Enver Hoxhaj vlerëson dorëheqjen e Ramush Haradinaj nga drejtimi i AAK-së: Shembull i përgjegjësisë dhe guximit politik
Ish ministri, deputeti, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga drejtimi i AAK-së.
Ai ka vlerësuar angazhimin e Haradinajt në ndërtimin e shtetndërtimit të vendit, dhe angazhimin e tij në luftën çlirimtare.
Hoxhaj ka theksuar se dorëheqja e tij nga kryetari i AAK-së është shprehje e vetëdijes së lartë të një politikani, i cili dëshiron të hapë rrugë, duke dëshmuar se është guximtar në paqe, ashtu siç ishte trim në luftë.
“Ramush Haradinajt i shpreh respekt për bashkëpunimin institucional dhe për vendimet që kemi marrë së bashku në shërbim të shtetit, në kohë jo të lehta për Kosovën. Kontributi i tij dhe i familjes së tij në luftën çlirimtare dhe në konsolidimin e shtetësisë sonë është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Republikës. Kosova është ndërtuar mbi sakrificë, përgjegjësi dhe vizion shtetformues, vlera që duhet t’i ruajmë dhe forcojmë çdo ditë. Akti i dorëheqjes së z. Haradinaj është shprehje e vetëdijes së lartë të një politikani, i cili dëshiron të hapë rrugë, duke dëshmuar se është guximtar në paqe, ashtu siç ishte trim në luftë. Ky është një shembull që do të na shërbejë si mësim për të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.



