Estrada e Kosovës për vetëm tre muaj fitoi mbi 2 milionë e 150 mijë euro

19 shtator 2021 | 21:27

 Vera e këtij viti ka qenë ndër periudhat më fitimprurëse për estradën kosovare, bazuar në lehtësimin e masave për dasmat, ahengjet e ndryshme dhe klubet e natës në Kosovë.

Qershori, korriku e gushti i vitit 2021 ishte periudha kur në Kosovë u duk sikur pandemia është lënë prapa dhe se normaliteti është kthyer. Qeveria lehtësoi mjaft shumë masat duke lejuar kështu funksionimin normal të sallave të dasmave, koncerteve, klubeve të natës dhe lokaleve të gastronomisë në vend.

Hapja totale e këtyre veprimtarive bëri që për estradën kosovare të rikthehen fitimet e majme që rëndom ata i inkasonin viteve të kaluara jo-pandemike. Madje, nga të dhënat zyrtare, bëhet e ditur se vetëm përgjatë këtyre tre muajve, këngëtarët në Kosovë patën qarkullim prej miliona eurosh.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, në një përgjigje për Telegrafin, ka bërë ditur se vetëm gjatë muajve qershor, korrik e gusht, estrada pati qarkullim të deklaruar prej 2 milionë e 154 mijë e 454 eurove.

Përgjatë së njëjtës periudhë dhe në bazë të fitimeve respektive, vlera totale e parave që iu paguan shtetit në formë tatimi, ishte 111 mijë e 852 euro.

“Vlera e qarkullimit të deklaruar nga ana e estradës së Kosovës nga muaji qershor deri me 31 gusht 2021 është 2,154,454 euro, ndërsa vlera e pagesave është 111,852 euro”, ka thënë Bytyqi-Sefa për Telegrafin.

Duke vëzhguar këto të dhëna, vërehet se fitimi i estradës për vetëm tre muajt e verës së këtij viti, ishte sa gjysma e fitimit të krejt vitit të kaluar. Në 12 muaj të 2020-së, estrada ia pagoi shtetit gjithsej 244 mijë euro, pra krahas mbi 111 mijë eurove që ia dha për vetëm tre muajt të 2021-së.

E një vit më herët, pra më 2019, kur pandemia e COVID-19 nuk ishte shfaqur ende dhe kur secila veprimtari ekonomike funksiononte normalisht, estrada pagoi tatime në total prej 677 mijë euro.

Marrë parasysh veçoritë e këtij sektori, nga ATK për Telegrafin thonë se estrada në bazë të Planit Operativ do jetë e trajtuar me më prioritet.

“Vlen të theksohet se bazuar në Planin Operativ ATK do të këtë aktivitete të shtuar në trajtimin e këtij sektori”, thotë tutje zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa.

E në fitimet marramendëse të këngëtarëve kosovarë, natyrisht që këtë vit ndikuan edhe heqja e restrikcioneve të udhëtimeve, gjë që çoi në ardhjen masive të mërgimtarëve në Kosovë.

Këta të fundit, nuk kursyen aspak gjatë qëndrimit në muajt e verës në vendlindjen e tyre.

Sipas disa statistikave të publikuara së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës, diaspora gjatë kësaj vere në Kosovë shpenzoi hiç më pak se 630 milionë euro, teksa vlera e remitencave arrin deri në 651 milionë.

Hapja e lartpërmendur e veprimtarive ekonomike në Kosovë ndikoi në rritjen enorme të rasteve të reja me coronavirus dhe vdekjeve nga komplikimet që shkakton ky infeksion.

Menjëherë pas krijimit të kësaj situate, organet shtetërore u ‘hodhën në aksion’ duke marrë masa të rrepta restriktive, që përfshijnë edhe ndalimin e mbajtjes së dasmave, koncerteve, pastaj kufizimin rigoroz të punës së gastronomisë në kohë dhe hapësirë, udhëtimet dhe veprimtari të tjera që janë pjesë e zinxhirit funksionues të ekonomisë kosovare.

Masat në fjalë do të jenë në fuqi deri më 26 shtator, datë kjo pas së cilës pritet të ketë lehtësime që me gjasë do të ndikojnë edhe në stabilizimin e të hyrave dhe qarkullimit financiar. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksidenti trafiku ka ndodhur në lagjen Kodra e Trimave…