‘Epopeja e UÇK’-së, shoqata ‘Jehona e Malësisë’ vendos kurorë lulesh pranë varrit të Adem Jasharit
Me rastin e “Epopesë së UÇK”-së, shoqata “Jehona e Malësisë” në Michigan, ka vendosur të shtunën kurorë lulesh pranë varrit të komandantit legjendar Adem Jashari, duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen më të thellë për sakrificën e tij dhe të gjithë familjes heroike Jashari, të cilët janë bërë simbol i qëndresës dhe themel i lavdishëm i luftës çlirimtare të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në postimin në faqen zyrtare në “Facebook”, kjo shoqatë ka theksuar se UÇK-ja si ushtri që mishëroi idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar, mbetet një nga kapitujt më të ndritur të historisë së popullit shqiptar në Kosovë.
Sipas kësaj shoqate, lufta dhe sakrifica e familjes Jashari është bërë dritë shprese për popullin e Kosovës dhe në frymëzim për brezat që do të vijnë.
“Familja Jashari është simbol i sakrificës së madhe që i dha forcë dhe legjitimitet luftës së UÇK-së, duke e kthyer qëndresën në një thirrje kombëtare për liri, dinjitet dhe drejtësi”.
“Me përulje dhe respekt të thellë, u përkujtuan edhe të gjithë dëshmorët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët me gjakun dhe trimërinë e tyre i hapën rrugën lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së. Lavdi”, ka theksuar Shoqata “Jehona e Malësisë”.



