
Erdogani falënderon Trumpin për shfaqjen e ‘vullnetit të nevojshëm politik’
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, vendi i të cilit ka luajtur një rol në negociata, ka shprehur kënaqësinë për marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Hamasit dhe Izraelit.
Në një deklaratë të postuar në “X”, Erdogani ka falënderuar Trumpin për “demonstrimin e vullnetit të nevojshëm politik”, si dhe Katarin dhe Egjiptin për lehtësimin e marrëveshjes.
Erdogani ka thënë se Turqia do të monitorojë nga afër zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces, raporton “Reuters”.
“U shpreh përshëndetjet e mia të përzemërta vëllezërve dhe motrave të mia palestinezë që kanë duruar vuajtje të papërshkrueshme për dy vjet”, ka thënë presidenti turk.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Turqisë, ka thënë se dërgimi i ndihmës humanitare në rajon është një përparësi dhe theksoi nevojën urgjente për të filluar rindërtimin e Gazës.