
Eric Gordy: Serbia do të duhet të pozicionohet ndaj propozimit franko-gjerman për krizën në Bosnje
Serbia do të duhet të pozicionohet ndaj propozimit franko-gjerman për dalje nga kriza institucionale në Bosnje e Hercegovinë, ka vlerësuar për “Radion Evropa e Lirë”, profesori i sociologjisë politike në Universitetin e Londrës, Eric Gordy.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, nuk ka shumë hapësirë për manovrim karshi Bashkimit Evropian për këtë çështje.
“Mendoj se ai llogarit në mbështetjen e Evropës – si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ndaj protestave kundër regjimit që po zhvillohen në Serbi tash e gjashtë muaj”, ka thënë Gordy.
Çfarë parasheh “non-paper”?
Në dokumentin jozyrtar, të njohur si “non-paper”, që thuhet se është përpiluar nga Franca dhe Gjermania, vendet e BE-së ftohen të pezullojnë projektet financiare që janë në dobi të Republikës Sërpska, si dhe të shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj zyrtarëve të këtij entiteti të Bosnjës, që “minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”.
Dokumenti propozon, gjithashtu, ndërprerjen e kontakteve me presidentin dhe me kryeministrin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Radovan Vishkoviq, si dhe me kryetarin e Kuvendit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq.
Duke komentuar këto mekanizma të propozuara, Gordy ka thënë se disa prej tyre tashmë janë zbatuar nga disa shtete anëtare të BE-së.
“Sanksionet më të ashpra tashmë i kanë vendosur Gjermania, Austria dhe Lituania”, ka thënë ai.
Sipas Gordyt, sjellja e presidentit të Republikës Sërpska, Dodik, ka kërkuar domosdoshmërisht ndërmarrjen e një iniciative të tillë.
“Ka qenë e nevojshme të ndërmerret ndonjë hap, sepse Dodik praktikisht po e kërkonte një gjë të tillë. Ai ka shkelur ndalimin e udhëtimeve kur ka shkuar në Serbi, Rusi dhe Izrael. Mendoj se ai i ka sfiduar qëllimisht, duke menduar se është mjaftueshëm i fuqishëm për të mos iu bindur ndalimeve. Evropa duhet të reagojë ndaj kësaj”, ka thënë ai.