Ermal Sadiku i bashkohet LDK-së
Inxhinieri Ermal Sadiku i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lavdëruar karrierën profesionale të Sadikut.
“Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Abdixhiku ka thënë se aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit meqë “ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë”.
“Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku,
Sadiku, i cili është edhe bashkëthemeluesi i “LinkPlus”, ka shërbyer si ligjërues në fakultet, si kryetar i bordit të STIKK dhe vazhdon të jetë mentor dhe trajner i shumë të rinjve që synojnë karrierë në teknologji.



