
Etrit Berisha, kapiten i Kombëtares Shqiptare
Pjesëmarrja në fejesën e Roshit i kushton shiritin e kapitenit Hysajt.
Prezenca në fejesën e Odise Roshit, mbrëmjen para ndeshjes së humbur me Lituaninë, u shoqërua me përjashtimin e Elseid Hysajt nga Kombëtarja për dy ndeshjet në Kazakistan dhe Lituani.
Mbrojtësi i Napolit ishte një prej futbollistëve që u dënuan, së bashku me Cikalleshin e Balajn. Pasi e dha mesazhin e tij për senatorët, Edy Reja duket se ende nuk e ka kapërdirë sjelljen e lojtarëve. Vetëm pak orë para miqësores me Kosovën, trajneri vendosi t’i heqë Hysajt edhe gradat e kapitenit, duke vendosur t’ia kalojë shiritin Etrit Berishës.
Në tetor 2020, Reja thonte: “Kur nuk është Hysaj, kapiten është Berisha. Luan apo nuk luan, ai mbetet pika e referimit sepse Etriti është kapiteni i vërtetë i skuadrës. Por, në fushë kapiten është Hysaj”.
Ndeshja e fundit kur mbrojtësi dhe portieri kanë qenë njëkohësisht në fushë, ishte sfida me Francën, më 17 nëntorin e kaluar. Në ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Europianit, të humbur 0-2 me kampionët e botës, kapiten ishte Elseid Hysaj.