Eurobarometri: Shqiptarët, më optimistët në Ballkan

09 qershor 2025 | 08:06

Anketa më e fundit e Eurobarometrit ka zbuluar ndryshime të dukshme në perceptimet e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor lidhur me të ardhmen, integrimin dhe besimin ndaj institucioneve ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe NATO.

Sipas sondazhit, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës janë më optimistët në rajon. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të optimizmit për të ardhmen krahasuar me vjeshtën e kaluar, me një rritje prej 17 për qind. Edhe në Kosovë, perceptimi për të ardhmen është përmirësuar ndjeshëm. Të dy vendet shfaqin pritshmëri pozitive edhe në fushën e punësimit, një tregues i rëndësishëm i përmirësimit të ndjenjës së mirëqenies.

Në kontrast të plotë qëndron Serbia, ku qytetarët shfaqin nivelin më të lartë të pesimizmit dhe mosbesimit ndaj BE-së dhe NATO-s. 57 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk kanë besim në Bashkimin Evropian, ndërsa NATO shihet si armike.

Pothuaj dy të tretat e serbëve janë të pakënaqur me drejtimin e vendit dhe parashikojnë përkeqësim të situatës në vitin e ardhshëm.

Anketa tregon gjithashtu se shqetësimet kryesore të qytetarëve ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Në Shqipëri dhe Kosovë, çmimet janë problemi më i madh, pasuar nga shëndetësia, ndërsa kriminaliteti renditet i fundit. Në Maqedoninë e Veriut, përkundrazi, kriminaliteti është shqetësimi kryesor.

Bosnje dhe Hercegovina ka përjetuar rritjen më të madhe të pesimizmit, me një rritje prej 6 për qind krahasuar me sondazhin e kaluar.

Në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë, besimi ndaj Bashkimit Evropian mbetet i lartë dhe përputhet me orientimin proevropian të këtyre shoqërive. Po ashtu, këto vende kanë edhe një perceptim më pozitiv ndaj NATO-s, në dallim nga Serbia, ku këto organizata perceptohen me mosbesim.

Pritshmëritë për vitin e ardhshëm

Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë gjatë vitit të ardhshëm, në Shqipëri dhe Kosovë dominon optimizmi: shumica e të anketuarve mendojnë se gjendja do të përmirësohet.

Në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, përkundrazi, shumë qytetarë kanë frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.

Ky sondazh i fundit i Eurobarometrit ofron një pasqyrë të qartë të ndasive mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në lidhje me gjendjen aktuale por edhe me pritshmëritë për të ardhmen dhe orientimet gjeopolitike të qytetarëve. /Top Channel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit…