ËSHTË BËRË PAK PËR MBLEDHJEN E PROVAVE PËR GJENOCIDIN SERB NË KOSOVË

15 janar 2021 | 09:54

Sot (e premte) shënohet Dita e Gjenocidit Serb në Kosovë dhe përkujtohet 22-vjetori i masakrës së Reçakut.

Me këtë rast, profesorë të çështjeve penale dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kritikuar institucionet e Kosovës që kanë bërë fare pak për argumentimin e gjenocidit serb në Kosovë, shkruan “Epoka e re”.

Ata kanë vlerësuar se në mungesë të punës të institucioneve të Kosovës në këtë drejtim, sot Kosova nuk ka prova të mbledhura për ta paditur Serbinë në ndonjë gjykatë ndërkombëtare për gjenocid.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se përgjegjëse për këtë janë të gjitha qeveritë e pasluftës.

“Marrë në përgjithësi, të gjitha qeveritë e deritanishme, në aspektin institucional, shumë pak ose fare nuk e kanë bërë punën që është dashur ta bëjnë për mbledhjen e provave për krimet e luftës, sidomos ato për gjenocidin serb në Kosovë”, ka thënë Salihu.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës menjëherë pas luftës është dashur ta themelojnë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Institucionet e Kosovës është dashur që menjëherë pas luftës, në vjeshtën e vitit 1999 apo në vitin 2000, të formojnë organ në nivel shtetëror, i cili do të emërohej Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ose Departament për Krime të Luftës. Në këtë institut do të duhej të punësoheshin njerëz profesionalë, që kanë përkushtim, ideal dhe bashkëndiejnë dhimbje me viktimat e luftës”, është shprehur Salihu, duke treguar se në çfarë kushte do të duhej të punonte ky institut.

“Këtij instituti është dashur t’i krijohen kushtet optimale me ndërtesa, me infrastrukturë, me buxhet, në mënyrë që brenda 10 vjetëve, pra deri në vitin 2010, të ishin të evidentuar të gjitha krimet e luftës, e sidomos krimet e gjenocidit serb në Kosovë. Sepse në Kosovë është bërë gjenocid. Pra, gjenocidi është krimi më i rëndë në mesin e krimeve apo veprimeve penale ndërkombëtare, që është paraparë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalim dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit në vitin 19948”, ka thënë ai.

Më tej, Salihu ka treguar se Kosova me vonesë e ka themeluar këtë institut.
Sipas tij, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka punuar në kushte shumë të vështira. “Në qershor të vitit 2011 është themeluar një Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Qëllimi i themelimit të këtij instituti ishte i mirë, mirëpo ne rreth një vit fare nuk kishim zyrë, sepse unë kam qenë i punësuar aty dhe një kohë kam qenë ushtrues i detyrës të drejtorit të atij instituti. Pastaj, qeveria na siguroi një ndërtesë që paguante qira rreth 900 euro”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ky institut brenda mundësive që ka pasur, ka arritur mjaft.

“Ne kemi punuar afër shtatë vjet, me kushte minimale, sepse nuk na lejonin të merrnim hulumtues për terren. Na thoshin se nuk kemi mjete për këta hulumtues, të cilët do të duhej të dilnin në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje dhe në çdo shtëpi për të mbledhur dhe shënuar prova. Kështu që, neve na është dashur që me pesë veta t’i mblidhnim provat, ku arritëm t’i bënim 10 hulumtime”, është shprehur Salihu.

Ai ka kritikuar institucionet që e kanë mbyllur këtë institut. “Në mesin e vitit 2018 ai institut u mbyll dhe u shndërrua në një departament për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare ka folur edhe për deklarimet e liderëve politikë për ta paditur Serbinë për gjenocid. Sipas tij, nuk mund të paditet Serbia për këtë krim pa mbledhur prova të mjaftueshme. “Deklarimet e tilla kanë qenë joserioze. Si mund ta paditësh Serbinë për gjenocid kur Gjykata Ndërkombëtare, por edhe gjykatat e tjera vendore, nuk mund ta shpallin dikë fajtor pa pasur fakte. Ku i ka Kosova ato prova për ta bindur Serbinë për gjenocid? Për ta paditur Serbinë për gjenocid është dashur të formohet një grup i ekspertëve eminentë, i cili do të punonte dy vjet për t’i mbledhur të gjitha provat, për t’i sistemuar dhe argumentuar ato dhe në bazë të asaj pastaj të ushtrohet padi ndaj Serbisë për gjenocid”, ka thënë Salihu.

Serbia po bën përpjekje t’i humbë gjurmët e gjenocidit në Kosovë

Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti, më herët ka deklaruar se Serbia po bën përpjekje të mëdha për t’i humbur dhe shkatërruar gjurmët e gjenocidit që ka bërë në Kosovë. “Duke u nisur nga fakti, se gjenocidi është krimi më i rëndë që njeh njerëzimi dhe që është i ndëshkueshëm sipas të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Serbia si shtet ka ngritur një sistem të tërë veprimtarish në funksion të shkatërrimit të vërtetësisë së gjenocidit që kreu gjatë luftës në Kosovë. Përpjekja për t’i humbur dhe shkatërruar gjurmët e krimeve ka qenë dhe mbetet strategji e vazhdueshme e Serbisë, me qëllim mohimin e gjenocidit. Gjatë luftës në Kosovë këtë funksion e ka orkestruar Ministria e Informatave e Qeverisë së Serbisë, në krye me Aleksandar Vuçiqin, ndërsa pas përfundimit të saj për këtë qëllim janë angazhuar ministri të shumta dhe sektorë të veçantë të shtetit serb, të cilin e drejton po i njëjti person: Aleksandar Vuçiq”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është shtuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë më 8 maj 2019. Ai ka treguar se Kuvendi i Kosovës e ka vendosur 15 janarin si ditë të përkujtimit të gjenocidit për arsye se në këtë datë, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, forcat serbe kanë kryer një nga krimet më të shëmtuara gjenocidare që kishte ndodhur deri në atë kohë, që revoltuan komunitetin ndërkombëtar.

Kurse publicisti Lulëzim Etemaj ka thënë se liderët politikë të vendit nuk duhet të harrojnë se detyra e tyre është që vazhdimisht ta denoncojnë Serbinë për gjenocid. “Në të tilla rrethana, në përvjetorin e dytë zyrtar të Ditës së Gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021, liderët politikë dhe institucionalë duhet të tregohen të matur në paraqitje. Ata nuk duhet të harrojnë për asnjë çast se detyra e tyre, e pakryer, vazhdon të mbetet denoncimi, në emër të shtetit të Kosovës, i Serbisë për gjenocidin e kryer mbi shqiptarë”, ka thënë ai.

Etemaj ka fajësuar pikërisht liderët politikë që deri më tani nuk i kanë ofruar fakte asnjë gjykate ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë. “Askush tjetër përveç tyre nuk është fajtor pse Kosova s’i ka ofruar fakte asnjë gjykate ndërkombëtare për mbi 10 000 shqiptarët e vrarë gjatë luftës; për mbi 20 000 vajzat dhe gratë shqiptare të dhunuara; për 1 392 fëmijët e vrarë apo të zhdukur; për 1 653 të zhdukur. Ankesat dhe akuzat verbale ndaj Serbisë dhe mekanizmave të caktuara ndërkombëtare, tani nuk mund të përdoren si plaf për ta mbuluar dështimin e tyre në këtë segment, të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Pjesë e këtij dështimi janë edhe pushtetarët shqiptarë të shtetit të Maqedonisë Veriore”, është shprehur Etemaj.

Kuvendi i Kosovës më 16 maj të vitit 2019 ka miratuar rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë. “Kjo rezolutë nxirret në 20-vjetorin e luftës së Kosovës dhe një fushatë shfaruese që kishte ndërmarrë Serbia në Kosovë.

Gjatë luftës së Kosovës forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milion shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga të gjitha etnitë, por shumica shqiptarë. U vranë mbi 1 300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Më tej në rezolutë akuzohet shteti i Serbisë që gjatë vitit 1999 shumë civilë shqiptarë të gjallë dhe të vdekur u bartën në Serbi për t’i fshehur gjurmët. 1 600 persona ende konsiderohen të zhdukur. “Janë gjetur varreza masive në Serbi. Shteti serb vazhdon ta fshehë të vërtetën edhe për mbi 1 600 persona të zhdukur. U shkatërruan mbi 100 mijë objekte banimi, ndërtesa shkollore, objekte fetare e kulturore, shkolla, xhami dhe kisha katolike”, thuhet më tej në rezolutë.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur” ka njoftuar…