
Etnik Brruti tradhëton Kosovën, e cila e promovoi dhe e mbështeti vazhdimisht
Në momentin kur Kosova po përkujtonte njërën nga datat më sublime të historisë së saj, Epopenë e UÇK-së, ka ardhur një vendim individual i një futbollisti që ka zhgënjyer opinionin sportiv.
Kapiteni i deritashëm i Kombëtares së Kosovës U21, anëtari i FC Malisheva, Etnik Brruti, sipas burimeve në FSHF tashmë ka zgjedhur të braktisë Kosovën për të përfaqësuar Shqipërinë, një akt që për shumëkënd konsiderohet i pakuptueshëm dhe i dhimbshëm.
Brruti ishte një nga talentet më premtuese të futbollit kosovar dhe një figurë kyçe në Kombëtaren U21 të Kosovës. Ai mbante shiritin e kapitenit, një përgjegjësi dhe nder që nuk i jepet kujtdo. Për më tepër, ai shihej si një perspektivë e rëndësishme për Kombëtaren A të Kosovës. Megjithatë, në vend që të vijonte rrugën e tij me përfaqësuesen që e promovoi dhe e mbështeti vazhdimisht, ai vendosi të ndjekë një drejtim tjetër, të nxitur nga interesa personale apo nga menaxherët që i shohin futbollistët si mall tregu, shkruan Futbolli.info
Ky rast na vendos përballë një dileme më të gjerë: A është futbolli sot thjesht një lojë interesash, apo duhet të ruajë një dimension më të thellë ndjenjash dhe përkatësie?
Kosova është një shtet i ri, por me një histori të pasur sakrificash. Ata që zgjedhin të përfaqësojnë këtë shtet në arenën ndërkombëtare nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por edhe një popull të përvuajtur që ka luftuar për liri dhe dinjitet me dekada. Prandaj, vendimet si ky i Brrutit nuk mund të shihen vetëm si zgjedhje sportive, por edhe si shpërfillje e identitetit dhe besnikërisë ndaj vendlindjes.
Shkrimi i plotë: