Erdogan: Do t’i mbështesë shqiptarët ‘në të mirë e në të keq’

21 shkurt 2024 | 09:20

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një qëndrim të fortë pas një takimi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Ankara, ku ka thënë se Turqia do t’i mbështesë shqiptarët në të mirë e në të keq, ashtu si ka bërë deri tani.

Këtë, Erdogan, e thekson përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, ku ka shpërndarë edhe një video të shkurtër me pamje dhe përmbajtje nga takimi i 20 shkurtit.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim popullin shqiptar në kohë të mira dhe të këqija, siç kemi bërë deri tani”, shkruan Erdogan në diçiturë.

Gjatë një konference shtypi me kryeministrin Rama në Ankara, si Erdogan, ashtu edhe kreu i ekzekutivit shqiptar, e përmendën disa herë bashkëpunimin e shkëlqyer mes vendeve, forcimin e lidhjeve dhe ndihmën reciproke.

Por, nuk mbetën pas edhe kërkesat e shtuara, mbi të gjitha për çështjen e eksponentëve të grupimit FETO në Shqipëri, të cilin Turqia e ka shpallur organizatë terroriste.

Por, çfarë u tha në tërësi në këtë takim?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat pas zhvillimit të samitit dy palësh.

Dy liderët bënë me dije se kanë folur për një sërë temash që nisin nga bashkëpunimi ekonomik, mbrojtës, politika globale dhe ajo rajonale.

Në fjalën e tij, presidenti i Turqisë ka përsëritur një kërkesë të bërë tashmë dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai kërkon “pastrimin e mbetjeve të FETO-s”.

Nga Ankaraja pas firmosjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme mes dy vendeve, Erdogan u shpreh se “mbetjet e FETO-s” vijojnë të hedhin “hije mbi marrëdhëniet tona”.

Gjithsesi Erdogan theksoi se është shumë i kënaqur që e mirëpret Ramën në Ankara, në rastin e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit.

“Vitin e kaluar festuam 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Bashkëpunimi vijon”, tha presidenti turk.

Sipas tij, në këtë mbledhje të parë u konfirmua vendosmëria për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai shprehu bindjen se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë kontribuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkan dhe si dy aleate të NATO-s.

“Në periudhat në vijim do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë në lidhje me Ballkanin. Jemi të vendosur që të thellojmë edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe ushtarake. Këtë e tregon edhe marrëveshja ushtarake kuadër që u nënshkrua pak më parë”.

Ai përshëndeti gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë gjatë një votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në dhjetor, i cili kërkoi një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.

Presidenti turk tha se Tirana ishte në anën e duhur të historisë, pasi vuri në dukje se solidariteti i Shqipërisë me popullin palestinez është jetik.

Erdogan e vendosi theksin te bashkëpunimi ekonomik, ku shprehu bindjen se volumi tregtar synon të arrijë shifrën e 2 miliardë dollarëve.

Presidenti turk solli në vëmendje se në janar të vitit 2021 dha lajmin që do ndërtonte një spital në Shqipëri.

“Vendosëm bast me zotin Rama. Ne e mbajtëm fjalën dhe e ndërtua për 2 muaj. Do ta menaxhojmë bashkë këtë spital”, tha Erdogan.

Për Ramën, basti ishte jo me të por i Erdogan me popullin shqiptar.

Rama shtoi se spitali memorial i Fierit i ngritur në kohë rekord nga Turqia, është një pararojë e reformës së sistemit  spitalor në vendin tonë, duke implementuar autonominë spitalore.

Sipas tij, autonomia spitalore do ta çojë në një nivel tjetër shërbimin shëndetësor në Shqipëri si dhe shpërblimin e drejtë dhe meritokratik të mjekëve.

Kryeministri u shpreh se janë tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë e saj në Shqipëri.

Në fjalën e tij, ai kujtoi ndihmën e dhënë nga Turqia për të kaluar tërmetin, coronavirusin, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës në kohë rekord.

Më tej, Rama foli edhe për rritjen me 30% të numrit të vizitorëve turq në Shqipëri, ku me batutë i kërkoi kreut të qeverisë turke që të mos mërzitej për një fakt të tillë.

Gjithashtu dy liderët ndanë të njëjtën pikëpamje për krijimin e dy shteteve si një prej zgjidhjes së konfliktit në Rripin e Gazës.

“Nuk diskutohet dhimbja dhe shqetësimi për atë që po ndodh në Gaza. Ne jemi të bindur se është koha për një armëpushim që duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar nga një forcë e përbashkët e 5 vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë”.

Kështu Rama shprehu bindjen se Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe Izraelin, së bashku me 5 vendet e tjera.

Marrëveshjet e firmosura

Dy kabinetet qeveritare – turke dhe shqiptare – kanë firmosur këtë të martë të 20 shkurtit 6 projekte memorandumi mirëkuptimi.

Kështu, u firmos memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Projekt memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Projektmarrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Projektmarrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Projekt memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medies dhe Komunikimit.

Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radiotelevizionit dhe Radiotelevizionit Shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka pritur…