Është momenti i fundit që klasa politike të reflektojë

14 dhjetor 2020 | 09:44

Njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, MazllumBaraliu, ka thënë se në afatet kushtetuese që jemi nuk mund të zgjedhet një president drejtpërdrejt nga qytetarët.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në këtë drejtim do të jetë pengesë bllokada që është krijuar me Kushtetutën e Ahtisaritku, pos 2/3-tave, kërkohet edhe shumica e deputetëve pakicë dhe, sipas tij, ndryshimet kushtetuese hëpërhë janë të pamundshme.

Ai ka thënë se zgjidhja e vetme është që partitë në pushtet dhe ato në opozitë të merren vesh për një president konsensual, pastaj të shkohet në zgjedhje të reja. “Ose varianti tjetër, nëse nuk merren vesh vetëm për pakon e presidentit, atëherë të merren vesh për të dyja pakot: zgjedhjen e presidentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se zgjedhjet e reja do të duhej të mbaheshin në muajin mars ose prill të vitit të ardhshëm.

“Epoka e re”:  Z. Baraliu, si njohës  i çështjeve juridike dhe kushtetuese, duke e parë situatën çfarë po ndodh me çështjen e zgjidhjes së presidentit të vendit, a mendoni se është koha që këtë herë presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët?

Baraliu: Në afatet kushtetuese që jemi, ku në ushtrim të detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, afati është shumë i ngushtë dhe po ngushtohet gjithnjë e më tepër. Pra, po flas në këtë gjashtëmujorin maksimal që të kemi mundësi dhe hapësirë për ndryshimet kushtetuese. Është e domosdoshme që të kemi një harmonizim të qëndrimeve të kësaj klase politike, të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, sepse kohë nuk kemi shumë. Edhe po të kishim kohë, ne e kemi sjell vendin në atë gjendje që jemi të bllokuar me Kushtetutën e Ahtisarit, e cila pothuajse është e pamundur për të krijuar zgjidhje.

“Epoka e re”: Pse?

Baraliu: Duhet shumica e deputetëve, 2/3-tat, dhe shumica e deputetëve pakicë. Pra, shumica e ashtuquajtur e Badinterit. Për këtë punë Lista Serbe, por edhe komunitetet pakicë për çështjet që atyre u interesojnë mund ta pranojnë një zgjidhje, por për interesat e shtetit dhe popullsisë që janë në interesin tonë, në këtë rast zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk u intereson, atëherë nuk mund të kemi ndryshim. Jemi në një situatë të pamundësisë për ndonjë zgjidhje tjetër. Zgjidhja e vetme është që partitë politike dhe koalicioni qeverisës duhet të merren vesh për një president konsensual dhe pastaj të shkohet në zgjedhje të reja. Ose varianti tjetër, nëse nuk merren vesh vetëm për pakon e presidentit, atëherë të merren vesh për të dyja pakot: zgjedhjen e presidentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Në këtë variant të fundit do të pajtoheshin të gjitha partitë kur në marrëveshje hyn edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të duhej të mbaheshin në një afat optimal, në muajin mars ose prill të vitit të ardhshëm.

“Epoka e re”: Ju a jeni ithtar që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët?

Baraliu: Unë dhe çdokush tjetër do të duhej të ishte pro zgjedhjes së presidentit nga qytetarët, sepse demokracia e drejtpërdrejtë është demokraci reale. Demokracia indirekte është demokraci përfaqësuese. Keni parasysh se çfarë bëhet me deputetët ku, sipas këtij sistemi zgjedhor që kemi, marrin besimin të zgjedhësit e tyre, elektorati, dhe një herë në katër vjet shihet me të. Pra, formula që është tani për zgjedhjen e presidentit ka sjellje dhe mundësi për tregti politike dhe në këtë drejtim krijon edhe vështirësi të mëdha. Prej kohës së presidentit të parë që u zgjodh Ibrahim Rugova kishte vështirësi të mëdha në zgjedhjen e tij. Dhe vazhdojmë të kemi vështirësi të mëdha në këtë pikë. Gjithashtu kemi probleme me Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, e cila ka rrëzuar dy presidentë për shkak se partitë politike bëjnë pazare edhe me presidentin. Bëhen kombinime politike duke mos lejuar që drejtpërdrejt të kemi një president të zgjedhur nga qytetarët, i cili pastaj do të kishte edhe kredibilitet më të madh dhe pavarësi më tepër të veprimit. Në këtë drejtim nuk do të kishim situata kur presidenti bën pazarllëqe për të krijuar ose rrëzuar qeveri.

“Epoka e re”: A besoni se do të ketë pajtim mes partive politike në pushtet në opozitë për të gjetur një formulë për zgjedhjen e presidentit të ri?

Baraliu: Fatkeqësisht, duke e parë klimën politike të veprimit, kalkulimeve dhe të ambicieve politike që ndonjëherë janë të pazakonshme dhe të paarsyeshme, sepse njerëzit të imponohen duke mos u bazuar apo vrarë mendjen në fuqinë politike që kanë dhe vullnetin e qytetarëve që kanë marrë, qytetarët me këtë klasë politike që 20 vjet janë lodhur dhe zhgënjyer. Këtë lodhje dhe zhgënjim të qytetarëve nuk po e sheh si duket kjo klasë politike. Po shihet një përpjekje e tyre më shumë për pushtet dhe jo për avancim të shtetit. Këto parti politike, secila në mënyrën e vet, me përjashtime të vogla ose fare, po dëshmojnë se nuk e kanë angazhimin e tyre politik për shtetin dhe qytetarët, por për interesat e tyre të ngushta partiake dhe për kalkulimet e tyre. Kjo klasë politike që 20 vjet ka zhvlerësuar çdo gjë, madje edhe shtetin, duke pranuar fusnota dhe biseda të dëmshme për shtetin. E ka dëmtuar kauzën shtetërore dhe kombëtare. Prandaj, është momenti i fundit që të reflektohet.

(Mal Qorraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në përvjetorin e vrasjes së civilëve serbë dhe malazezë në…