Eskalon protesta në Tiranë: Policët goditen me fishkezjarre, protestuesit mbajnë shkopë bejsbolli

24 tetor 2026 | 19:03

Rreth mesditës studentët u mblodhën pranë Ministrisë së Arsimit pasi kishin paralajmëruar protestë paqësore, por kjo zgjati për pak momente pasi shumë shpejt u regjistruan dhe incidentet.

Një grup personash nisën të qëllojnë me gurë e dogjën kazanët e mbeturinave në rrugë. Pasi u larguan nga policia, grupi i protestuesve tentoi të rikthehej në bulevard, shkruan abcnews.

 

Por një grup i dhunshëm u shfaq në krye të tij duke hedhur gurë drejt institucioneve, ndërsa persona të maskuar dhe të mitur qëlluan me sende edhe drejt forcave të policisë.

Mjete ujëhedhëse dhe gazi lotsjellës i shpërndanë dhe më pas i izoluan drejt sheshit Skënderbej.

Por izolimi shtoi valën e egërsisë. Njerëz të maskuar, me shkopinj në duar e flakadanë e lëndë piroteknike, sulmuan Teatrin e Kukullave dhe ministritë. Pamjet e siguruara nga ABC News tregojnë disa njerëz me maska dhe me hunj në dorë. Dy prej tyre duke mbajtur mjete shpërthyese, natyra e të cilave është e vështirë për t’u identifikuar.

Po efektin e këtyre mjeteve shpërthyese e provoi një polic. Nga pamjet duket qartë se shpërthimi ishte i fortë, ndoshta i nxitur nga ndezja e një gazi. Flakët përfshijnë trupin e tij. Për fat, ato shuhen shpejt.

Më pas, grupe të izoluara u drejtuan në rrugë të ndryshme të Tiranës, ndjekur ngadalë nga trupa të policisë. Pamjet treguan një vajzë e cila mori mjekim në rrugë. Por pas pak minutash, për fat, u pa që plaga e saj ishte sipërfaqësore.

Deri në orët e pasdites të së shtunës, në spitale janë paraqitur një numër relativisht i vogël të lënduarish: katër protestues dhe një gazetar. Deputeti Gjin Gjoni gjithashtu është ankuar nga djegia e syve. Por për policin e djegur nuk ka asnjë informacion. Por dhuna e së shtunës, e rikthyer sërish pas një jave, nuk e kurseu Tiranën nga shija e keqe e një tjetër revolucioni tetori.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të Policisë…