Enzo Maresca dërgon paralajmërim tek tre lojtarë të Chelseat

24 gusht 2025 | 13:19

Chelsea shënoi fitoren e parë të sezonit me një triumf të thellë 5-1 ndaj West Ham në “London Stadium”.

Trajneri Enzo Maresca u shfaq i entuziazmuar me ekipin e tij, por theksoi se disa lojtarë të rinj si Estevao, Jamie Gittens dhe Jorrel Hato kanë ende nevojë për kohë për t’u përshtatur me Ligën Premier.

Ndeshja nisi me emocione, pasi një gabim i Estevaos i dha mundësinë Lucas Paquetas të shënonte nga distanca në minutën e gjashtë. Megjithatë, reagimi i “Bluve” ishte i menjëhershëm, me Joao Pedro dhe Pedro Neto që përmbysën rezultatin, ndërsa Enzo Fernandez e thelloi epërsinë para pushimit.

Në fillim të pjesës së dytë, Moises Caicedo dhe Trevoh Chalobah shtuan edhe dy gola të shpejtë, duke vulosur fitoren me stil. Përballë kësaj furie sulmuese, West Ham nuk pati përgjigje dhe trajneri Graham Potter u duk i dëshpëruar teksa gjyqtari sinjalizoi fundin e takimit.

Mbrëmja e madhe e Chelseat u zbeh disi nga mungesa e Cole Palmer, i cili u tërhoq para ndeshjes për shkak të një dëmtimi në ijë. “Ai nuk ishte 100 për qind i gatshëm dhe gjatë ngrohjes ndjeu shqetësim, ndaj vendosëm të mos rrezikonim”, deklaroi Maresca, duke shtuar se gjendja e tij do të vlerësohet në orët e ardhshme.

Italiani lavdëroi Palmerin për përpjekjen që bëri për t’u paraqitur në fushë, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj skuadrës dhe tifozëve. “Ai po jep gjithçka për klubin, edhe kur nuk është në gjendje optimale”, u shpreh trajneri.

Një tjetër pikë diskutimi ishte debutimi i plotë i Estevaos në Premier League. Megjithëse gabimi i tij solli golin e West Hamit, Maresca u shpreh i kënaqur me reagimin e 18-vjeçarit: “Ai duhet të mësojë nga gabimet, por në tërësi bëri një paraqitje shumë të mirë.”

Trajneri pranoi se disa prej lojtarëve të rinj janë ende në proces përshtatjeje, ndërsa veçoi Joao Pedron dhe Liam Delapin si më të përgatitur falë përvojës së tyre në Angli. “Gittens, Estevao dhe Hato kanë nevojë për kohë, por të gjithë janë lojtarë fantastikë”, theksoi ai.

Në fund, Maresca u pyet për vendimin për të aktivizuar së bashku Pedro dhe Delapin në sulm.

“Pashë që mund të luajnë bashkë dhe mendoj se funksionoi mirë. Sigurisht që kemi ende shumë për të përmirësuar, por jam i kënaqur me mënyrën si skuadra i qëndroi planit të lojës”, përfundoi trajneri i Chelseat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka…