetëimunizuese për të tejkaluar situatat fiktive dhe djallëzore si kjo e krijuar nga zonja Osmani. Dua të besoj se Gjykata nuk do t’i nënshtrohet këtij shantazhi dhe do të vazhdojë me punën e saj dhe të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.