Erdogani thotë se është pajtuar me Putinin për zgjatjen e marrëveshjes për drithërat

14 korrik 2023 | 16:40

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka bërë me dije se ka arritur pajtim me presidentin rus, Vlaidmir Putin, që të zgjatet marrëveshja për drithërat.

Kjo marrëveshje, që skadon më 17 korrik, mundëson eksportin e drithërave nga portet në Detin e Zi të Ukrainës.

Duke folur për gazetarët, Erdogani ka thënë të premten se ka shpresë që marrëveshja të zgjatet.

Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar vitin e kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Një ditë më herët, Komisioni Evropian ka njoftuar se po ndihmon OKB-në dhe Turqinë që të zgjasin marrëveshjen dhe janë duke shqyrtuar “të gjitha mundësitë” në këtë drejtim.

Rusia vazhdimisht ka kërcënuar se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen. Ajo ka paraqitur një sërë kërkesash, sikurse heqjen e kufizimeve ndaj eksporteve bujqësore ruse dhe lidhjen e Bankës Bujqësore ruse në sistemin e pagesave SWIFT. Më herët gjatë javës, në përpjekje për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave, OKB-ja i ka ofruar qasje Rusisë në sistemin SWIFT.

Marrëveshja për drithërat ka mundësuar lehtësimin e krizës globale ushqimore, që u përkeqësua pas bllokimit të porteve ukrainase për shkak të luftës.

Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet  16.07.2023 Punime nga…